Kuvendi, sot do të diskutohet në parim projekt-buxheti i 2017-ës

493
Sigal

Projektbuxheti i shtetit i vitit 2017 dhe paketa fiskale që e shoqëron diskutohen të enjten në seancën plenare të radhës në Kuvend. Sipas procedurës parlamentare, ligji më i rëndësishëm financiar do të prezantohet nga kryeministri Edi Rama, ndërsa punimet e seances do të vijojnë me diskutime nga shumica e deputetëve të të dyja palëve.

Projektbuxheti dhe paketa fiskale vijnë në seancën e sotme pas rreth 2 javë diskutimesh në komisionet e përhershme parlamentare. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, e ka cilësuar buxhetin e ri si më optimalin në historinë e financave publike në 25 vjet.

Sipas Ahmetaj, ai është buxheti i rritjes ekonomike, i reformave, i rritjes së pagave dhe pensioneve, si dhe i investimeve publike.

Opozita nga ana e saj ka paralajmëruar se do të denoncojë buxhetin, të cilin e ka konsideruar antipopullor dhe antisocial, që i merr shumicës dhe i shton pakicës.