Kush do i marrë 100 milionë lekë për faturat e Ujësjellësit të Tiranës

595
Sigal

Flet zv/drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, z. Alfred Spahiu për faturat aforfe

Faturat aforfe të Ujësjellësit gjithmonë kanë qenë një shqetësim për banorët e Tiranës. Lexueset e sahateve për një arsye apo tjetër kanë penalizuar xhepat e konsumatorëve shqiptar. Më shumë se të shqetësuar qytetarët janë të indinjuar për moskorrektësi nga ana e lexuesve të sahateve të ujit, të cilat herë vijnë dhe herë nuk vijnë për të kryer punën e tyre. Ndërsa në shumë zona të Tiranës nuk ka fare sahat uji dhe banorët në këto zona harxhojnë apo jo duhet të paguajnë një tarifë aforfe. Këtë situatë e pranon edhe vetë zv.drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, z. Alfred Spahiu, i cili thotë për gazetën “Telegraf” se, “stafi i ri që ka 1 vit që drejton UKT-në, ka gjetur një situatë jo të mirë sa i përket kësaj çështje. Ne kemi ndërmarrë një fushatë intensive për pajisjen e çdo konsumatori të ujit me ujëmatës me qëllim që të evitohet si mbifaturimi ashtu edhe nënfaturimi për abonentët”. Ndërsa për faturistët abuzues, ai tregon se, “faktikisht kemi konstatuar raste mbifaturimi dhe nënfaturimi nga disa faturues të UKT-së, ndaj të cilëve pa asnjë përjashtim janë marrë masa disiplinore”. Por edhe nëse janë marrë masa ndaj faturuesve abuzues, problemi ende qëndron. Qytetarët penalizohen me mbifaturim apo me tarifimin aforfe. Megjithatë, z.Spahiu shprehet se, “eliminimi i faturimit aforfe është një nga synimet kryesore të punës së UKT-së për vitin 2014”.

 Marrëdhënia me debitorët

 Shumë institucione shtetërore janë debitorë ndaj Ujësjellësit të Tiranës. Z. Spahiu thotë se, “ndaj gjithë abonentëve debitorë, UKT po ndërmerr masat e parashikuara nga dispozitat ligjore. Kjo do të thotë, njoftim për shlyerje debie, ndërprerje e ujit dhe kërkesë për lëshim urdhri ekzekutiv nga gjykata. Ky është një proces në vazhdim. E njëjta praktikë ndiqet, si për abonentët familjarë, privatë apo buxhetorë”. Por sipas Spahiut, problem shqetësues për Ujësjellësin është debia nga institucionet buxhetore, si p.sh; spitalet, Qyteti Studenti, repartet ushtarake, burgjet, etj..

 Marrëdhënia me CEZ-in

 Edhe vetë Ujësjellësi -Tiranë mbetet të jetë një nga debitorët më të mëdhenj të CEZ-it. I pyetur për marrëdhënien midis këtyre dy institucioneve të një rëndësie të veçantë përsa i përket shërbimit ndaj publikut, z. Spahiu thotë se: “Marrëdhënia e UKT-së me CEZ është korrekte, ne bashkëpunojmë ngushtë me këtë institucion, duke qenë se të dy shoqëritë janë ofruese të shërbimit ndaj publikut. UKT disponon hidrocentralin e Lanabregasit dhe prodhimi i energjisë që i faturohet KESH-it thuajse mbulon shpenzimet e energjisë nga ana jonë. Herë pas here bëhet një rakordim trepalësh, ku të ardhurat e energjisë së përfituar i kalojnë CEZ-it për të kompensuar energjinë e shpenzuar nga UKT.

Tenderi i Ujësjellësit

Në datën 8 janar të këtij viti është zhvilluar tenderi me objekt “furnizimin me fatura” për konsumin e ujit, në vlerën e 100 milionë lekëve. Sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, tre firmat pjesëmarrëse në tender kanë pasur mungesë dokumentacioni. Gjithashtu, tre ofertuesit kanë dorëzuar thjesht dokumentacionin, pa u lajmëruar se cili prej tyre ka paraqitur ofertën më të mirë, gjë që sipas Ligjit të Prokurimit Publik ky moment duhej të ishte transparent. I pyetur për mbarëvajtjen e këtij tenderi zv. drejtori i Përgjithshëm i UKT-së z.Alfred Spahiu shprehet se: “Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO) është në proces të shqyrtimit të dokumentacionit të firmave pjesëmarrëse. KVO është i vetmi autoritet që përcakton nëse dokumentacioni i paraqitur është i rregullt apo jo”. Më tej ai shpjegon se, “më datë 8 Janar 2014, janë hapur ofertat e firmave konkurruese për tenderin me objekt “furnizimin me fatura” dhe KVO në bazë të ligjit për prokurimin publik ka 20 ditë kohë për shqyrtimin e dokumentacionit dhe marrjen e një vendimi. Pas vendimit të KVO-së, do të përcaktohen hapat e mëtejshëm që do të ndiqen”. Ngelet për t’u parë tashmë sesi do të veprohet me fazën tjetër të tenderit, nëse do vazhdojë në këto kushte, apo do të rizhvillohet në një moment tjetër. Ndërsa, jemi në pritje të shpalljes së fituesit të 100 milionë lekëve.

  Open data Albania / Hulumtim mbi eksport-importet shqiptare të naftës

 Sipas një hulumtimi mbi eksport-importet shqiptare të naftës Open Data tregon se, Shqipëria vlerësohet të ketë rezerva relativisht të larta që arrijnë deri në 400 milionë ton naftë. Sipas burimeve zyrtare të Autoritetit Kombëtar të Burimeve Natyrore, rreth 40 milionë tonë naftë janë ende të pashfrytëzuara. Patos- Marinza është zona kryesore e naftës në Shqipëri. Kjo fushë prej 44 mijë hektarë është burimi më i madh natyror i naftës në të gjithë Europën, me një kapacitet prodhimi prej 7.7 milionë fuçi naftë në vit.

 Eksportet e naftës nga viti 2005-2012, në vlerë

 Si pasojë e rritjes së investimeve të huaja, eksportet e naftës vendase janë rritur me ritme shumë të shpejta që prej vitit 2005. Eksportet e naftës shqiptare drejt tregjeve të huaja në fund të vitit 2012 arritën në 56.7 miliardë lekë, duke dominuar kështu totalin e eksporteve vendase. Në raport me një vit më parë, eksportet janë rritur 36%, ndërsa kundrejt vitit 2005 ato kanë regjistruar një rritje prej 2880%.

 Eksportet e naftës nga viti 2005-2012, në sasi

 Të njëjtën ecuri pozitive kanë regjistruar edhe eksportet në sasi, duke shënuar 1 milionë ton në fund të vitit 2012. Në raport me një vit më parë ato janë rritur 36.3%. ndërsa kundrejt vitit 2005 rritja është 1193%. Edhe në 10-muajt e parë të vitit 2013, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ecuria e eksporteve të naftës ka vijuar të jetë pozitive duke u rritur në nivelet e një viti më parë. Në fund të tetorit 2013 eksportet kishin arritur në 1.6 milionë tonë. Eksportet e naftës shqiptare janë 2.4 herë më të larta se sasia e karburanteve që Shqipëria importon në vend për t’u përdorur në konsumin vendas. Në total, në fund të vitit 2012 janë importuar në Shqipëri rreth 430 mijë ton karburante. Sasia e importeve të karburanteve ka shënuar rënie në vitet e fundit si pasojë e krizës ekonomike dhe reduktimit të përdorimit të automjeteve nga konsumatorët. Rënia ka vijuar edhe në vitin 2013, duke u tkurrur në 359 mijë ton.

 Importi i karburanteve në sasi, 2008-2013 (ton)

 Përpjekjet për të përpunuar naftën vendase në cilësinë e duhur për ta hedhur në treg për konsum të brendshëm kanë dështuar, si pasojë edhe të një menaxhimi tepër të dobët të kompanisë publike ‘Albpetrol’, e cila ka nën administrim fushën e Patos-Marinzës.

Kompania eksportuese më e madhe e naftës në vend është Bankers Petroleum Albania, e cila shfrytëzon fushën e Patos-Marinzës. Nafta shqiptare për shkak të cilësisë së saj eksportohet dhe përpunohet si bitum në tregjet e huaj, që shërben për asfaltimin e rrugëve.

 Import-Eksportet 2008 – 2013

 Pas viteve ’90, kompani të huaja kanë treguar interes të vazhdueshëm për të investuar në fushën e naftës në Shqipëri nëpërmjet marrëveshjeve koncesionare me qeverinë dhe kompaninë Albpetrol, e angazhuar në zhvillimin, prodhimin dhe tregtimin e naftës bruto dhe gazit. Qeveria ka marrëveshje për eksplorimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit me kompani të tilla si:Islandrockall JV. dhe Australian Beach Petroleum Ltd, Capricorn Albania Ltd, një degë e kompanisë Cairn Energy company, Petromanas Albania Gmbh, Bankers Petroleum Albania dhe Sky Petroleum. Marrëveshje të tjera janë nënshkruar për prodhimin dhe zhvillimin e fushave ekzistuese të naftës dhe gazit me Bankers, Stream Oil & Gas, Sherwood International Petroleum dhe IEC Visoka.