Naim Mecalla/ Pasojat e pastrimit të parave

1384
Sigal

Pastrimi i parave prodhon pasoja negative dhe shtrembërime të thella në zhvillimin real të ekonomisë. Ai denatyron konkurrencën e lirë dhe të ndershme, cënon rëndë rregullat e lojës së tregut, bile, i trondit ato duke sjellë me vete çrregullime serioze në treg. Pastrimi i parave shtrembëron kushtet e konkurrencës në treg, duke shkaktuar vështirësi për veprimtari të ndershme të biznesit dhe në raste ekstreme duke sjellë edhe falimentimin e tyre. Shoqërohet me krijimin e monopoleve në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë. Veç këtyre, dukuria e pastrimit të parave sjell edhe sundimin e tregut nga pak duar, duke sjellë kështu monopolet në treg dhe duke shtrembëruar biznesin në një sferë monopoliste, sidomos në degë të caktuara të tij. Pastrimi i parave ka të bëjë me përfitimin e pasurisë nga aktivitetet ilegale dhe përpjekjet që këto përfitime të vendosen në sistemet bankare, në atë mënyrë që të fshihet origjina e parave apo edhe të vazhdohet aktiviteti kriminal duke përdorur sistemin financiar. Rreziku është i njëjtë, si në një vend të zhvilluar, si në atë që po zhvillohet, domethënë paratë e pista gjejnë mënyrën që të hyjnë në ekonomi, ku nuk pengohet pastrimi i parave me ligj. Kur hyjnë paratë e pista në një vend, në një periudhë të shkurtër mund të ketë rritje ekonomike që mund të shihet si pozitive, por me kalimin e kohës ato para do të ndikojnë me mënyra të tjera, do të zhduken shpejt, do të ketë jo stabilitet, do të çojnë në korrupsion publik.

Rreziku i sigurisë kombëtare

Pastrimi i kapitaleve të paligjshme sjell rrezik për sigurinë kombëtarë dhe stabilitetin politik, sidomos në tre aspekte:

-Nga pikëpamja e mbrojtjes së ligjit, e rendit dhe e sigurisë. Kjo dukuri rrit rrezikun që vjen nga kriminaliteti i rëndë, që favorizon krimin e pastrimit të parave dhe bëhet e mundur sigurimi i fondeve për riinvestim. Pastrimi i parave lejon një ndërmarrje kriminale të vazhdojë aktivitetet kriminale në përmasa më të mëdha.

-Në aspektin social dhe politik. Pastrimi i parave dhe integrimi i kapitaleve të paligjshme në jetën ekonomike dhe politike, shton rrezikun që vjen nga krimet e rënda, si: trafiqet e drogës, armëve, kontrabanda etj., si edhe i krijon mundësi krimit të organizohet, fuqizohet e të fshihet pas investimeve në dukje të ligjshme. Institucionet ekonomiko – financiare dhe shtetërore mund të bien në duar të krimineleve. Pastrimi i parave përbën një kërcënim për integritetin, besueshmërinë dhe stabilitetin e strukturave financiare dhe atyre shtetërore në mbarë botën.

-Nga pikëpamja ekonomike. Pastrimi i parave zvogëlon të ardhurat në buxhetin e shtetit që vijnë nga tatimet dhe taksat. Krijohet një ekonomi paralele në përmasa të konsiderueshme, që shpesh asfikson bizneset e ligjshme dhe destabilizon sektorët e institucioneve financiare. Nga ana tjetër, futja e parave të pista dëmton zhvillimin ekonomik normal të vendit, dobëson sistemin e tatim – taksave  dhe shtetin ligjor dhe nxit korrupsionin nëpërmjet mitmarrjes, financimeve të fshehta të politikës etj.

Efektet negative në ekonomi të pastrimit të parave

Pastrimi i parave mund të ketë pasoja negative makroekonomike. “Në qoftë se krimi i pastrimit të parave dhe informaliteti zhvillohet në një shkallë mjaft të madhe, atëherë politikëbërësit makroekonomikë duhet t’i marrin ato në konsideratë.” Pastrimi i parave e bën mbledhjen e taksave kombëtare dhe zbatimin e ligjit më të vështirë. Pastrimi i parave mund të shtrembërojë caktimin e burimeve dhe shpërndarjen e pasurisë. “Ai deformon statistikat dhe ç’orienton autoritetet në marrjen e masave të përshtatshme. Në raste ekstreme, mund të ketë vendime të gabuara në parashikime të natyrës fiskale dhe monetare (norma interesi dhe kurs këmbimi)”. Dëmet ekonomike mund të lindin jo vetëm drejtpërdrejt nga pastrimi i parave, por edhe nga akuzat që ndikojnë në reputacionin e një vendi. Akuza të tilla ndikojnë në vullnetin e agjentëve ekonomikë, veçanërisht ato jashtë vendit, për të kryer biznes në një vend të caktuar si investimet e brendshme. Një shembull i kohëve të fundit përfshin ndikimin e listave të publikuara nga FATF dhe OECD.

Fluksi i kapitaleve të paligjshme ne ekonominë e vendeve sjell në dukje një rritje të mirëqenies. Por, për një periudhë më të gjatë shoqëritë private kanë shumë vështirësi, derisa ngrenë duart lartë dhe falimentojnë përpara këtyre grupeve kriminale. Hyrja e parave të pista në ekonominë legale, çon në marrjen në zotërim të ekonomisë legale dhe financiare nga grupimet kriminale. Riciklimi i kapitaleve të paligjshme prodhon mekanizma artificialë të tregut, që alternojnë dhe ndryshojnë rregullat, duke mos zbatuar rregullat.  Pra, i japin goditje sistemit të kreditit dhe shkatërrojnë rregullat e konkurrencës së ndershme, jep një goditje financiare duke prishur rregullin kërkesë – ofertë. Sistemi ekonomiko – financiar mund të bjerë në duart e grupimeve kriminale.

Pastrimi i parave është i lidhur me krimet e tjera financiare, si me korrupsionin, mashtrimin, apo me krimin e organizuar që kontrollon një institucion financiar. Pas marrjes së të ardhurave kriminale, kriminelët mund të kërkojë pastrimin e tyre nëpërmjet sistemit financiar. Kjo, nga ana tjetër mund të kërkojë një seri aktivitetesh mashtruese, sikurse falsifikimin e faturave. Pra, një zinxhir i tërë aktivitetesh kriminale ose të paligjshme mund të rezultojë në rrjedhjen e parave kriminale përmes sistemit financiar.

Bankat, shërbejnë si një instrument i rëndësishëm për pastrimin e parave, si dhe institucionet e shoqëritë e tjera financiare dhe jofinanciare. Kazinotë, restorantet, manifestimet sportive, të cilat përfaqësojnë një mundësi më të lehtë për pastrimin e parasë si rezultat i sasisë se parave cash që përdoret në to. Krimi i organizuar është i interesuar për blerjen e shoqërive në krizë. Një shoqëri për t’u ngritur, duhet të rritë kapitalet e përbashkëta. Këtu është prezent krimi i organizuar, i cili ndërhyn duke krijuar shoqëri të reja “offshorë”. Marrja pjesë e krimit të organizuar në sektorin financiar – shoqëror huadhënës është evidente. Sektor i veçantë, është orientimi i krimit të organizuar për investime, si blerja e aksioneve, huave dhe titujve shtetërorë, në sektorin bujqësor, ku organizojnë tregun ushqimor. Sektor ku sigurohet riciklimi i parave është dhe posta legale. Ndërhyrjet në import-eksport dhe në shpërndarjen e mallrave, investimet në ndërtimin e super marketëve, janë aspekte tipike të kësaj veprimtarie. Trafikantët, nëse nuk janë pronar të një super marketi, marrin kredi në bankë për menaxhimin e super marketit dhe, më vonë, deklarojnë se një sasi e mëdha parash është fituar gjatë menaxhimit të super marketit.

Pastrimi i parave dhe ekonomia informale

Pastrimi i parave është i lidhur me ekonominë informale, pasi origjina e parave të rrjedhura nga krimi nuk kontrollohet dhe as kërkohet për fillimin dhe realizmin e veprimtarive të ndryshme ekonomike. Në këtë aspekt, ekonomia e nëndheshme përbën një kërcënim të mirëfilltë për stabilitetin ekonomik, për shkak të pasojave negative që sjell. “Humbja e të ardhurave nga ekonomia informale, nxit qeverinë të rrisë taksat. Prania e ekonomisë së fshehtë mund të çojë në një “hiperbolizim” të efekteve inflacioniste të nxitësve fiskalë apo monetarë”. Në përgjithësi, ekonomia informale çon në një ulje të rritjes ekonomike. Arsyeja është, lidhja shumë negative ndërmjet sektorit in formal dhe treguesve të infrastrukturës publike, që përbën elementin kyç për rritjen ekonomike. Përveç kësaj, kur të ardhurat nga taksat nuk sigurojnë një burim të mjaftueshëm për financimin e buxhetit, qeveritë shpesh janë të detyruara t’i drejtohen financimit nëpërmjet emisionit të bonove të thesarit, që mund ta destabilizojë ekonominë. Prania e ekonomisë informale mund t’i bëjnë politikat makro më pak efektive, që vështirësojnë arritjen e qëndrueshmërisë makroekonomike.

Pasoja më e madhe negative e ekonomisë së nëndheshme duket në rastin e procesit të vendimmarrjes ekonomike. Një ekonomi e lartë informale krijon agregat ekonomikë zyrtarë jo të saktë, si norma e papunësisë dhe niveli i të ardhurave. Vendimmarrja e politikës ekonomike në veçanti, politika monetare e Bankës së Shqipërisë që shfrytëzon këto të dhëna makroekonomike zyrtare, mund të rezultojnë jo efektive. Ekonomia e nëndheshme krijon kushtet për konkurrencë të padrejtë mes firmave. Firmat që operojnë në ekonominë e nëndheshme nuk kanë rregulla ligjore dhe mund të vendosin çmime më konkurruese se firmat e regjistruara. Firmat në ekonominë e fshehtë mund t’i shesin produktet dhe shërbimet e tyre me çmime më të ulëta se çmimi i përgjithshëm i tregut dhe mund të rrisin vëllimin e tyre të shitjeve dhe fitimeve. “Ekonomia e fshehtë mund të përkeqësojë pozicionin financiar të institucioneve të sigurimeve shoqërore apo të ulë të ardhurat nga taksat dhe kjo ulje mund të shkaktojë kufizimin e ndihmës sociale tek njerëzit me të ardhura të pakta dhe mund të rrisin tensionet sociale në komunitet”.

Megjithëse ekonomia e Shqipërisë vazhdon të rritet, vendi është ende një nga më të varfrit në Evropë, penguar nga një ekonomi e madhe informale. Sipas vlerësimeve shqiptare, ekonomia informale përfaqëson mbi 30% të ekonomisë së vendit. Vetëm 25 – 30% e transaksioneve kalojnë përmes sistemit formal bankar. Veprimet në cash përbëjnë një prej dukurive negative më të cilin përballet aktualisht ekonomia dhe financat shqiptare duke pasur një impakt jo vetëm mbi të ardhurat buxhetore të shtetit shqiptar, por edhe mbi vetë biznesin e rregullt që operon konform ligjeve. Ka burime që shprehen, se “ekonomia shqiptare është e pushtuar nga informaliteti. Madje, arrihet deri në atë pikë sa në raport thuhet se informaliteti ka arritur nivele sa gjysma e GDP-së”.

Veprimet në cash pengojnë krijimin e një imazhi të qartë e të plotë të zhvillimeve ekonomike brenda vendit. Mungesa e një informacioni të detajuar mbi sasinë e parave në qarkullim e veprim, vështirëson në të njëjtën kohë edhe ruajtjen e parametrave makrofiskalë brenda normave e objektivave të përcaktuara në programin e qeverisë dhe është bërë një nga pengesat kryesore për të parashikuar e programuar saktësisht zhvillimet ekonomike. Bizneset me prejardhje të dyshimtë dhe pastrimi i parave gjejnë terren të përshtatshëm në vendet ku ekonomia cash është në nivel të lartë. Në ekonominë tonë sistemi i pagesave në “cash” përbën një pjesë të rëndësishme të operacioneve financiare. Ekonomia informale akoma është në shifra të larta krahasuar me vendet e Evropës Perëndimore. Ky fenomen shtron sfida domethënëse për luftën kundër pastrimit të parave dhe asaj kundër financimit të terrorizmit, mbasi vetëm 25 – 30% e transaksioneve kalojnë  në sistemin bankar dhe mbi 30% e ekonomisë në vend vlerësohet të jetë informale.