Ku po shkon rendi e qetësia publike?

588
Sigal

Krimi ka gjunjëzuar shtetin, po sfidon ligjin dhe po errëson të ardhmen e këtij vendi

Muajt e fundit, shqiptarët po përballen frikshëm me një klimë dhe valë të ashpër krimi e terrori, duke pësuar shpesh gjendje shoku. Kjo ka ndodhur pothuajse çdo ditë live, apo tek dëgjon radiot, TV, dhe tek lexon lajmet e kronikës së zezë në gazetat e përditshme. Vrasje, plagosje, grabitje, tritol në makinë, tritol në banesë, vjedhje me dhunë, e mjaft vepra të tjera penale. Vjedhësit e xhepave në tregje dhe autobusë, pothuajse nuk po quhen autorë të veprave penale, aq sa edhe nga policia thuhet se “edhe do të hanë një copë bukë”. Më tepër se kurrë, çdo qytetar i këtij vendi po pyet me shqetësim se “Ku po shkon rendi dhe qetësia publike?”. Jo vetëm gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, por madje edhe në javët dhe muajt në vazhdim deri në marrjen zyrtarisht të qeverisjes, socialistët deklaronin dhe përbetoheshin se, “rendin dhe qetësinë do ta vendosim qysh 100 ditët e para të mandatit tonë të parë”. Por nga 16 shtatori 2013 deri sot, vendi dhe shqiptarët po përballen me një valë të egër krimi, duke regjistruar shifra alarmante të personave të vrarë e të plagosur. Sipas burimeve zyrtare rezulton se në 100 ditët e para të qeverisjes aktuale, janë vrarë 98 persona, dhe plagosur 67 të tjerë ( pa llogaritur të vrarët dhe plagosurit e aksidenteve), tamam si një bilanc lufte. Por natyrshëm çdo qytetar ashtu si edhe unë, pyesim, ku është policia, pse ajo vjen gjithmonë me vonesë në vendin e ngjarjes? Përse ecet ende me refrenin e paraardhësve se “krimineli iku në drejtimin e paditur”. Krimi duket sikur ka mbërthyer frikshëm cep më cep vendin, vrasjet për “hesape të vjetra”, apo “larje hesapesh”, sot janë kthyer në refreni kryesor i deklaratave të drejtorive të policive, dhe vetë Ministrisë së Brendshme. Sot vrasjet bëhen edhe për më të voglin shkak, për një gërvishtje makine, për humbje parash në bingo apo baste, për një shikim shtrembër, për pazare droge, për parkimin e gabuar, për t’i grabitur paratë kambistit, tregtarit, familjarit, pensionistit, firmave e kompanive, për ngacmime seksuale, etj., etj. Ky vend ka hyrë në një spirale të egër krimi dhe duket sikur edhe vetë shteti ka ulur kokën dhe ka kapitulluar përpara rrugaçit, grabitësit, vrasësit, e trafikantit. Policia e di mire se, në rrugët e qyteteve tona ka elementë kriminalë, që pavarësisht se janë “shpallur në kërkim”, lëvizin lirisht rrugëve të Tiranës dhe Durrësit. Ata do t’i gjesh në çdo vend ku ndodh krimi, kalojnë madje para syve të policëve, kryelartë, shpesh duke u përshëndetur edhe me dorë nga patrulla e gatshme. E përballë kësaj katrahure në të cilën po shkon rendi, qetësia dhe siguria e qytetarëve, qëndron “kryelartë për arritjet” stafi drejtues i Ministrisë Brendshme dhe Policisë Shtetit, duke dalë fill pas çdo krimi makabër e duke deklaruar se “forcat tona janë angazhuar seriozisht në identifikimin dhe kapjen e autorëve”. Prej 100 ditësh, policia mbledh vetëm gëzhojat, automjetet e braktisura dhe viktimat, ndërkohë që kriminelët vazhdojnë misionin e tyre e tallen duke lëvizur me xhama të zinj, e duke djegur makinat në lagjet periferike. Vetëm pak ditë më parë në qendër të Durrësit, në orën 11.35, në ditën me diell, dhe rrugët plot me njerëz, tre kriminelë, të veshur si gardistë, të pajisur me një fuoristradë me xhama të zinj dhe  me sinjal policie, rrahën dhe grabitën, pa ju dridhur qerpiku, 2 kambistë duke u marrë atyre plot 100 milionë lekë. Policia erdhi, rrethoi vendin me shirita, mblodhi gëzhojat, pyeti 2-3 shitës ambulantë, bëri disa matje, dhe iku. Pas nja 2 orësh, policia doli në deklaratë për shtyp duke deklaruar se “po punon intensivisht për gjetjen e autorëve”. E ndërsa policia kërkonte në Sukth, grabitësit qetë-qetë, ishin larguar jashtë Durrësit, duke i shpëtuar edhe postblloqeve drejt veriut. Diku larg ata kanë zbritur nga makina e tyre e re, e cila ishte vjedhur 3 muaj më parë, dhe pasi e braktisën në periferinë e Laçit, ikën në punën e tyre. Sërish policia vajti e mblodhi atë çfarë lanë grabitësit. Dhe historitë vazhdojnë, e njëjta skenë, të njëjtët njerëz me uniforma, deklarata për shtyp, premtime për kapje autorësh, frikë e ankth për qytetarët. Dhe pa u tharë akoma boja e njoftimit për shtyp për ngjarjen e Durrësit, gjëma ndodhi në Korçë, 4 të vrarë nga një familje, apo 2 të vrarë në Vlorë…. Kjo është situata më e keqe që shqiptarët po përjetojnë për rendin e qetësinë e tyre publike, duke i bërë ata më pesimistë se kurrë për të ardhmen e këtij vendi. Ata  shpesh shprehen se “Shqipëria nuk ka shanse të bëhet”, duke i bërë të mendohen dhe të vendosin të largohen diku larg, për një jetë më të mirë për fëmijët e tyre. Kjo pasi ata e shikojnë se krimi realisht ka gjunjëzuar shtetin, ka sfiduar ligjin, dhe po errëson të ardhmen e tyre në këtë vend.