Kreu i INUK: “Kam zbatuar vetëm ligjin, dhe do të vazhdoj ta bëj”

553
Sigal

Prokuroria lëshoi para dy ditësh urdhër-arresti për kryetarin e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Zyhdi Dajti. Ndaj zyrtarit të lartë mësohet se është ngritur akuza “shpërdorim detyre” për disa raste të tolerimit të ndërtimeve pa leje dhe shembjes së disa godinave të tjera që ishin të pajisura me dokumentacion. Kreu i INUK, Zyhdi Dajti është paraqitur dje në Komisariatin e Vlorës, aty ku dhënë dhe dëshminë e tij. Dajti deklaron se është njohur më lajmin për lëshimin e urdhër-arrestit të tij, vetëm nëpërmjet medias dhe më pas kanë qenë familjarët ata që ja kanë konfirmuar.  Në një deklaratë për mediat, kryeinspektori i INUK, Zyhdi Dajti thekson se gjatë gjithë kohës që ka shërbyer si zyrtar i shtetit ka zbatuar ligjin dhe ka nxitur qytetarët që të bëjnë të njëjtën gjë.

“Që unë kam zbatuar ligjin gjatë detyrës sime në krye të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, kjo nuk mund të vihet në dyshim. Sikundër askush nuk duhet të dyshojë në faktin se unë, që nga ky moment kur jam lajmëruar zyrtarisht nga Policia e Shtetit, do të zbatoj ligjin, do të paraqitem në institucionet përkatëse dhe do të ndjek rrugën ligjore për të vërtetuar pafajësinë time.”- thuhet në deklaratën e Dajtit.

Kryeinspektorit i INUK shprehet besimplotë se e vërteta shumë shpejt do të dalë në dritë.