Krerët e shtetit urojnë besimtarët bektashinj

545
Urimi i Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani për festën e Sulltan Novruzit
“Të dashur besimtarë bektashianë,Gëzuar festën e Sulltan Novruzit!
Tek ne dhe kudo në botë festën e bukur të Sulltan Novruzit e respektojnë dhe e festojnë jo vetëm besimtarët bektashianë por edhe plot të tjerë, prandaj: Gëzuar të gjithëve Sulltan Novruzin!
Sulltan Novruzi koinçidon me ngrohjen e motit pas dimrit të ftohtë, ardhjen e pranverës, zgjatjen e ditës, shkurtimin e natës, ringjalljen e natyrës, hovin e jetës, gjallërimin e trupit dhe të shpirtit, pra me gjithë të mirat për të cilat ka nevojë njeriu.
Sulltan Novruzi bart në thelbin e vet harmoninë ndërfetare. Lumnimi që kjo festë u shkakton njerëzve me besime të ndryshme, është prova, dhe vetë ne jemi dëshmitarët.
Sulltan Novruzi është një festë shumëfish e rëndësishme.
Të flasësh për Sulltan Novruzin dhe Bektashizmin do ishte tejet e mangët pa përmendur rolin e madh patriotik, rilindas, emancipues, qytetërues që bektashizmi, baballarët, teqetë dhe gjithçkaje tjetër që lidhet me ta. Mjaft të kujtosh se, jo vetëm gjatë periudhës diktatoriale, por në përgjithësi gjatë stuhive të kohërave, edhe pse jo të vetmit, bektashinjtë kanë qenë nga më të shquarit që i kanë dal zot e i kanë vënë shpatullat situatave nga më të vështirat për fatet tona historike, duke mos i lënë shqiptarët të ligështohen dhe Shqipërinë të vdesë.
Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, janë ende të gjalla kujtimet e gjyshërve tanë të cilët kishin mësuar shkrim e këndim Shqip nëpër teqe të shenjta që ishin shndërruar në shkolla dhe baballarë patriotë në mësues.
Me rastin e kësaj feste të mrekullueshme, me shpirt e me zemër, u uroj të gjithëve:
Mbarësi, mirëqenie, begati, mirëkuptim, pajtim, paqe, dashuri, shpresë!”
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, ka uruar të gjithë besimtarët bektashinj me rastin e Ditës së Sulltan Novruzit nga selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, ku u prit nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj.
Duke folur për mediat pas vizitës, Kryetari i Kuvendit u shpreh se kjo festë simbolizon ringjalljen, shpresën, ripërtëritjen dhe paqen. 
“Në këtë festë të veçantë të Sulltan Novruzit, në këtë festë që simbolizon ringjalljen, shpresën, ripërtëritjen dhe paqen, uroj të gjithë besimtarëve bektashi, por edhe të gjithë shqiptarëve, sepse këto festa janë të gjithëve, dhe kjo është veçoria por edhe krenaria jonë si shqiptarë kudo që ku jemi, më shumë qetësi dhe dashuri me njëri-tjetrin dhe në familjen e tyre”, – tha z. Meta.
I pyetur nga gazetarët lidhur me kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e dy deputetëve si edhe për deklaratën e znj. Topallit se mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin drejtoret vetëm nga Kryetari i Kuvendit, z. Meta u shpreh se “duhet më shumë qetësi dhe dashuri për të gjithë, përfshirë dhe znj. Topalli”.
Duke kujtuar 22 marsin e viti 1992 kryetari i opozitës Basha, tha se në ditën e demokracisë sërish shqiptarë gjenden përballë sfidës së krimit. Lidhur me qëndrimin e demokratëve për kërkesën e prokurorisë Basha tha se opozita është e qartë në kërkesën e saj.
“Dua të uroj të gjithë bektashinjtë Gëzuar ditën e “Sullatan Novruzit”! Gëzuar këtë ditë të shënuar të zotit! Në këtë ditë përkujtojmë edhe 24 vjetorin e fitores së demokracisë mbi Tiraninë dhe diktaturën. 24 vjetorin e fitores së lirisë së vlerave mbi antivlerat. Ashtu si shqiptarët u bashkuan për të hedhur poshtë diktaturën kështu sot të ndodhur përballë një sfide tjetër të madhe që është diktatura e krimit, të përbashkohemi të djathtë e të majtë kundër krimit në pushtet për një politikë të pastër nga krimi. Kundër varfërisë papunësisë, të cilat janë derivat i krimit në pushtet dhe pushtetit të veshur me krim. Me shqiptarët e bashkuar rreth kësaj kauze do ja dalim të ndërtojmë një Shqipëri me ekonomi të fortë dhe të ardhme të sigurt.”- tha Lulzim Basha.
Sigal