Korrupsioni, 130 nga 1300 dosjet e “ngrira” në 22 vite

1585
Sigal

Prej 22 vitesh, politikanët dhe shtetarët shqiptarë kanë patur dhe kanë si “simbol” korrupsionin, 1300 dosjet “VIP” të të cilëve janë “ngurosur” prej drejtësisë

Politika, qeverisja, media e shoqëria shqiptare janë përfshirë në një debat publik për hapjen e dosjeve të ish-spiunëve të sigurimit të shtetit. Ky debat, hapet e mbyllet prej 22 vjetësh. Por janë edhe disa dosje të “vulosur” që nuk po hapen prej 22 vjetësh janë dosjet e korrupsionit, të krimit ekonomik, të cilat kanë brenda tyre “personazh” qeveritarë, shtetarë e politikanë të tranzicionit 80% e të cilëve janë ende në krye e brenda partive politike, Janë shumë dosje të tilla krimesh ekonomike. Ato janë hapur e janë mbyllur pa ”autorë”, ose pa “subjekt krimi”. Për hapjen e këtyre “dosjeve të zeza” ekonomike-financiare edhe pse kanë firma e vula, kanë urdhra e vendime zyrtarësh e qeveritarësh konkretë që kanë abuzuar e kanë vjedhur duke shfrytëzuar postet e detyrat, asnjë nga shtetarët e politikanët nuk ka shkuar në pranga  si autorë krimi ekonomik, 90% e tyre as janë thirrur fare nga drejtësia. Ndaj dhe asnjë nuk flet për hapjen e këtyre dosjeve, përveçse në rastet e debateve false në parlament e media, kur nxjerrin “lakrat” e njeri-tjetrit. Pa asnjë koment, po nisim të publikojmë sot një “dosje” me 130 dosje, nga 1300 dosjet e mbyllura të korrupsionit të këtyre 22 viteve,duke filluar me dosjet e korrupsionit të qeverisjeve të viteve 1992-2005…

Ja 30 nga 200 dosjet e “ngrira”, të korrupsionit në vitet 1992-1997

1. Dosja “Kooperativat”, lidhet me fatin e pasurive të ish-kooperativave, shpallur në qershor 1992, me dekret prej ish-Presidentit Sali Berisha.

2. Dosja e skandalit bankar shqiptar me emrin “Arsidi”, shkaktuar me financat shqiptare prej Nikola Arsidit, mik i Sali Berishës dhe dekoruar prej tij pas skandalit.

3. Dosja “Letrat me vlerë”, lidhet me skemën mafioze për të privatizuar 917 ndërmarrje me blerje me 2% të vlerës së tyre, duke  u zhvlerësuar më parë vlerën.

4. Dosja “Verifikimi”, lidhet me mos zbardhjen e emrave të “kompetentëve” qeveritarë, që krijuan e vodhën miliarda 11 firmat piramidale.

5. Dosja “Iliria Holding” e ish-këshilltarit të Sali Berishës (President) Hajdin Sejdia, të që instaloi firmën e parë piramidale në Shqipëri në vitin 1992, mashtroi kreditorët shqiptarë dhe u arratis me ndihëm e shtetit.

6. Dosja “Kaloshi”, lidhet me vrasjen e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Bujar Xhevdet Kaloshi, për të cilën u hesht.

7. Dosja “Druri Arrës”, me personazh ish-Ministrin e Financë-Ekonomisë Genc Ruli, të bujqësisë Rexhep Uka, të Bashkëpunimit-Ekonomisë me Jashtë, Artan Hoxha.

8. Dosja “Fajdexhiu”, akuzohet Presidenca për futje me “fajde” të 500 milion lekëve të reja tek firmat “SUDE”, VEFA”, “Xhaferri”, pa i pasqyruar në buxhetin e presidencës.

9. Dosja “Shqiponja” lidhet me firmën e PD, licensuar për tregti ushqimesh e veshjesh por që zhvillonte kontrabandë karburantesh, hekuri e armësh me Serbinë dhe Rusinë.

10. Dosja “Progresi”, firmë tregtare e PS, licensuar për blerje letër gazete, por bënte kontrabandë kafeje, cigare, pije alkoolike, pajisje elektro-shtëpiake e automjetesh.

11. Dosja “Kreditimi”, lidhet me dhënien e 176 mijë kredive në vitet 1992-1996 me urdhër të Ministrit të Financave Genc Ruli, nga 3.5 në 100 milionë lekë të reja.

12. Dosja “Ethet hemoragjike”, që lidhet me vlerën 4.2 milion dollarë, menaxhuar me letra false prej Ministrisë së Shëndetësisë në vitet 1994-1995, në bashkëpunim me një fondacion gjerman fantazmë.

13. Dosja e “Traktori”, lidhet me 712 traktorë me goma të bujqësisë, blerë dhe ardhur ndihmë nga qeveria Gjermane në vitin 1993, por “zhdukur” me letra false, sikur ishin dhënë me kredi prej Bankës Bujqësore.

14. Dosja “Karburanti”, fsheh skandalin prej 15 milion dollarë të Ministrisë së Bujqësisë me financimin e Organizatës Botërore të Bujqësisë, nëpërmjet projektit rajonal të të furnizimit të fermerëve me karburante falas.

15. Dosja “Ital-Druri”, që lidhet me shitjen e ish-Ndërmarrjes së Përpunim Drurit në Elbasan e cila nuk arkëtoi vlerën e blerjes prej 318 mijë dollarë dhe 107 mijë dollarë detyrime fiskale për 4 vite aktivitet e u largua duke e rishitur ndërmarrjen pjesë-pjesë.

16. Dosja “Poliomeliti”, për skandalin e vaksinës anonime 6.5 milion dollarë, përdorur për shqiptarët në vitin 1995, duke sajuar gjoja rënien e sëmundjes së ““Poliomelitit”.

17. Dosja “Toka”, lidhet me “zhdukjen” nga inventari zyrtar i kadastrës bujqësore, të 43 mijë hektarëve tokë në Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Lushnjë, Lezhë, përvetësuar me letra e tapi false nga shtetarë e ish-shtetarë, si ish- banorë fshati e fermash dhe me privatizime me akte pronësie si “tokë babe”.

18. Dosja “Superfosfati” lidhet me dhënien falas të uzinës së Superfosfatit në Laç, firmës franceze “Evertvait” e cila bënte letra false për eksport-importe plehrash kimike, sikur i prodhonte në Laç, duke vjedhur nga shteti 27.2 milion dollarë.

19. Dosja “Azotiku”, vjedhja me gjoja “skadencë” e 14.5 milion dollarë produkt të gatshëm plehrash kimike dhe shitja e tyre në tregun e zi fermerëve me “vulën” e Ministrisë së Bujqësisë.

20. Dosja “Ndërmarrja Kimike”, lidhet me vjedhjen e 15 milion dollarëve produkte e pajisje të Ndërmarrjes Kimike në Tiranë dhe shitja e objektit me 11% të vlerës reale.

21. Dosja “Kontrabanda e naftës me Serbinë”, që ka lidhje me kontrabandën që bëri shteti shqiptar në vitet 1992-1995 me Serbinë, duke shkelur embargon e NATO.

 22. Dosja “Sindikata”, që fsheh krimin e vjedhjes së 300 milion dollarëve prona fizike të shitura e të falura të sindikatave dhe 9 milion dollarë të ardhura prej qirave të tyre.

23. Dosja “Memaliaj-Puset”, ku fshihet vjedhja prej 950 mijë dollarë, për gjoja vulosjen mbrojtëse teknologjike të puseve Nr. 5-6 të minierës së qymyrit Memaliaj, kur në fakt, u përdorën vetëm 30 milion lekë të reja zhavorr lumi.

24. Dosja “KURUM”, që fsheh veprimet mafioze të qeverisë shqiptare dhe mafies turke për shit-blerjen në vitin 1994, të sipërfaqes fabrika e uzina prej 219 mijë e 410 m2 në kombinatin metalurgjik dhe dosja e falsifikuar e treguesve të ndotjes prej prodhimeve të “KURUM”.

25. Dosja “Teli”, lidhet me shitjen e objekteve të Uzinës së Telave-Shkodër, me 9% të vlerës reale dhe zhdukja e 71 milion dollarëve makineri, pajisje e prodhim i gatshëm.

26. Dosja “Valiasi”, lidhet me vjedhjen në minierën Valias të 204 milion dollarë pajisjeve, kullave e vagonëve për skrap dhe 60 milion dollarë pajisje të reja elektroteknike importi e mallra.

27. Dosja “Amnistia”, që lidhet me faljen e dekretuar në maj 1997 prej ish-presidentit Sali Berisha për personat e përfshirë në vjedhjet e bankave gjatë vitit 1997.

28. Dosja “Korridori 8”, që lidhet me pazaret e bëra në prill të vitit 1996, prej shtetit shqiptar me shtetin grek në këmbim të 3 milion dollarëve dhuratë, për të spostuar kalimin e tij nga Shqipëria nëpër veri-lindjen e Greqisë.

29. Dosja “Tekstilisti”, lidhet me zhdukjen në dhjetor 1996, të 3.2 milion metër linear prodhime tekstili dhe zhdukja e 1.2 milion dollarëve, të ardhura prej shitjeve.

30. Dosja “Kufiri”, lidhet me 5 milion dollar të akorduar nga qeveria greke për modernizmin e kufirit nga ana shqiptare, por që u zhdukën pa “nishan”.

Ja 50 nga 500 dosjet e “ngrira”, të korrupsionit në vitet 1997-2005

1. Dosja “Piramida”, lidhet heshtjen për 4.2 milion dollarë të “VEFA” dhe 30 milion dollarë të “CENAJ”, marrë në qershor 1996 prej një shtetasi grek me emrin Apostolo Vavilis (Apostolo Kavaleras në pasaportë), paraqitur si president i firmës “Elfrone Development LTD”.

2. Dosja “Hermes”, lidhet me impulset që “ALBTELECOM” i shiste firmës “Hermes” për tregti me shërbim telefonik rural, me çmim 0.5 lekë/minutë, nga 4 lekë/minutë që ishte tarifa zyrtare e shitjes.

3. Dosja “Arapi”, që lidhet me kreun e mbikëqyrjes së firmave piramidale Farudin Arapi, akuzur me prova, si përfitues i 1.2 milion dollarëve nga llogaritë e firmave piramidale, së bashku me motrën e tij, Pranvera Arapi.

4. Dosja “Privatizimi”, që lidhet me skenarin anti-ligjor të procedurës së shitjes së fabrikës “Birra-Tirana”, hartuar dosja prej ish-Ministrit të Ekonomisë, Ylli Bufi.

5. Dosja “Trafiku-SHIK”, lidhet me trafikun e armëve e municioneve në kanale private në Kosovë, organizuar prej SHIK në vlerën 150 milion dollarë.

6. Dosja “Bleta”, lidhet me akuzën ndaj ish-kryedoganierit Gëzim Bleta, për abuzimin me 600 mijë dollarë dhe zhdukjen e tyre nga të ardhurat e doganave.

7. Dosja “Taksa”, lidhet me zhdukjen nga llogaria bankare shtetërore, të 550 mijë dollarëve të “Taksës së Solidaritetit të Policisë”, mbledhur në pikat e kalimit të kufirit.

8. Dosja “Karta”, lidhet me përdorjen e 600 milion lekëve të reja të TELECOM, për blerje-shitje kartash telefonike në tregun e zi dhe zhdukja e lekëve që u përdorën.

9. Dosja “Punësimi”, lidhet me zhdukjen e 500 milion lekë të reja donacione në Ministrinë e Punës akorduar nga ILO për politikat e nxitjes së punësimit në Shqipëri.

10. Dosja “Vagoni” në Hekurudhë, që lidhet me blerjen e vagonëve hekurudhorë austriakë  jashtë përdorimit, në vlerën 250 mijë dollar copa.

11. Dosja “Tenderi”, lidhet me firmosjen prej ish-Ministrit të Transporteve Gaqo Apostoli, 48 orë pas shkarkimit nga posti i ministrit, të gjoja zhvillimit të tenderit dhe kryerjes së punëve për 8 tendera në rrugë dytësore, me vlerë 1.9 milion dollarë.

12. Dosja “Vaji”, lidhet me skandalin në Portin e Durrësit ku u vodhën 200 mijë ton grurë dhe 100 mijë ton vaj ushqimor ndihmë e Shtetit Amerikan dhe futja e tij privatisht në treg, për të cilin Ministria e Bujqësisë deklaroi se: “U hodh në det, ishte i skaduar”.

13. Dosja “Depozita”, lidhet me vendosjen e depozitave private të karburanteve brenda territorit të Portit Durrës, të implikuar 3 ministra që përfituan 28 milion dollarë.

14. Dosja “Solis”, lidhet me ish-Ministrin e Shëndetësisë Leonard Solis, akuzuar me “letra” si kreu i tregtisë klandestine të 30 milion dollarë ilaçeve të skaduara, hedhur në tregun farmaceutik dhe në shërbimin spitalor shqiptar.

15. Dosja “Pallati”, lidhet me skandalin e ish-Ministrit të Arsimit Et’ hem Ruka, si zaptues i oborrit të Shkollës së Baletit, ku ndërtoi pa leje 1 pallat me 10 kate.

16. Dosja “Kantjeri”, lidhet me firmën polake “GDANSK” e cila u lejua t’i shiste firmës turke “KURUM” edhe kapitalet shqiptare në vlerën 10. 688.542, 20 USD e të largohej pa shlyer borxhin fiskal 11 milion dollarë dhe 1.2 milion dollarë paga, sigurime, energji. 17. Dosja “TELECOM”, lidhet me skenarin mafioz të privatizmit të “TELECOM”, duke u shitur me vlerë të paracaktuar të shitjes 600 milion lekë, ose sa të ardhurat financiare të 3 muajve punë rutinë të tij.

18. Dosja “Bundo”, lidhet me ish-Drejtorin e Drejtorisë së Zhvillimit e Turizmit Sherif Bundo, denoncuar nga ish-Ministri Arben Malaj për 9 milion dollarë abuzime nga arka e shtetit.

19. Dosja “Kablli”, lidhet me skandalin e vjedhjes prej drejtuesve të “TELECOM”, të 900 mijë dollarëve nga blerja fiktive e kabllove të rrjetit nëntokësor.

20. Dosja “Bitumi”, lidhet me një kontratë shfrytëzimi të minierës së Selenicës në Vlorë, pa detyrime fiskale për 30 vjet prej firmës franceze “KLP Selenicë-Bitum Sh. a.”, duke krijuar humbje 14 milion dollarë ndaj shtetit.

23. Dosja “Votimet”, lidhet me zhdukjen nga “letrat” e KQZ të 680 mijë dollarëve të akorduara nga shteti për mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 24 Qershorit 2001.

24. Dosja “Zhdukja”, lidhet me zhdukjen e “befasishme” në Bankën e Kursimeve të 185 milion dollarëve të ngurosura prej llogarive të firmave piramidale.

25. Dosja Cotaroil”, lidhet me financimin e jashtëligjshëm prej 2.2 milion dollarë, dhuruar firmës fantazmë australiane “Citaroil”, gjoja për rikonstruksionin e sektorit të shpim-kërkimit të naftës në Patos, firmë e cila pas 3 muajsh u zhduk nga Shqipëria.

26. Dosja “Libri”, lidhet me skandalin e tenderave të librit shkollor ku zbulohet se akordohet 40% fond limit më tepër se planifikimi.

27. Dosja “Orizi”, lidhet me akuzën ndaj ish-Ministrit të Mbrojtjes Luan Hajdaraga, për abuzime me blerjen e orizit dhe fasuleve për ushtrinë në vlerën 600 milion lekë të reja.

28. Dosja “Këpuca”, lidhet me skandalin e blerjes së 200 mijë palë këpucëve për ushtrinë, që rezultuan prodhim jashtë përdorimit si cilësi dhe vetëm me numra 35 e 55.

29. Dosja “Pyllëzimi”, lidhet me zhdukjen e 22 milion dollarë fondeve të akorduara për ripërtëritjen e pyjeve të zhdukura, zhduken fondet.

30. Dosja “Vetura”, lidhet me skandalin e blerjes nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare në “tregun e zi”, të 30 veturave të vjedhura në Itali, Gjermani e Austri, ish-Ministri Rendit Publik Spartak Poçi ndalohet në kufirin grek, me makinë zyrtare të vjedhur.

31. Dosja “Blerja”, lidhet me blerja prej Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare të 55 veturave të qeveritarëve, me çmim 10 herë më të larta se tregu i lirë i shitjes me pakicë.

32. Dosja “Zjarri”, lidhet me zhdukjen e 500 milion lekë fonde, akorduar nga qeveria për rikonstruksion fizik të zyrave të Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës, digjen zyrat qendrore.

33. Dosja “Fondet”, lidhet me zhdukjen e 750 mijë dollarëve, financuar nga PNUD për metodika kualifikuese për të zgjedhurit e pushtetit lokal, akuzohet ish-ministri Bashkim Fino, për delegim fondesh tek OJF-ja e motrës së ish-Zv/Ministrit Blendi Klosi.

34. Dosja “Pulla e Postës”, lidhet me abuzimin e 520 milion lekëve të reja, akorduar nga buxheti i shtetit për prodhimet filatelike në Ndërmarrjen e Postave Shqiptare.

35. Dosja “Floriri”, lidhet me grabitjen dhe vjedhjen e Thesarit të Shtetit në tunelin e Kërrabës në masën 367 kg ar, me vlerë 2.7 milionë euro.

36. Dosja “Tanku”, lidhet me nxjerrjen e 32 tankeve për shitje për skrap, por u shitën ilegalisht në gjendje pune në Serbi, në arkën e shtetit u paguan si “shitje skrapi” vetëm 18% e peshës fizike.

37. Dosja “Bashkëshortet”, lidhet me pagesat ilegale prej 1.2 milion lekësh të vjetra në muaj, që u jepen 37 bashkëshorteve të shtetarëve të lartë nga borderoja e  INSIG dhe ISSH dhe në 3 borde të tjera “Sha”, përveç pagave në institucionet ku ishin punësuar.

41. Dosja “Energjia”, lidhet me blerjen e energjisë elektrike nga KESH në import (Serbi e Greqi) me çmim 7 herë më të lartë se tregu real rajonal i shitjes së energjisë elektrike për blerës të tjerë, me abuzim 35 milion dollarë.

42. Dosja “Reklama-TVSH”, lidhet shkarkimin dhe marrjen nën hetim të drejtorit të TVSH E. Mazi, për vjedhjen e 800 milionë lekëve reklama televizive, nëpërmjet dosjeve të falsifikuara të shpenzimeve për gjoja aktivitete e investime

43. Dosja “Ndihmat”, lidhet me vjedhjen me letra të falsifikuara shpërndarje të 650 milion lekë ndihma ushqimore e veshje dhe 346 ruleta strehimi të ardhura ndihmë nga UNHCR për kosovarët, por që u shitën në tregun privat dhe si kioska tregu.

44. Dosja “Liqeni”, lidhet me hapjen e digës së Liqenit Artificial të Tiranës, prej të cilës u përmbytën Nga zona  “Petro Nini”, deri tek Stacioni i fundit i “Tirana e Re”.

45. Dosja “Klosi”, lidhet me denoncimin e bërë nga ish-kryeministri Fatos Nano, për abuzimin me 600 milion lekë reja, prej ish-kreut të SHISH Fatos Klosi, në lidhje me shpërblime klienteliste e false të agjentëve të SHIK.

47. Dosja “KESH”, lidhet me vlerën e tenderit 3.9 milion dollarë në KESH, që rezultoi se nuk ishte zhvilluar, por vlera ishte pasqyruar si “blerje energjie elektrike dhe pajisje emergjence”

48. Dosja “Valuta”, lidhet me 800 milion lekë të “TELECOM”, futur 3 vjet ilegalisht në “tregun e zi” të këmbimit valutor për përfitime personale prej drejtuesve dhe deklarimi I “humbjes së tyre në treg”.

49. Dosja “Lekë false”, lidhet me  transaksionin financiar prej Bankës së Kursimeve, në arkën e të cilës ishin në qarkullim 1.1 miliardë lekë prerje 100 e 500 lekëshe false.

50. Dosja “BKT”, lidhet me skandalin e procedurave të privatizimit dhe shitjes me ZERO lekë të kësaj banke kompanisë turke “ÇALIK”, që ka blerë edhe “TELECOM” , “Eagle Mobil” e shumë kompani shërbimi e prodhimi në Shqipëri