Korça siguron 65% të frutave për gjithë vendin

1563
Korçë – Të ardhurat nga molla, 15 deri 20 000 dollarë në vit, ose dhjetë herë më tepër nga gruri dhe kulturat e tjera bujqësore, kanë nxitur fermerët korçarë, që të rritin nga viti në vit sipërfaqet e mbjella me drufrutorë. Vetëm në gjashtë vitet e fundit, ve në dukje për gazetën “Telegraf”, specialistët e frutikulturës në Drejtori Rajonal i Qarkut Korçë, na thanë se janë shtuar mbi 700 ha pemëtore të reja, kryesisht mollë dhe prodhimi i saj, ka arritur 40 000 ton në vit, e barabartë me 65 për qind të prodhimit të frutave në vend. Rol të veçantë në shtimin e pemëtarisë, kanë luajtur skemat mbështetëse për financimin e fermerëve nga ana e qeverisë, me mbi 200 mijë lekë të reja, të cilat i kanë përfituar në formë granti, rreth 1500 fermerë. Edhe këtë vit prodhimi i mollës paraqitet mjaft i mbarë dhe deri tani nga të dhënat e tregut të shumicës. Në Korçë është kontraktuar për t`u shitur më tepër se gjysma e tij dhe cilësia ka bërë, jo vetëm shitjen me çmim më të lartë se vitet e tjera, (50 -70 lek/ kg. drejtpërdrejt nga ferma), por molla e Korçës, vazhdon të tërhiqet nga tregu i huaj, duke i rritur ndjeshëm të ardhurat nga eksporti i saj. Natyrisht përpos faktorëve të shumtë, që kanë rritur sasinë e cilësinë e mollës, Prof. As. Dr. Niko Roshanji, në Universitetin “Fan Noli” të Korçës, veçon prodhimin e fidanëve të certifikuar, në përputhje me udhëzimin Nr. 106 & 107 të MBUMK, në zbatim të Ligjit Nr. 8732, dt. 24.01.2001 “Për materialin mbjellës bimor”. Zhvillimi i vrullshëm i pemëtarisë, thekson Niko Roshanji, është rritja e sipërfaqes dhe e numrit të bimëve për hektar, si dhe plotësimi i numrit të bimëve në pemëtoret ekzistuese, nuk mund të bëhet realitet pa vënë mbi baza të drejta shkencore, teknike e organizative fidanishtet frutore. Siç tregon edhe përvoja bashkëkohore, sigurimi i fidanëve, në sasi dhe cilësi, në përputhje me standardet në fuqi, është kusht vendimtar për të sotmen dhe të ardhmen e pemëtarisë. Në Korçë, sot ka 1500 ferma të specializuar për prodhimin e mollës dhe të dhënat e Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, bëjnë fjalë për një prodhim prej 350 000 fidanësh frutorë në vit. Këtu në fidanishte, thotë Petrit Mekolli, i cili prodhon në Vranisht të Devollit rreth 30 000 fidanë frutorë në vit, fillon dhe përfundon puna e madhe dhe e vështirë e sigurimit të materialit gjenetik për pemëtoret, hidhen themelet për një pemë të shëndetshme, prodhimtare dhe jetëgjatë. Fidanishtet sipas përvojës së prodhuesve të fidanëve në rajonin e Korçës, si në Zëmblak, Dvoran, Zdërvaskë, Pogradec etj, karakterizohen nga prodhim shumë intensive, me shpenzime të mëdha të punës së gjallë dhe të materializuar, por që justifikojnë këtë aktivitet nga pikëpamja e fitimit neto. Për këtë, ata përpiqen t’i përgjigjen kërkesave të fermerëve, të cilët synojnë në shtimin e kultivarëve më të mirë, që pëlqehen nga tregu i brendshëm dhe i jashtëm, në prodhimin e fidanëve frutorë mbi nënshartesa vegjetative, domosdoshmëri kjo për rritjen e numrit të bimëve për hektar dhe rendimentit për njësi të sipërfaqes. Gjithashtu, në kuadrin e strategjisë së qeverisë për shtimin e arroreve, nuk është hequr dorë edhe nga prodhimi i fidanëve me nënshartesa farore, të domosdoshëm për të krijuar pemëtore në kodra me taban të cekët, me mundësi të kufizuara për ujitje, ose pa ujitje, ku fermerët mendojnë se pemëtaria, është një nga bizneset më fitimprurëse të fermerëve në qarkun e Korçës.
Sigal