Komuniteti Rom dhe Egjiptian në Shqipëri – 25 vite mes injorimit, dëbimeve dhe mjerimit

2305
Sigal

Nga Brejdon Xhavara

Qeveria dhe Bashkitë shqiptare nuk i kanë parë
asnjëherë komunitetet Rome dhe Egjiptiane si shtetas shqiptarë, por si ilegal,
të huaj në Republikën e Shqipërisë. Duke mos pasur eksperiencën dhe praktikat
ndërkombëtare, gjithmonë kanë vepruar në dëm të këtyre grupeve vulnerabël, ku
të shumta kanë qenë dëbimet me dhunë të tyre. Kjo histori mbetet e njëjtë edhe
në ditët e sotme.

Kështu dëbimi i Romëve në Stacionin e Trenit nuk ka
qenë risi pasi ka ndodhur dhe herë të tjera. Këtu mund ti referohemi
 ngjarjeve të ndodhur anë 2005 në ish-kombinatin ushqimor, që u shoqëruan
me vrasjen e të riut Dritan Hashiu 22 vjeç. Në atë rast veproi mafia e pronave
që kërkoi të ndërtoheshin pallate në zonë, duke mos munguar në çështje edhe
angazhimi i policisë Bashkiake. Pa paralajmërim në komunitet fadroma i
shkatërroi shtëpitë. Të nesërmen erdhi Policia dhe Dritani rezistoi më shumë
nga të tjerët dhe shoqërohet në komisariat. Policia e kishte dehur në masë
ekstreme saqë ekspertiza e nxori sikur kishte vdekur nga alkoli dhe jo nga
dhuna e ushtruar nga policia. Dritani kurrë nuk pinte.

Më pas historia e dëbimit vazhdoi në Hotel Mokra në
Pogradec ku 15 familje kishin mbi 40 vjet që qëndronin në atë vend. Por
papritmas asaj toke i doli pronari dhe familjet që jetonin atje prej dekadash u
dëbuan pa asnjë dëmshpërblim dhe alternative tjetër. Për ta mbyllur këtë
histori, institucionet vendore i dërguan në një tunel ku më parë përdorej për
lëndë kimike. Kjo situatë paraqet rrezikshmëri për fëmijët dhe të rriturit.

Ndërkohë në zonën e  stacionit të trenit në
vitin 2011, 37 familje Rome kishin mbi 15 vjet që banonin me Baraka. Duke qenë
se historia e dëbimeve ishte bërë normale, një grup mercenaresh të paguar nga
institucionet vendore dhe me arme erdhën pa paralajmërim dhe dogjën gjithë barakat.
Familjet me ndihmën e Avokatit të Popullit gjetën një tokë private por pasi
disa kohësh nga pamundësia financiare banorët u detyruan të largoheshin duke
shkuar tek e vetmja mundësi që i përkrahte, Avokati  Popullit. Këta të
fundit duke u sensibilizuar me banorët bënë një gjest human të madh duke i
strehuar në ambientet e Institucionit të AP.

Në muajin Korrik 2014, në qytetin e Elbasanit u
zhvillua një ngjarje, e cila rrezikoi që të kthehej në një ndodhi të dhimbshme
për disa familje rome pranë stadiumit të qytetit. Inspektorati Urbanistik
Ndërtimor Vendor u kërkoi që brenda pesë ditëve të lironin banesat për shkak të
nisjes së punimeve për rikonstruksionin e stadiumit dhe zgjerimit të rrugës.
Procesi i legalizimit, nisur prej vitesh nga këto familje, nuk u konsiderua i
vlefshëm nga ana e Inspektoratit, i cili vendosi afatin më të shkurtër ligjor
për largimin e tyre.

Qendra Res Publica, përfaqësuese ligjore e
familjeve, në datat 4 dhe 21 korrik depozitoi pranë Komitetit të të Drejtave të
Njeriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara kërkesën për pezullim nga ana e
qeverisë shqiptare të vendimit të dëbimit. Komiteti pranoi kërkesat dhe i
komunikoi qeverisë shqiptare masën e ndërmjetme mbrojtëse, për pezullimin e
dëbimit të çdo familje nga banesat e tyre.

Po në të njëjtin vit pra në 2014 në zonës e Selitës u shfaq në mënyrë zyrtare Qeveria
Shqiptare e cila do ndërtonte unazën e madhe, por aty jetonin mbi 60 familje
rome dhe jo rome të cilat prekeshin drejtpërdrejt nga unaza. Në këtë hark kohor
janë dërguar me qindra kërkesa, peticione, protesta, takime me institucionet
ndërkombëtare dhe Qeveria bashkë me institucionet nuk reagonte por i injoronte.
Disa prej familjeve nga mazhoranca përfituan dëmshpërblim pasi kishin të njohur
në administratë ndërsa Romët jo pasi nuk kishin miq dhe shtëpitë e tyre u
prishën duke i dhenë 2 vite qira të subvencionuar dhe duke i harruar. Në muajin
Mars të vitit 2017 mbaron kontrata e 2 viteve qira dhe banorët janë tepër të
shqetësuar se cfarë do ndodhi me jetën e tyre.

Në vitin 2015 jemi njohur me rastin e 60 familjeve
Rome që jetonin në zonës e Bregut të Lumit prej 25 vitesh. Debatet me Bashkinë
Tiranë kanë qenë të vazhdueshme nga ana e banorëve dhe aktivistëve pasi nuk
kishte asnjë plan konkret për banorët. Nisi me shumë kërkesa, peticione e
protesta ky dëbim. Standard shkruan se përfaqësues nga Bashkia Tiranë shkonin
në familjet Rome dhe Egjiptiane me një letër ku kërkonin të firmosej, por
banorët nuk dinin të lexonin dhe sipas aktivistëve në letër shkruhej që banorët
të largoheshin me dëshirën e tyre nga vendbanimet.

Banorët kërkuan një tokë ku të ndërtonin shtëpitë e
tyre. Pas shumë takimesh me Bashkinë, u gjet një tokë e përshtatshme për 60
familje që jetonin në Bregun e Lumit. Bashkia kishte gjetur një tokë në
Lana-Bregas por me ardhjen e dimrit, koha filloi të përkeqësohej dhe reshjet
shkaktuan përmbytje në atë zonë. Disa prej barakave u shkatërruan dhe për një
javë banorët u strehuan tek një palestër shkolle. Deri sa situata u rregullua,
nisi evakuimi i 40 familje në një ndërmarrje pranë pallateve sociale ku Bashkia
iu ka vënë në dispozicion çadra.

Sot gjendja e banorëve në çadra është shumë
alarmante. Vetëm disa familjeve iu kanë dhënë soba për tu ngrohur ndërkohë që
dera kryesore nuk ekziston dhe natën është shumë ftohtë. Banorët prej disa
ditësh nuk kanë ushqime pasi Bashkia së fundmi me vendim ka nsiur të mbyllë punën individuale të kolektorëve. Kazanët
ishin e vetmja mundësi punësimi për të nxjerrë bukën e përditshme të këtij
komunitetit. Sipas Bashkisë Tiranë, banorët do qëndrojnë aty për rreth 6 muaj
deri sa të ndërtohen banesat e tyre në zonën e Lana Bregasit.