Kompensimi për energjinë nis që nga 2 shkurti

294

Rritja e çmimit të energjisë/ Udhëzimi: Ja si do të kompensohen shtresat në nevojë

Dokumentet për pensionistët, invalidët, familjet me ndihmë ekonomike dhe buxhetorët me rrogë nën 35 mijë lekë

Zbardhet udhëzimi mbi zbatimin e vendimit të qeverisë për kompensimin e shtresave në nevojë për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Udhëzimi zbardh dokumentacionin që duhet të paraqesë secila nga kategoritë e përcaktuara në vendim, për të përfituar kompensimin. Këshilli i Ministrave vendosi më datë 14 janar që të japë kompensim për familjet me ndihmë ekonomike, kryefamiljarët në pensione pleqërie e invaliditeti, familjet që kanë në përbërje persona me aftësi të kufizuara, të verbrit, paraplegjikët e tetraplegjikët dhe punonjësit buxhetorë me pagë nën 35 mijë lekë në muaj. Sipas këtij vendimi, janë plot 203 928 familje që do të marrin kompensim për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

KOMPENSIMI

Fatura e energjisë elektrike për përfituesit e këtij kompensimi do të jetë e njëjtë me faturën e konsumatorëve që nuk e përfitojnë këtë kompensim dhe vlera e saj do të shprehet me çmimin e ri të energjisë elektrike. Kompensimi për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, si rezultat i heqjes së fashës deri në 300 Kwh bëhet vetëm për një kontratë të energjisë elektrike dhe vetëm për një prej kategorive përfituese të përcaktuara në pikën 1 të vendimit: Familjet, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike, familjet, që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, të verbër dhe paraplegjikët e tetraplegjikët. Lista e hartuar nga administratori shoqëror, për këto kategori përfituese, miratohet nga Këshilli i Njësisë së Qeverisjes Vendore. Zyra e Financës e Njësisë së Qeverisjes Vendore e pasqyron pagesën e kompensimit për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike në një kolonë të veçantë krahas asaj të ndihmës ekonomike. Në rastet kur kompensimin e përfiton direkt personi me aftësi të kufizuar, pagesa pasqyrohet në një kolonë të veçantë në pagesën e kësaj kategorie. Zyra e Financës e Njësisë së Qeverisjes Vendore, ku po pilotohet skema e re e Ndihmës Ekonomike e pasqyron pagesën e kompensimit për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike në një bordero të veçantë. Në rastet kur kompensimin e përfiton direkt personi me aftësi të kufizuar, pagesa pasqyrohet në një kolonë të veçantë në pagesën e kësaj kategorie. Njësitë e Qeverisjes Vendore paraqesin kërkesat për fonde në Zyrat Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, të cilat pasi bëjnë verifikimet e nevojshme i dërgojnë këto kërkesa në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror. Procedurat e mëtejshme janë të njëjta me ato që zbatohen për fondet e ndihmës e ekonomike apo fondet për pagesat e aftësisë së kufizuar.

Familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike

1. Për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, administratori shoqëror i njësisë së qeverisjes vendore harton listën emërore të personave që përfitojnë këtë kompensim në përputhje me vendimin e qeverisë. Për përfitimin e këtij kompensimi, aplikuesi së bashku me deklaratën, sipas aneksit 1 bashkëlidhur këtij udhëzimi, duhet të paraqesë pranë administratorit shoqëror:

a) fotokopje të nënshkruar të kartës së identitetit; b) certifikatën familjare; c) fotokopje të librezës së energjisë elektrike që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara.

Personat me aftësi të kufizuara

2. Familjet, që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar së bashku me deklaratën sipas aneksit 1, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror:

a) fotokopje të nënshkruar të kartës së identitetit; b) certifikatën familjare që vërteton se personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar; c) për anëtarët madhorë të familjes vërtetimin nga Zyra e Punës që janë punëkërkues të papunë; d) fotokopje të librezës së energjisë elektrike që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara;

Të verbrit, paraplegjikët dhe tetraplegjikët

3. Të verbrit, paraplegjikët dhe tetraplegjikët së bashku me deklaratën sipas aneksit 1 duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror:

a) fotokopje të nënshkruar të kartës së identitetit; Fletorja Zyrtare Viti 2015 – Numri 17 Faqe|810 b) certifikatën familjare; c) fotokopje të librezës së lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror ose fotokopjen e vendimit të KMCAP-it / KMPV; e) fotokopje të librezës së energjisë elektrike që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara.

Kryefamiljarë që përfitojnë pension invaliditeti dhe pension pleqërie

1. Lista emërore e pensionistëve kryefamiljarë që përfitojnë pension pleqërie ose pension invaliditeti sipas pikave “b” dhe “c” të vendimit të mësipërm, që përfitojnë kompensimin e çmimit të energjisë elektrike për shkak të heqjes së fashës së konsumit deri në 300 KwH, përcaktohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe strukturat rajonale në varësi të tij, bazuar në deklaratën personale të përfituesit, sipas modelit bashkëlidhur. Së bashku me deklaratën sipas aneksit 2 bashkëlidhur, kryefamiljari pensionist/invalid duhet të paraqesë pranë agjencive lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit:

a) fotokopje të nënshkruar të kartës së identitetit; b) certifikatën familjare për invalidët; c) për anëtarët madhorë të familjes vërtetimin nga Zyra e Punës që janë punëkërkues të papunë. d) fotokopjen e librezës së energjisë elektrike që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara.

Kompensimi për pensionistët/invalidët te pagesa e pensioneve

ISSH-ja bazuar në listat e përfituesve harton pasqyrat përmbledhëse të kompensimeve, të detajuar sipas muajve për çdo drejtori rajonale në bazë qarqesh dhe paraqet kërkesën për fonde për financimin e pagesave pranë MMSR-së. Kompensimi për pensionistët/invalidët realizohet nga qendra e pagesës së pensioneve sipas gjenerimeve në portalin informatik të pagesave të pensioneve ose mbi bazën e urdhërpagesës së listuar, e cila përgatitet nga strukturat rajonale të ISSH-së. Dokumentimi i pagesës faktike të kompensimit bëhet në një listë pagesë të veçantë, e cila nënshkruhet nga përfituesi në emër të tij dhe nga qendra paguese/Posta Shqiptare sh.a.

Kompensimi nis nga 2 shkurti

Kompensimi i diferencës së çmimit të energjisë elektrike për shkak të heqjes së fashës së konsumit deri në 300 KwH, fillon nga data 1.2.2015 dhe i përgjigjet energjisë elektrike të shpenzuar nga data 1.1.2015. Me qëllim që gjenerimi dhe pagesa e kompensimeve në favor të përfituesve të kryhet pa krijuar shqetësime, fillimisht nga ISSH-ja, si dokumente që përcaktojnë të drejtën e përfitimit janë të vlefshme ato dokumente të cilat shërbejnë për dhënien e kompensimit sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 565, datë 9.8.2006 “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë, nga rritja e çmimit të energjisë elektrike”. Rideklarimi për efekt të përfitimit të kompensimit, sipas VKM nr. 8/2015 dhe vlerësimi i kushteve për vazhdimin e kompensimit do të bëhet brenda tre muajve nga fillimi i pagesave, duke bërë edhe sistemimin e efekteve financiare në rast të përfitimeve të padrejta. Përfituesit e rinj kualifikohen për përfitim vetëm pas deklarimit dhe dorëzimit të dokumenteve të përcaktuara në pikën 1 të këtij kreu. Në këto raste, e drejta e përfitimit të kompensimit fillon nga data 1.2.2015, por me kushtin që deklarimi të jetë bërë brenda datës 27.4.2015. Në raste të tjera, e drejta e kompensimit do të fillojë nga muaji që bëhet deklarimi dhe dorëzohen dokumentet.

Buxhetorët me pagë nën 35 mijë lekë

Përcaktimi i përfituesve do të bëhet nga institucionet përkatëse buxhetore ku përfituesit marrin pagën bruto nën 35 mijë lekë. Institucionet buxhetore për punonjësit në institucionet buxhetore japin dhe përballojnë kompensimin për punonjësit e tyre dhe i përballojnë nga fondet buxhetore të miratuara për institucionin e tyre. Në fillim të procesit të përcaktimit të përfituesve dhe sa herë që ndryshojnë kushtet për përfitim, personat përfitues të këtij kompensimi së bashku me deklaratën personale duhet të paraqesin pranë strukturës përkatëse të burimeve njerëzore:

a) fotokopje të nënshkruar të kartës së identitetit; b) certifikatën familjare që vërteton se punonjësi buxhetor është kryefamiljar; c) për anëtarët madhorë të familjes vërtetimin nga Zyra e Punës që janë punëkërkues të papunë; d) fotokopjen e librezës së energjisë elektrike që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara.

Ledjana Saliu

Masa e kompensimit është 648 lekë në muaj

• Kompensim do të përfitojnë 203.928 familje

• Familje me ndihmë ekonomike 88.094

• Kryefamiljarë në pensione pleqërie e invaliditeti 80.000

• Familje që kanë në përbërje PAK 7000

• Të verbër (sipas VKM nr. 404, datë 20.6.2012) 13.016

• Para e tetraplegjikë (sipas VKM nr. 404, datë 20.6.2012) 6818

• Punonjës buxhetorë me pagë nën 35 mijë lekë në muaj 9000