A duhet të hyjë në burg administratori i Albtelekom?

511
Sigal

Centralet telefonike të Albtelekom kanë “pushtuar” Tiranën. Ligji i ri për ndërtimet pa leje, të veprojë edhe për turqit 

Albtelekom ka “pushtuar” Tiranën, duke rikthyer në vëmendjen e qytetarëve shqiptarë edhe një herë fenomenin “kioskë”. Pothuaj çdo rrugë, rrugicë apo trotuar në metropolin shqiptar është pushtuar nga centralet e telefonisë fikse. Centralet e Albtelekom gjenden kudo: në rrugë, në trotuar, në qendra shëndetësore, në qendra banimi, pranë shkollave, etj.. Infrastruktura e dobët në qytetin e Tiranës krijon probleme në vetvete përsa i përket rrugëtimit të çdo qytetari. Trotuare të ngushta, apo, mungesa fare e tyre, më shumë probleme krijon për këmbësorët, të cilët, me gjithë këtë trafik të rënduar, rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë. Por trotuaret ngushtohen akoma më tepër nga centralet telefonike të Albtelekom, e sidomos në zonat që janë më tepër të populluara, apo më shumë akoma, në qendra shëndetësore dhe nëpër shkolla. Nuk dihet nëse janë me leje, apo janë “legalizuar” më pas, apo janë pa leje fare (të hetojnë institucionet përkatëse) por, edhe në janë me leje, është njësoj sikur një pallat shumëkatësh të ndërtohet (me leje) në mes të rrugës. Jemi vendi që kemi vuajtur më shumë nga kioskat, ndaj fenomeni i rishfaqur prej Albtelekom, meriton të shihet me sy kritik nga institucionet përkatëse. A mos ndoshta ligji i ri për ndërtimet pa leje duhet të veprojë edhe për këto centrale telefonike? A duhet të burgoset administratori i Albtelekom që zapton “pa leje” hapësirat publike? Sigurisht, që centrale të tilla duhet të plotësojnë disa kushte e kritere të caktuara për t’u vendosur diku dhe duhet të jetë pushteti vendor ai, i cili duhet të përgjigjet për të dhënë lejen e montimit apo ndërtimit të këtyre centraleve të vegjël. Dhe në rast se autoriteti vendor nuk vepron, a duhet të veprojë KKRT-ja? Kemi të bëjmë me vende publike të cilat janë në dobi të komunitetit dhe mirëmbahen me taksat tona. Qytetari shqiptar s’mund të paguajë “për të thyer qafën” si shkak i anadollizmit të Albtelekomit.

Centralet, burim aksidentesh automobilistike

Aksidente të shpeshta automobilistike ndodhin për shkak të centraleve telefonike të Albtelekomit në kryqëzimet e “Komunës së Parisit” dhe Selitës. Këto aksidente përpos se rrezikojnë jetën e drejtuesve të automjeteve apo të afërmve të tyre që ndodhen me të, sjell rrezikimin serioz të jetës së këmbësorëve në trotuar. Tanimë as trotuaret nuk janë të sigurt. Prindërit frikësohen për fëmijët e tyre. Fëmijët frikësohen për prindërit e tyre të moshuar. Nuk funksionojnë më rregullat për trotuaret. Dikur prindërit i këshillonin fëmijët e tyre të ecnin trotuareve për të mos rrezikuar jetën e tyre. Por, asnjë s’është më i sigurt, duke ecur në trotuaret e ngushtuara nga centralet e Albtelekom. Por, sa herë ndodhin të tilla aksidente, asnjë reagim nuk vjen nga kompania telefonike Albtelekom, as nga bashkia, as nga AKEP. Albtelekom me veprimet apo mosveprimet e tij, përveçse zhvat hapura konsumatorin shqiptar, rrezikon çdo ditë jetën e këmbësorëve, por edhe të drejtuesve të automjeteve. Dhe këtë e bën me “bekimin” e institucioneve shtetërore, të cilat kanë funksionin e vetëm, zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e jetës së qytetarit të vet.

Centrale afër shkollave

Centralet nuk mungojnë as në ambientet e shkollave të mesme dhe 9-vjeçare të Tiranës, duke ngushtuar shumë hapësirat e kalimit të nxënësve. Është e pafalshme heshtja e dikastereve përkatëse përballë këtij fenomeni. Dhe në këtë rast, përpos dikastereve të tjera, edhe ministria e Arsimit duhet të flasë dhe jo të bëjë sikur nuk e sheh këtë fenomen të shëmtuar. Ndërsa flasin me njëri-tjetrin, apo nxitojnë të kapin orën e mësimit, shpesh, nxënësve u qëllon të përplasen me këto centrale të Albtelekom, që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut. Bllokimi i trotuareve dhe mungesa e vëmendjes shtetërore rrezikon çdo ditë jetën e tyre. Prindërit i çojnë fëmijët në shkolla për të mësuar dhe jo për të rrezikuar jetën e tyre.

Centrale afër qendrave shëndetësore

Edhe qendrat shëndetësore nuk i kanë shpëtuar këtij fenomeni. Për të shkuar në Poliklinikën Qendrore në Tiranë, apo siç quhet ndryshe Poliklinika e Specialiteteve, duhet të kalosh skiç, pasi hapësira ndërmjet murit dhe centralit të Albtelekom është shumë e ngushtë. Është si të hysh në vrimën e gjilpërës. E njerëzit që i drejtohen poliklinikës kanë hall sëmundjeje, ndaj shpesh për të shpejtuar kalojnë në rrugë, se jo të gjithë janë aq të “hollë” sa të kalojnë në atë shteg të ngushtë. Por, kur trotuaret janë kaq të pasigurta, si duhet të jenë rrugët e Tiranës? Këto qendra shëndetësore janë në funksion të të sëmurëve dhe jo të viktimave të Albtelekomit.

Estetika anadollake e kryeqytetit

Centralet e Albtelekomit përveçse sjellin problematikat e mësipërme, shëmtojnë edhe pamjen e qyteteve tona, e sidomos kryeqytetin. Sjellja anadollake e Albtelekom prish estetikën e kryeqytetit tonë dhe askush nuk thotë gjë… Askush nuk reagon… Si rrjeti shpërndarës, i cili kalon mbi kokat tona si rrjetë merimangash, ashtu dhe kioskat-centrale të Albtelekom e kanë kthyer Tiranën në një qytet të shëmtuar dhe të pasigurt. Shteti dhe fuqia e ligjit duhet t’i japë fund një herë e mirë kësaj situate kaotike dhe të papërgjegjshme të Albtelekom.

Albtelekom, i mbështetur politikisht

Monopolizimi, papërgjegjshmëria e enteve rregullatore, mungesa e shtetit, “i japin të drejtë” Albtelekomit të marrë nëpër këmbë konsumatorin shqiptar. Edhe pse kjo kompani i ka të gjitha kapacitetet për të dhënë një shërbim në standardet e duhura, konsumatori nuk gjen dot zgjidhje për problematikat që has gjatë rrugës së bashkëpunimit me Albtelekom. Indiferenca e shtetit në mbrojtje të qytetarit të tij, për shkak të lidhjeve që Albtelekom ka me qarqe të larta të politikës shqiptare, bën që kjo kompani të mbushë e qetë “thasët” me para dhe t’i eksportojë te kompania mëmë. Zhvatja e konsumatorit shqiptar, pa i ofruar një shërbim dinjitoz, është alfa dhe omega e kompanisë Albtelekom.

Ledjana Saliu