KLSH organizon Akademinë Përkujtimore për Prof. Stanislav Zuber, inxhinierit dhe gjeologut me famë botërore

1001
Sigal

Sot më 14 tetor 2018, me rastin e 125 vjetorit të lindjes së gjeologut dhe inxhinierit të naftës Prof. Stanislav Zuber, Kontrolli i Lartë i Shtetit, në bashkëpunimin me profesoratin e Fakultetit Gjeologji-Miniera të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe me Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Poloni organizoi Akademinë Përkujtimore në nderim të Prof. Zuber, në formën e një simpoziumi shkencor, në sallën qendrore të Akademisë së Shkencave.

Në këtë aktivitet morën pjesë personalitete të fushës së gjeologjisë, përfaqësues të Akademisë së Shkencave, Ambasadori i Polonisë në Shqipëri z. Karol Bachura, Zv-Presidenti i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë(NIK), z. Wojciech Kutyla, përfaqësues të Shoqatës së miqësisë Shqipëri-Poloni, përfaqësues të shoqërisë civile, auditues të KLSH, etj.

Në fjalën e tij të hapjes, Kryetari i KLSH z. Bujar Leskaj theksoi se në vitet 1927-1947, Shqipëria pati rastin fatlum të përfitonte nga kontributi i jashtëzakonshëm shkencor 20-vjeçar i Prof. Stanislav Zuber-it. Ai i la trashëgim Arkivit qendror të Gjeologjisë dhe Institutit të Naftës 551 punime dhe bocete shkencore, me 480 punime të plota. Prof. Zuber është hartuesi i hartës tektonike të Shqipërisë në shkallë 1:4 000 000, i Hartës Gjeologjike të Shqipërisë në shkallën 1:200 000 dhe i Hartës Minerale të Shqipërisë në shkallë 1:300 000. Deri në kohët e fundit, gjeologët tanë punonin me hartat e tij. “Së shpejti, busti i Profesorit të madh polak, vepër e Skulptorit të Popullit Muntaz Dhrami, i cili do të vendoset në Tiranë, si dhe ky simpozium shkencor sot, në nderim të thellë të veprës së Prof. Zuber, në vlerësim të marrëdhënieve miqësore të popullit shqiptar me popullin liridashës polak, si dhe të ndihmës dhe mbështetjes që i ka dhënë KLSH në këto 6 vite 2012-2018 institucioni më i lartë i auditimit publik në Poloni, Zyra Kombëtare e Auditimit (NIK), synojnë të jenë vetëm një pjesë shumë e vogël e borxhit të madh që kemi ne si shqiptarë përpara gjenialitetit dhe kontributit të jashtëzakonshëm të dhënë për Shqipërinë nga inxhinieri dhe gjeologu Stanislav Zuber”, përfundoi Kryetari i KLSH.

Ambasadori i Polonisë në Shqipëri z. Karol Bachura u shpreh se në vitin 2017 një rrugë në Tiranë, pikërisht në afërsi të vendndodhjes së ish-burgut ku vdiq nga torturat Prof. Zuber në vitin 1947, mori emrin e Prof. Zuber. Ndërsa gazsjellësi TAP, vepra madhore që shtrihet sot edhe në Shqipëri dhe vjen nga Azerbajxhani për të përfunduar në Itali, përshkruan pikërisht fillin e jetës dhe të veprës së Prof. Zuber-it, me kontributin fillestar për zbulimin e naftës në Azerbajxhan, pastaj në Shqipëri dhe eksportin e naftës shqiptare në Itali.

Zv-Presidenti i NIK, Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë, z. Wojciech Kutyla, në fjalën e tij nënvizoi rëndësinë që ka për institucionin që ai përfaqëson dhe për mbarë shoqërinë dhe kombin polak njohja në detaje e veprës dhe kontributit të intelektualëve të shquar, si polakë ashtu edhe të vendeve mike dhe partnere me Poloninë, sikurse është Shqipëria dhe institucioni i auditimit suprem publik i saj, Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Prof. Dr. Arqile Teta, studiuesi i njohur dhe autor i librit monografik kushtuar Prof. Zuberit “Prof. Stanislav Zuber-Jeta dhe vepra”, i përkthyer edhe në gjuhën polake në vitin 2017, në kumtesën e tij theksoi se ”Me Zuber-in filloi industrializimi i Shqipërisë. Disa ekonomistë të ditëve të sotme, në diskutimet që kemi bërë, e pranojnë këtë tezë; nuk gjejnë argumente ta rrëzojnë…Vetëm Prof. Zuberi arriti të zbulojë pellgun naftëmbajtës të Devollit(siç e quante atëhere Kuçovën Zuber-i) dhe në vitin 1928 shpoi pusin e parë që dha naftë në sasi dhe vlera industriale…Më vonë, kur u shtua dhe nafta e Patosit, Zuberi e zmadhoi diametrin e tubacionit nga Fieri në Vlorë në 300 mm. Filloi kështu eksporti i naftës shqiptare, si produkt industrial shqiptar. Kështu u hodh hapi i parë i industrializimit të vendit, që filloi nga industria e naftës që e projektoi dhe e ndërtoi Prof. Zuber-i”.

Në kumtesat e tjera, studiues dhe gjeologë të njohur, si Prof. Dr. Skënder Osmani, Prof. Dr. Shyqyri Aliaj, Prof. Dr. Aleksandër Çina, prof. Dr. Kujtim Onuzi, Prof. Dr.  Gafur Muka dhe  Prof. Dr. Sazan Guri sollën përmasat dhe vlerat e bibliografisë së tij, figurën e inxhinierit dhe gjeologut të madh polak si tektonist i shquar, kontributin në magmatizmin shqiptar, rëndësinë e hartave të tij, modelin  topografik të hartave, si dhe studimet dhe kërkimet e naftës në hartat e Prof. Stanislav Zuber-it.

Takimin e mbyllën z.Leonard Zissi, në emër të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Poloni dhe z.Astrit Beqiraj, i cili trajtoi një temë shumë interesante “Jehonën e personalitetit të Prof.Stanislav Zuber në mediat shqiptare dhe njohja e veprës së tij në Poloni”.