KLSH merr pjesë në Seminarin “Integriteti Ndërkombëtar Anti-korrupsion” organizuar nga SAO i Hungarisë

1022
Në datat 5-9 Mars, Zyra Shtetërore e Auditimit të Hungarisë organizoi në Szarvas të Hungarisë Seminarin e Integritetit Ndërkombëtar Anti-korrupsion. Në këtë seminar morën pjesë më shumë se dyzet ekspertë të SAI-ve nga 25 vende të Evropës Juglindore, Azisë, Afrikës si dhe Amerikës Jugore e Qendrore. Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua në këtë aktivitet nga Znj. Elira Elezi dhe Znj. Safete Pojani, Juriste në Departamentin Juridik. Ky ishte seminari i pestë i organizuar nga SAO Hungarisë që prej vitit 2014, vit i cili shënoi fillimin e kësaj iniciative kombëtare mbi integritetin. Qëllimi kryesor i këtij seminari ishte mbështetja në luftën kundër korrupsionit të institucioneve supreme të auditimit në vendet në zhvillim, promovimi i kulturës administrative të bazuar në integritet si dhe rritja e transparencës në aparatin shtetëror. Gjatë seminarit, pjesëmarrësit u njohën kryesisht me metodologjinë e anketimit mbi integritetin dhe gjithashtu praktikuan nëpërmjet punës në grup, elementët më të rëndësishëm të implementimit të një anketimi të suksesshëm si: identifikimi i risqeve të korrupsionit në sferën publike, vlerësimin e kontrolleve të ndryshme të cilat mbrojnë nga korrupsioni, plotësimin e pyetësorëve të cilat janë bazat e anketimit si dhe vlerësimin dhe përdorimin e rezultateve të arritura. SAI Hungarez ka arritur që ta shtrijë këtë “model anketimi” në të gjithë sektorin publik të Hungarisë, duke e konsideruar atë si pjesë të misionit të tij në luftën kundër korrupsionit. Auditimi i integritetit të sektorit publik nga ana e SAI-it Hungarez përshtatet më së miri dhe me strategjinë e këtij institucioni në të cilën integriteti, transparenca, përgjegjshmëria në lidhje me fondet publike, si dhe roli i tyre në luftën kundër korrupsionit kanë një rëndësi të veçantë. Presidenti i Zyrës Shtetërore të Auditimit të Hungarisë z. Laszlo Domokos, prezantoi aktivitetet dhe rolin e SAO në luftën kundër korrupsionit duke përmendur se një numër prej 3.346 institucionesh buxhetore dhe qeverish lokale të Hungarisë morën pjesë në Anketimin Vjetor të Integritetit të SAO-s në vitin 2017, një përqindje kjo që përkthehet në rreth 60% të punësimit total të sektorit publik hungarez. Kryetari i SAO-s njoftoi gjithashtu se SAO do të ofronte kursimet e saj buxhetore të vitit 2016 (rreth 110,000 dollarë) në programin e Iniciativës për Zhvillim të INTOSAI (IDI), që synonte trajnimin e liderëve të rinj të SAI-ve. Gjatë prezantimit të tij, Presidenti i SAO Z. Laszlo Domokos, theksoi se etika dhe integriteti në nivelet drejtuese dhe lidership është një nga mjetet më të rëndësishme të vendosjes së integritetit organizativ. Ndërmjet prezantuesve në Konferencën e hapjes ishte edhe Kryetarja e Zyrës Kombëtare të Gjyqësorit Znj. Tunde Hando, Drejtori i Përgjithshëm i Iniciativës për Zhvillim (IDI) në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, si dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm i Zyrës së Auditimit të Shtetit të Vietnamit, Kryetar i ASOSAI (Organizata Aziatike e Institucioneve Supreme të Auditimit) për periudhën 2018-2021. Në këtë konferencë mori pjesë gjithashtu një delegacion i përbërë nga shtatë zyrtarë ekzekutivë të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Vietnamit, si dhe dy ekspertë të Zyrës Presidenciale të INTOSAI-t në Emiratet e Bashkuara Arabe. Gjatë ditëve në vazhdim pjesëmarrësit u angazhuan në grupe pune të veçanta, për t’u familjarizuar më tepër me bazat teorike, metodologjinë, rezultatet më të fundit dhe eksperiencat e anketimit të integritetit, për të shkëmbyer me njëri tjetrin përvojat në SAI-et e tyre respektive. Gjithashtu ata folën për rolin e SAI-eve në promovimin e qeverisjes së mirë, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e besimit publik. Ndërmjet një sërë synimesh të INTOSAI-it, u theksua rëndësia e shkëmbimit të njohurive dhe praktikave më të mira midis SAI-eve, duke nënvizuar që INTOSAI duhet të udhëheqë nëpërmjet shembujve konkret në luftën kundër korrupsionit. Në këtë seminar, SAO prezantoi për herë të parë modelin Iceberg (Akullnajë), duke ilustruar përgjegjësitë e një institucioni suprem të auditimit, si dhe përgjegjësitë dhe detyrat e aktorëve legjislativë dhe ekzekutivë në krijimin e një integriteti bazuar në sistemin e Administratës Publike Hungareze. Pjesëmarrësit me metodologjinë e sondazhit, duke ofruar gjithashtu një pasqyrë të aktiviteteve në “krye” të Ajsbergut. Përveç kësaj, pjesëmarrësve iu prezantua një vështrim më i thellë në lidhje me rezultatet e pyetësorit, me vlerësimin e integritetit në auditimet e SAO-s, aktivitetin e komunikimit të SAO-së dhe mjete të ndryshme inovative të komunikimit, që në mënyrë efektive kontribuojnë në përmirësimin e transparencës financiare publike, duke konsoliduar kështu kulturën administrative të integritetit në vendet e tyre. Në ditën e fundit të seminarit pjesëmarrësit iu nënshtruan një testimi përmbyllës në lidhje me njohuritë e marra përgjatë leksioneve. Të gjithë pjesëmarrësit e përfunduan testin me sukses dhe në fund, drejtuesit e projektit shpërndanë certifikatat përkatëse.
Sigal