Kapet në Tiranë “Escobari” turk, i dënuar me 30 vjet burg për trafik droge

564
Sigal

Një 53-vjeçar nga Turqia u kap në Shqipëri si i shumëkërkuar nga drejtësia franceze, si një nga trafikantët e familjes kriminale Baybesin, që si drejtues të vetin kishte shtetasin Hysein Baybesin, i konsideruar disa vite më parë si “Eskobari i Evropës”.

Faruk Baybesin, i dënuar me 30 vite burgim për çështje të trafikut të heroinës kërkohet nga gjykata e “Loire Atlantique”, që e ka shpallur fajtor për pjesëtar në organizatën kriminale që trafikonte në Evropë heroinë.

Drejtësia franceze përmes dokumenteve që i ka përcjellë me urgjencë kërkon dorëzimin e Baybesin me argumentin se përgjatë viteve 1994 1995 ishte aktiv në trafikun e drogës edhe në Francë si anëtar i një bande që vepronte jo vetëm në Turqi, por edhe në Francë.

Gjykata e Tiranës në funksion të kërkesës së Francës ka vendosur arrest me burg 40 ditë për Faruk Baybesin, i cili tentoi të hynte në Shqipëri për t’u fshehur por u zbulua nga autoritetet. Ai ka pranuar që është djali i një tjetër trafikanti të dënuar Mahmut Baybesin, i cili gjithashtu rezulton të jetë pjesë e familjes së narkotrafikut të etiketuar “Escobarët e Evropës”.

Për aktivitetin e këtij grupi në atë kohe mediat raportonin se Hüseyin Baybaşin, Mehmet Emin Baybaşin, Mehmet Şerif Baybaşin, Mehmet Şirin Baybaşin, Mahmut Baybaşin janë anëtarë të familjes që përfundoi në burg për drogë . Të ardhurat e grupit nga heroina janë vlerësuar në 10 miliardë paundë.