Inxh. Qerim Ismeni/ Sa eficient është aksioni kundër ndërtimeve pa lejë, (të egra)?!    

557
Sigal

Ndërto-Prish! Një taktikë eficiente në plotësim të një strategjie me vizion, do të kursejë fonde në gjithë piramidën shtetërore, do të kemi më pak konflikte, më pak njerëz në stres, potencialisht të gatshëm për krim në zgjidhje të padrejtësisë me vetëgjyqësi, më pak shpenzime në sistemin e sigurisë e drejtësisë, më pak të burgosur, eficiencë energjetike më të lartë dhe punësim më të lartë

Është për të ardhur keq, që qeveria gjithnjë zgjedh rrugët më të lehta për vete dhe me kosto më të larte për popullin, që si rezultat kanë mbishfrytëzim deri në kufirin e të pa mundurës. U mor nisma mbi reformën mbi territorin, u bë ligji, u shpall emergjencë kombëtare etj. Shumë mirë si ide, nuk gjendet njeri me mënd e me pak kulturë që të kundërshtojë, apo të tregohet indiferent, por shumica në një zë e përshëndeti qeverinë. Deri këtu jemi në rregull. Mesazhi shumë i qartë, “mos ndërtoni pa leje”, nga ana tjetër, në fund të vitit 2014 u shty afati i vetëdeklarimit të ndërtimeve pa leje, a thua nuk kishin mjaftuar vite që nga 2006 për ta bërë këtë, apo duheshin përfshirë edhe ndërtimet pa leje të kohëve të fundit deri 27.06.2014. Indirekt, nëpërmjet shtyrjes së afatit të vetëdeklarimeve të ndërtimeve pa leje, ju dha mundësia “popullit” për të nënkuptuar se vazhdoni e ndërtoni e vetëdeklaroni se ne jemi këtu. Gjithsesi, ajo më e çuditshmja gjatë kësaj periudhe është reklama në media e Legalizimit të ndërtimeve pa leje, ku certifikatat e pronësisë jepen nga  k/ministri, direkt shkelësve të ligjit, sikur janë dekorata të një lufte patriotike apo të ndonjë heroizmi tjetër, ku këto të fundit (ndërtuesit pa leje) gjithë krenari pozojnë bashkë me k/ministrin para kamerave –kupto simbolikën e veprimit- njësoj sikur pas një falje dënimi, apo pjesë dënimi nga Gjykata, kryetari i shtetit të pozojë me ish kriminelët para kamerave televizive. Në fjalorin enciklopedik, fjala legalizim është  “konfirmim ose dhënie vlerë juridike një diçkaje (veprimi) të bërë më parë PA LIGJ, pra miratim të jashtë ligjshmes, siç është bërë sa herë janë bërë zgjedhje gjatë këtyre 24 viteve “demokraci”. Pasoja, të paktën, do të shtrihet deri në tre breza duke e dënuar si veprim, në të kundërt pasojat do të jenë edhe më të zgjatura në kohë. Mendoj se reklama sfumon ligjin që dënon me burg çdo individ që ndërton pa leje, meqenëse periudha  kur i njëjti veprim vlerësohet diametralisht i kundërt, është e afërt. Jo se jam kundër legalizimeve për ato ndërtime që nuk kanë impakt (pasoja) në mjedisin jetësor, pra nuk cenojnë të drejtën mjedisore të të tjerëve, por nuk mund të legalizohen ato ndërtime që kanë kthyer në të pabanueshme ndërtimet ekzistuese, Tiranën apo gjithë Shqipërinë, duke zënë hapësirat publike jetike si: lulishte, sheshet për parkim automjetesh, trotuaret, rrugët për të hyrë zjarrfikësja, ambulanca, apo kanë bllokuar rrjedhjet natyrore të ujërave sipërfaqësore, kanë pamundësuar zhbllokimin e ujërave të zeza rast emergjence, kanë zënë dritën e diellit, korrentet e ajrit, kanë zënë sipërfaqet bujqësore apo janë ndërtuar në zona me risk të lartë rreziqesh natyrore si përmbytje, rrëshqitje etj. Megjithatë, legalizimi i të gjithë  ndërtimeve që nuk prishin standardet urbanistike, treguesit e sipërpërmendur, kërkon edhe një masë tjetër paraprake, që është ndëshkimi i autoriteteve (personave) përgjegjës që kanë pasur dhe kanë për detyrë të ruajnë e zbatojnë standardet urbanistike të shprehura në ligje. Shteti (taksapaguesi) i ka paguar këto persona për të ruajtur territorin e jo për ta shkatërruar atë. Pra të nderuar qeveritar, shkelja e standardeve urbanistike me pasoja për sot e për nesër nuk është përgjegjësi vetëm e ndërtuesve pa leje (të vegjël apo të mëdhenj), por janë në radhë të parë, përgjegjësi e administratës shtetërore të fushës përkatëse. Falja apo legalizimi i atyre që ndërtuan, kurrsesi nuk duhet të çlirojë nga përgjegjësia institucionet e administrim territorit, qoftë dhe ato të vitit 2000 apo 1994. Eficienca e një strategjie (pune) është në funksion të drejtë matematikor me taktikën e përdorur për realizimin e strategjisë. Të nderuar qeveritar, ju po gaboni sa më  poshtë: 1. Duke neglizhuar përgjegjësitë e shkaktarëve të katrahurës urbane (ujku atë zanat ka, të hajë delet, por është detyrë e “bariut” që  t’i  ruaj ato, thotë populli), hidhni hijen e dyshimit se edhe  ju kërkoni të përdorni të njëjtën mënyrë sjelljeje, si paraardhësit ndaj problemit. 2. Në vend që të përdorni taktika eficiente në aksionin kundër ndërtimeve pa leje, që janë në kundërshtim flagrant me standardet urbanistike, duke zbatuar një taktikë qe do të rriste forcat mbështetëse, ju po bëni të kundërtën. Ju po kopjoni teorinë e ish k/ministrit mbi koncesionet mbi objekte të “kërkuara e të pa kërkuara”, duke përvetësuar të kundërtën e atij, d.m.th shkatërrimin e ndërtimeve pa leje, “të pa kërkuara”, duke neglizhuar kërkesat e qytetarëve për frymëmarrje, për ajër d.m.th, prishjen në radhë të parë të atyre ndërtimeve pa leje apo me leje abuzive në kundërshtim me standardet urbanistike që po shkatërrojnë mushkëritë e jetët e qytetarëve. 3. Ju po prishni ndërtime me leje apo të legalizuara duke i zhdëmtuar me vlerën  e plotë nga arka e shtetit, kur ato vërtetësisht duken se janë ndërtuar në kundërshtim me standardet urbanistike. Këto ndërtime i nderuar z. k/ministër duhet të zhdëmtohen kryesisht me vlerat e konfiskuara nga lejedhënësit, meqenëse këto leje janë dhënë kundrejt vlerave të paguara për të shkelur ligjin. Vetëm diferenca e vlerës për zhdëmtim duhet, mbase, nga arka e shtetit. 4. Ju nuk zbatoni as teoritë më të thjeshta të evolucionit, pra çlirimi i territorit fillohet nga më të thjeshtat në drejtim të të komplikuarës, nga ato me kosto të gjithëllojshme, (materiale, ekonomike, sociale e politike) të ulëta, në drejtim të atyre me kosto më të lartë. Pra ju po harxhoni burimet njerëzore, eksplozivin, fondet në objektet e mëdha dhe po lini të voglat pa prishur, që e kanë kthyer vendin në xhungël, pra eficienca ose impakti në publik mbetet në nivele shumë të ulëta, kur duhet vepruar anasjelltas. 5.  Ju të nderuar qeveritar, me reklamën që po u bëni legalizimeve, pavarësisht nga kërcënimi me burg, (kur ky kërcënim për një pjesë të popullatës tashmë nuk ka vlerë meqenëse standardi i jetesës tyre në liri është shumë më i ulët se në burg), tashmë nuk ka efekt për vetë faktin që shumë pak persona apo institucione përgjegjëse për territorin dënohen materialisht (me zhdëmtim) dhe penalisht. Kështu nuk do të arrini të disiplinoni njerëzit, prandaj më mirë është të disiplinoni “barinjtë” që paguhen me paratë e këtij populli, dhe pastaj merruni me popullin. N.q.s do të vazhdoni të mos ndëshkoni financiarisht dhe penalisht rrogëtarët në këto institucione ligjzbatuese, ju do të ndëshkoni edhe më keq këtë popull. Ndëshkimi i një zyrtari ligj zbatues apo dhe ligjvënës kursen qindra ditë apo muaj burg, që indirekt shumëzojnë koston afër 60 000 lek/person muaj burg, që janë kosto të rënda për këtë vend. N.q.s qeveritarët, apo nëpunësit e një shteti, nuk do japin llogari për dëmet që i shkaktojnë shtetit dhe popullit, ju kurrë nuk do të pastroni administratën nga korrupsioni dhe paaftësia. Sa më sipër, do shtroja pyetjen për lexuesit: pse kanuni i Lek Dukagjinit zbatohej perfekt, kur ai nuk kishte as ushtar, as polic, as prokuror as gjyqtar e as burgje ?! Sot, në  Shqipëri, për çdo 1000 banor numërohen afër 7.6 punonjës që merren me ligjin dhe  9.7 të burgosur, pa përmendur këtu rrezikun potencial të gatishmërisë për tu larguar nga Shqipëria, si rasti i 26 dhjetorit 2014 ku gati ½ e Vlorës u nis për azil në Gjermani me një thashethem. Këto shifra flasin për një qeverisje jo eficiente, ku gjithë njerëzit janë në konflikt. Të nderuar politikan, administrator, që merreni me qeverisjen e këtij populli (vendi), mendoj se do të  ishte më mirë të përmirësohet eficienca e punës tuaj në zbatim të ligjeve mbi urbanizimin. Investimi për shkatërrimin, çrrënjosjen e kulturës së ndërtimit jashtë rregullave e standardeve urbanistike është investimi më rentabël, me vetëshlyerje më të shpejtë se çdo investim tjetër në një shoqëri si e jona, që tashmë e 24 vjet ecën në mjegull “Ndërto-Prish! Një taktikë eficiente në plotësim të një strategjie me vizion, do të kursejë fonde në gjithë piramidën shtetërore, do të kemi më pak konflikte, më pak njerëz në stres, potencialisht të gatshëm për krim në zgjidhje të padrejtësisë me vetëgjyqësi, më pak shpenzime në sistemin e sigurisë e drejtësisë, më pak të burgosur, eficiencë energjetike më të lartë dhe punësim më të lartë.