Igli Totozani: Sfidë mbetet krijimi i rrjetit bashkëpunues

122

Avokati i Popullit Igli Totozani shprehet se krijimi i një rrjeti bashkëpunues, jo vetëm në vend,po dhe në rajon, është një sfidë përsa i përket mbrojtjes së azilkërkuesve dhe refugjatëve.

Ai ka marë pjesë në seminarin e organizuar nga UNHCR dhe Këshilli i Europës, “Mbrojtja e Azilkërkuesve dhe refugjatëve në Shqipëri në lidhje me Nenin 3 dhe 13 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

“Sfidë mbetet krijimi i një networku bashkëpunues, ku institucionet ofrojnë kontribute të vecanta dhe komplementare me njëri tjetrin dhe këtu nuk kam parasys vetëm institucionet Brenda një vendi por ato rajonale dhe më gjerë, kryesisht të Mesdheut si itinerari kryesor i këtij eksodi,  që përfshin si vendet e origjinës dhe tranzitit dhe një pjesë të vendeve pritëse”, tha z. Totozani.

Totozani thekson se, edhe në përmasa të vogla edhe në Shqipëri ka pasur raste të shkeljes së të drejtave të njeriut, “ku për rreth 10 ditë, shumë persona u vendosën në gjendje privimi nga liria në qendrën e mbyllur të Kareqit”.

Përgjatë vitit 2016 në territorin shqiptar kanë hyrë rreth 677 emigrantë, prej të cilëve vetëm 85 kanë kërkuar mbrojtje nga shteti shqiptar, kërkesë kjo që u është pranuar.

“Shqipëria është prekur pak nga kjo krizë dhe ka mbajtur një pozicion të ndërmjetëm, pa qenë plotësisht e hapur, por as edhe krejtësisht e mbyllur.  Por edhe vendi ynë si firmëtar në Konventën për të Drejtat e Njeriut duhet të funksionojë tërësisht mbi të drejtat që sanksionon ky dokument i rëndësishëm”, thotë Totozani.

Gjatë inspektimeve të MKPT-së, së Avokatit të Popullit janë konstatuar raste të vonesave në aplikimin e procedurave të azilit, mungesë përkthyesish për të intervistuarit dhe shkelje të parimit të moskthimit. Të dhënat janë vendosur një raport të veçantë për institucionet shqiptare dhe Parlamentin.