Hotelet dhe restorantet që i përlajnë shtetit 2.8 milionë euro

216
Skandalet shtetërore, që po zhvatin e po shpërdorojnë taksat e shqiptarëve dhe të ardhurat nga burimet ekonomike kombëtare, kanë edhe pjesën e tyre të “pa dukshme”, por që vazhdojnë veprojnë lirshëm e në heshtje, duke gëlltitur miliona euro shpenzime, që nuk duhen bërë. Flitet për abuzime në shuma të mëdha financiare nga buxheti i shtetit me tenderët, me koncesionet, me lloj-lloj komisionesh e ekipesh zyrtare monitorimi, me shpërblime të paligjshme, me pagesa për punë të pakryera që ekzistojnë vetëm në letra e fatura fiktive. Por nuk flitet për një abuzim financiar gjigand që bëhet përditë prej shtetarëve shqiptarë, përhapur si epidemi në të gjithë nivelet zyrtare, madje edhe duke u publikuar me kapardisje në ekranet e televizioneve. 
Mbledhje e konferenca zyrtare, që bëhen nëpër… hotele!
E kemi fjalën për mbledhjet, takimet, debatet publike, konsulencat, takimet me delegacionet e huaja, madje edhe për konferencat e shtypit, që shtetarët zhvillojnë pothuajse përditë. Këto aktivitete zyrtare nuk bëhen në mjediset e institucioneve zyrtare përkatëse, por jashtë tyre. Fakti është ky: Drejtuesit e institucioneve, në çdo rast që kanë mbledhje pune, konferenca kombëtare, ndërkombëtare e rajonale brenda vendit, madje edhe replika private, nuk i zhvillojnë ato p.sh., në mjediset Presidencës, Kryeministrisë, Parlamentit, Ministrive, Universiteteve, Drejtorive e institucioneve të tyre, por u drejtohen sallave të… hoteleve! Sipas investigimit të bërë prej gazetës “Telegraf”, rezulton se në çdo 100 mbledhje, konferenca tematike e shtypi, takime delegacionesh të huaja, lidhje marrëveshjesh mes institucioneve të ndërsjella etj, 95 prej tyre nuk bëhen në sallat e institucioneve, por nëpër salla hotelesh e mjedisesh luksoze private. Për çdo sekondë që përdoren sallat, zyrat dhe mjediset private, bëhet pagesa nga buxheti i institucioneve, sipas tarifave që caktojnë pronarët e hoteleve. Madje, për të gjetur hotelin, paguhen edhe “menaxherë” të përzgjedhur nga institucionet, të cilët kujdesen për gjithë aktivitetin, deri tek lulet dhe shishet ujit që vendosen mbi tavolina! 
Në 20 muajt e fundit, janë shpenzuar 2.8 milionë euro… mbledhje nëpër hotele!
Kjo është krejt absurde të bëhen nëpër hotele e rezidenca private, mbledhje e konferenca, takime, nënshkrime kontratash bashkëpunimi ligjor, social, ekonomik, financiar e biznesi ndër-institucionale e ndërkombëtare, kur dihet që brenda institucioneve shtetërore ka mjedise të bollshme, madje edhe tepër komode për mbledhje e konferenca, të kompletuara me ndriçim, kondicionerë e pajisje luksi, për të cilat janë investuar miliarda lekë investime për këtë qëllim! Por as mbledhjet dhe as takimet, nuk zhvillohen brenda institucioneve. Në mjediset e tyre, prej vitesh vitesh nuk po bëhen as konferencat zyrtare të shtypit të titullarëve, por prenotohen e bëhen në mjedise private, kundrejt pagesave tepër të larta. Madje, për të gjetur hotelin, ose sallat, paguhen edhe “sekserë” të përzgjedhur nga institucionet, të cilët kujdesen për gjithë aktivitetin, deri tek lulet dhe shishet ujit që vendosen mbi tavolina! Sipas të dhënave që disponon gazeta “Telegraf”, vetëm në 20 muajt e fundit, institucionet shtetërore kanë shpenzuar 2.9 milionë euro, të paguara nëpër hotele e mjedise private, si shpenzime për mbledhje, takime, pritej delegacionesh të huaja e deri për konferenca… shtypi të drejtuesve të institucioneve! Çfarë ndodh realisht? 

Qeveria ka sallën e mbledhjes së këshillit të Ministrave, por 90% të mbledhjeve i ka zhvilluar nëpër hotele e salla resortesh turistike shumë largë Tiranës! mbledhjet e grupeve parlamentare, në vend që të bëhen në mjediset e kryesisë së Kuvendit, ose të selive të partive, bëhen me pagesë miliona lekë nëpër hotele e sallone private! “Mbledhjet e punës” të ministrive, në vend të bëhen në sallat e ministrive përkatëse, bëhen jashtë tyre, në hotele e rezidenca private! vijnë delegacione të huaja dhe në vend që të zhvillojnë takimet zyrtare me shtetarët dhe institucionet e shtetit, në mjediset e institucioneve të shtetit, çohen nëpër hotele, duke paguara miliona lekë për një takim! Shteti ka në pronësi e në dispozicon qindra mjedise si brenda edhe jashtë kryeministrisë, jashtë parlamentit, jashtë ministrive, jashtë drejtorive e jashtë universiteteve! 

Por nuk i përdor këto mjedise, paçka se ka investuar miliarda lekë për infrastrukturën dhe mobilimin e tyre! Kjo praktikë mbledhjesh nëpër hotele është përhapur aq shumë, sa bëhet edhe prej universiteteve, prefekturave, këshillave të qarqeve, drejtorive arsimore, të shëndetësisë, të policive, të prokurorisë, të tatimeve, të doganave, të bashkive, të ndërmarrjeve të shërbimit publik në disa raste edhe prej disa shkollave të mesme në rrethet kryesore, të cilat paguajnë sallat e hoteleve nga të ardhurat që mbledhin prej nxënësve!

 Përse psh., mbledhjet rutinë dhe takimet e qeverisë me partnerë të huaj, apo forumet e presidencës, të policisë së shtetit, ose mbledhjet dhe diskutimet e ministrive, të prefekturave apo të drejtorive të çdo niveli duhet të bëhen nëpër hotele me pagesa nga buxheti i shtetit, kur këto institucione kanë salla brneda tyre, kur shteti ka mjedise të tjera të bollshme e të kompletuara si Muzeu Historik Kombëtar, Galeria e Arteve, Akademia e Arteve, Pallati i Kongreseve, Pallati i Kulturës, Biblioteka Kombëtare, Korpusi i Universitetit, sallat e fakulteteve e universiteteve te bibliotekave rajonale që janë në disa qendra prefekturash. Po kështu psh, bashkitë apo prefekturat dhe këshillat e qarqeve e deri tek drejtoritë e arsimit e të Pyjeve e Ujërave, i bëjnë mbledhjet me pagesa milionëshe nëpër hotele private, kur brenda institucioneve të tyre kanë mjedise të kompletuara! Skandali thellohet, kur mëson faktin, që në një nga qytetet Juglindore, të vendit, me “përzgjedhjen” e një shtetari të lartë, deri para pak ditësh “takimet e punës” zhvilloheshin me lekët e shtetit, në një… “Motel” të mirënjohur në qendër të qytetit, i cili vetëm pas plasjes së skandalit, ndryshoi emërtesën në … “Hotel”!