Haxhi Dalipi, mjeshtri që i dha një shpirt të ri Këngës Labe

700
Sigal

Nga Muhamet Tartari*

Në vitin 2006 kur Haxhi Dalipi u nda nga jeta, do ta konsideroja këtë një humbje jo vetëm për familjen Dalipi, por një humbje të madhe për kulturën shqiptare në tërësi dhe këngën labe në veçanti. Iku shumë herët Haxhi Dalipi, saqë s’pati kohë të sistemonte atë punë të madhe, kryer në dekada të tëra. Unë personalisht, si njeri që jetën e ka lidhur me këngën dhe kulturën labe, u ndjeva i mrekulluar kur mësova botimin e librit “Duke përjetuar këngën labe” të autorit Haxhi Dalipi nga Botimet “Toena”. Dhe nuk kish si të ish ndryshe: Në këtë libër, Haxhi Dalipi ka derdhur shpirtin e tij të madh, pasionin e tij të zjarrtë, temperamentin e tij të spikatur, kulturën e tij të gjerë. Ky testament, tregon se Haxhi Dalipi dhe vepra e tij janë këtu mes nesh, e do të mbeten si një kontribut i vyer për kulturën shqiptare. Në parathënien e tij Prof. Dr. Spiro Shituni, e përmbledh më mirë se kushdo profilin e autorit: “Haxhi Dalipi gjatë jetës së tij artistike u afirmua në një radhë aspektesh për të merituar titujt e tij të ndryshëm profesionalë, si dirigjent, kompozitor, pedagog, studiues, arkitekt i festivaleve folklorike, udhëheqës artistik, mik i muzikantëve të rinj, kapedan i muzikës shqiptare…”. Dhe, ndërsa e lexoj, shoh se në këtë libër gjallon jeta e larmishme kulturore-artistike, me gjerësinë dhe gjatësinë e saj në gjeografinë e Vlorës, nga Kuçi në Novoselë, nga Vranishti në Kaninë, nga Himara në Smokthinë dhe nga Armeni në Dukat. Në një kohë historike, që nga viti 1961 deri në vitin 2006, në një periudhë 45 vjeçare Haxhi Dalipi me veprimtarinë e pasur kulturore-artistike, ka hedhur në këtë libër vlerat e këngës labe, sot kjo pjesë e UNESCO-s, ku një meritë të veçantë ka edhe mendja, dora dhe puna shkencore e profesionale e Haxhi Dalipit. Në librin “Duke përjetuar këngën labe”, dallohen dhe analizohen nëntë stilet muzikore labe të të kënduarit. Këto stile e marrin emërtimin nga mjedisi ku janë kënduar dhe vazhdojnë të lëvrohen edhe në ditët tona. Këto janë stili muzikor i këngës bratçe (nga fshati Brataj), stili muzikor i këngës smokthinjote (nga zona e Smokthinës), stili muzikor i këngës gorrishtjote (nga zona e Gorrishtit), stili muzikor i këngës vrantishtjote (nga fshati Vranisht), stili muzikor i këngës himarjote, pra e zonës së Himarës dhe këngës pilurojte (nga fshati Pilur), stili muzikor i këngës tërbaçiote (nga fshati Tërbaç), stili muzikor i këngës dukatçe, (nga fshati Dukat) dhe stili muzikor i këngës kaniniote (nga fshati Kaninë). Në libër sillen nga autori për të mbetur të përjetshëm këngëtarët e talentuar popullorë, që i dhanë Shqipërisë jetë të ndezur artistike dhe folklorike, si Dhimitër Varfi (Himarë), Katina dhe Ermijoni Mërkuri dhe Qirjako Bala (Pilur), Syrja Hodo, Sinan Hoxha dhe Nebi Xhaka (Tërbaç), Hysen Ruka (Smothinë), Bego Vangjeli, Leko Gjoleka dhe Sulo Bozhani (Dukat), Nazif Çela e Golik Lika, (Lapardha), Rramën Nuredini (Armen), Arap e Lesko Çeloleskaj, Sinan Gjoleka, Spiro Çino e Zihni Janushi (Vranisht), Vasil Sera (Brataj), Katina Bejleri (Himarë) dhe shumë emra të tjerë të nderuar. Këta artiljerë të zotë, snajperë të këngës labe, kanë pas tyre një pasuri të shpirtit të asaj krahine: vargjet e vjershëtorëve të dashuruar me këngën e vallen labe si Lefter Çipa, Kujtim Mici, Dule Havari, Hamdi Pulo, Lefter Haxhiraj, Feti Brahimi, Muhamet Tartari etj. Haxhi Dalipi, e ngriti këngën labe nga hapësirat e kësaj krahine, në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. Kam pasur nderin, kënaqësinë dhe fatin e madh ta njoh nga afër dhe të bashkëpunoj me Haxhi Dalipin. Jam takuar për herë të parë më të në ditët e nëntorit të vitit 1972. Ai erdhi në Vranisht në Festivalin Folklorik të shkollave të zonës. Fëmijët e Vranishtit u nderuan me Çmimin e Flamurit… Aty, te isoja në fshat, shoqëruar me një gotë rakie, nisi miqësia dhe bashkëpunimi me Haxhi Dalipin. Ky ishte një bashkëpunim i frytshëm, që zgjati 35 vjet, deri në çastin e pafat të ndarjes së tij nga jeta. Në përgatitjet për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës të vitit 1978, Vranishti u paraqit me vallen “Lidhur si fishekë gjerdani”. Gjatë përgatitjes së valles, në Vranisht erdhi disa herë posaçërisht Haxhiu.

Midis të tjerash më sugjeroi që vargjet e valles të shkonin në sinkron me lëvizjet e valltarëve. Dhe ashtu u bë. Kjo valle do të ngjitej në skenat, nga Kalaja e Gjirokastrës e Pallati i Kongreseve, deri në Hamburg të Gjermanisë e Bordo të Francës. Vargu i parë: “O trima vallen ma mbani” fillonte me lëvizjen e shamisë nga heqësi i valles, Hetem Shkurti. Kjo ishte një thirrje-kushtrim, për të filluar një valle beteje. Në vargun e dytë, “lidhur si fishekë gjerdani”, valltarët lidheshin dorë për dore dhe nisnin lëvizjet. Vargu i tretë “jemi zot të këtij vatani”, shoqërohej nga ecjet në gjunjë, rrotullimet dhe lidhjen sup më sup të valltarëve. Kjo valle e laureuar në Festivalin e Gjirokastrës (1978), një vit më vonë, në qershor 1979, do të kërcehej para Monumentit të Pavarësisë në Vlorë nga 36 valltarë burra. Ishte hera e parë në histori që një numër kaq i madh valltarësh performonte në një valle labe. Dhe kjo ishte fryt i mendjes së udhëheqësit tonë artistik Haxhi Dalipit. Në përfundim, vallja mbyllej me: Treshja e parë në krye, që simbolizonte kokën e shqiponjës; nëntë valltarët në radhë të dytë, simbolizonin trupin e saj, e 24 valltarët në radhë të tretë, ishin krahët e shqiponjës. Ky format i valles së Vranishtit, është aplikuar edhe në vallen tjetër shumë të njohur “Prapa më vjen historia”(e njohur ndryshe edhe me titullin “Cili je ti more burrë”), kushtuar kryetarit të parë të shtetit modern shqiptar, Ismail Qemalit. Haxhiu kishte një mendim të tijin: nëse një këngë ose valle kur mbushte 30 vjet jetë artistike, ajo duhej të konsiderohej si monument kulturor. E tillë, mbeti vallja e Vranishtit, edhe në sajë të punës së tij. Në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës 1983, Vranishti u prezantua me vallen “Shpata jonë gris fermanë”. Edhe këtu, sipas mendimit dhe orientimit të Haxhi Dalipit, vargjet u ndërthurën ngushtësisht me lëvizjet e valltarëve.

“Mesaplik te rrapi-tëndë

Labët e mblodhën kuvëndë

Shqipëri na ke në këmbë

Për liri për tokën mëmë

Lidhën besë e fjalën dhamë

S’japin xhelepë as nizamë

Shpata jonë gris fermanë

 kanë zot trojet tanë!”

(Vallja mund të shikohet këtu në YouTube: (https://www.youtube.com/watch?v=cD5yRtoDÇU )

Me sugjerimin e Haxhi Dalipit, për herë të parë në një valle labe, është futur elementi i shpatave. Labët i kanë kërcyer përherë vallet e tyre edhe me dyfekë në supe, por kësaj herë ata nxorën shpatat. Kjo, ishte një gjetje e shkëlqyer nga ana koreografike, ishte një risi që ka surprizuar shumë studiues muzikologë nga vendi dhe bota. Solla vetëm dy shembuj, për të treguar se “prekja” që Haxhi Dalipi i bënte këngës dhe valles labe, i bënte ato përherë më të mira, më të bukura dhe të arrira nga ana artistike. Nga Haxhi Dalipi kishe ç’të mësoje; kishe ç’të përfitoje nga horizonti i tij i gjerë, nga aftësitë e tij intelektuale. Ai nuk priti që kënga labe, këngëtarët, vjershëtorët, valltarët, fëmijët, të rinjtë, e të moshuarit të vinin te ai. E braktiste rehatinë e qytetit, dhe jam dëshmitar që ka vizituar për javë të tëra, shpesh në kushte të vështira zonat më të thella të Labërisë. Personalisht e kam shoqëruar në aktivitete, takime, biseda dhe intervista studimore që ai kreu në Brataj, Kuç, Kallarat, Bolenë, Tërbaç, Mesaplik, Smokthinë dhe, padyshim, në Vranisht, ku ishte edhe baza e tij. Ai i dëgjonte të gjithë; iu merrte mendimin dhe ishte një bashkëbisedues i shkëlqyer edhe me fëmijët 8-vjeçarë që kërcenin vallen labe, edhe me të moshuarit e artë 80-vjeçarë që i tregonin rezonancën që bënte kënga labe mbi një fije bari. Mendoj që ky libër do të shërbejë jo vetëm për specialistët e artit dhe kulturës, por do t’u vijë në ndihmë edhe të gjithë artdashësve, të këngës labe, në veçanti dhe asaj popullore të përgjithësi. Ishte kënaqësi të shihje me dhjetëra emra të njohur të artit, kulturës, shkencës, politikës, sportit dhe diplomacisë në ambientet e Akademisë së Shkencave, në promovimin e librit “Duke përjetuar këngën labe”. Ashtu e meriton Haxhi Dalipi, sepse në bashkëpunim me mjeshtra si Ramadan Sokoli, Tish Dajia, Panajot Kanaçi, Çesk Zadeja, Kujtim Laro, Fehmi Shaqiri etj., hodhën bazat e studimeve shkencore për këtë vlerë të vyer të kombit tonë. Kjo vepër e Haxhi Dalipit, u mirëprit me jehonën e këngës labe të grupit të Himarës dhe me elegjinë “Vajzë e Valëve”, e ripunuar aq mrekullueshëm nga Haxhiu, nën performimin e Ansamblit Kombëtar të këngëve dhe valleve popullore. Mjeshtri Haxhi Dalipi, e përjetoi këngën labe dhe bëri të përjetohet nga miliona shqiptarë dhe të huaj në skenat e vendit dhe Evropës. Me këtë libër, ai lë një vepër të shkëlqyer të shpirtit të kombit, që fatmirësisht sheh dritën e botimit, falë familjes, posaçërisht birit të tij, Aldrin Dalipi. Familja Dalipi i ka bërë kështu një shërbim të shkëlqyer kulturës shqiptare dhe Labërisë! Vlerësim dhe mirënjohje!

*Mjeshtër i Madh, drejtues për më se 45 vite i grupit folklorik të Vranishtit, Vlorë