Grabitet fondi 1 milion dollarë i jetimëve

282
Skandali me jetimët, apeli i Çumanit: Hetim për fondin e 1 mln dollarëve për “Zyber Hallullin”
Intervistë/ Ilir Çumani i bën thirrje kryeministrit të largojë nga institucionet shtetërore ata që abuzojnë në kurriz të fëmijëve jetimë.
Shtresa më e përvuajtur e shoqërisë shqiptare, jetimët, duket se po përdoret nga organizata të ndryshme dhe institucione shtetërore për qëllime fitimi. Në kurriz të tyre, u bëhet thirrje donatorëve për të dhënë para, por askush nuk e di se ku shkojnë ato para. Thirrja alarmante bëhet nga drejtori i përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimeve të Shqipërisë, Ilir Çumani. Ai i bën thirrje kryeministrit të vendit, të pastrojë nga disa grabitqarë dhe hajdutë që struken në Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale, që sipas tij, prej vitesh kanë abuzuar vazhdojnë të abuzojnë me fondet për fëmijët jetimë. Çumani thotë se për të realizuar skemën e tyre të vjedhjes, institucionet shtetërore sillen dhe veprojnë si OJF – abuzuese. Ato e përdorin për qëllime utilitare e komerciale qendrën e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”, e cila strehon vetëm 30 fëmijë, ndërsa në të gjithë vendin sot janë në mëshirë të fatit plot 31 mijë fëmijë jetimë. Çumani sjell edhe një rast konkret, i cili lidhet me organizimin e aktivitetit për kremtimin e 100-vjetorit të “Strehës së parë Vorfnore” në Shqipëri, një event zyrtar i Institutit që ai drejton prej më se 15 vjetësh. Tregon se si ministria aktuale e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, përmes drejtoreshës së Zyber Hallullit, arriti t’i grabiste projektin dhe ta përdornin vetëm për të grumbulluar fonde nga donatorët, e jo pak, por 24 të tillë, për një aktivitet që sikundër thotë ai, e ka realizuar me zero lekë. 
Zoti Çumani, ju drejtoni një organizëm joqeveritar. Cili është qëllimi i ngritjes dhe prej sa kohësh funksionon?
Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimeve të Shqipërisë është një operator shumë serioz dhe përfaqësues në spektrin e Shoqërisë Civile, që ka një aktivitet të ngjeshur që nga viti 2002. Merret me politika sociale, në mbrojtje të kategorisë së fëmijëve jetimë, organizon dhe monitoron gjithë veprimtarinë e organizatave që merren me fëmijët jetim. 

Thatë se kryeni dhe monitorimin, çfarë keni konstatuar deri tani?
Në fakt, fokusi i punës sonë ka qenë mbështetja dhe integrimi i shtresave sociale të fëmijëve në nevojë. Mbrojtja e tyre nga abuzimet e shumta që janë bërë me ta, abuzime që në këndvështrimin tonë kanë ardhur, jo vetëm nga disa organizata e shoqata abuzive, por më së shumti edhe nga institucionet shtetërore. Kjo është histori, sa e vjetër aq edhe aktuale. Jemi prej kohësh në një luftë pa kompromis ndaj të keqes, me abuzimet që i bëhen kësaj kategorie dhe për t’i mbrojtur dinjitetin. 

Si abuzohet, sipas jush, me këtë kategori?
Një nga objektivat e këtij Instituti, ka qenë ajo e vënies para përgjegjësisë të institucioneve dhe individëve që kanë pasur si target intimidimin e kësaj kategorie nëpërmjet abuzimit të tyre. Në mënyrë konstante ne kemi qenë në një betejë të hapur, pa kompromis me të keqen kundër këtyre. Për hir të së vërtetës, kjo kategori është pjesa më e lehtë për t’u shfrytëzuar, për t’u abuzuar, për shkak të rrethanave në të cilat ata ndodhen, në mungesë të një familje, pa shtëpi, janë fëmijë pa mbrojtje për shkak të statusit që ata kanë. Lufta jonë është kundër abuzimit me këta fëmijë, si ndaj organizatave joqeveritare që kanë abuzuar në mënyrë permanente me këta fëmijë, por edhe me institucionet shtetërore që e kanë me ligj dhe detyrë kushtetuese të jenë në mbrojtje dhe në ndihmë të këtyre fëmijëve. Historia e abuzimit me këta fëmijë, është një histori 27 vjeçare. Mund të them se vitet e fundit, jo se nuk janë bërë përpjekje për të përmirësuar standardet apo kushtet e institucioneve që merren me edukimin dhe rritjen e fëmijëve jetim, por kjo është vetëm një përpjekje sipërfaqësore, si më thënë një pikë në oqeanin e gjerë të halleve dhe problematikave të shumta që ka shtresa e fëmijëve jetim. 

Sa është numri i fëmijëve jetimë në të gjithë vendin?
Në të gjithë vendin sot numërohen 31 mijë fëmijë jetimë, të cilët kanë nevojë për mbështetje. Nuk mundet që këta 31 mijë fëmijë jetim në të gjithë vendin, të identifikohen në mënyrë abuzive me 30 fëmijë të një qendre që quhet “Zyber Hallulli”, e cila për fat të keq, është kthyer nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në një qendër pelegrinazhi, ku u bëhet thirrje vend e pa vend, bizneseve, fondacioneve, ambasadave, e ku ta di unë, që të zbarkojnë të gjitha donacionet në këtë qendër, që ka pak nevoja, sa për 30 fëmijë. 
Pse konkretisht ju i referoheni Shtëpisë së Fëmijëve “Zyber Hallulli”. Çfarë keni konstatuar?
Sepse është qendra ku institucionet e shtetit shqiptar e kanë përdorur dhe keqpërdorur këtë institucion për qëllime utilitare, qëllime komerciale. E kanë kthyer këtë qendër për të përqendruar vëmendjen e gjithë donatorëve, të gjithë bizneseve dhe individëve që kanë dëshirë të kontribuojnë si pikë referimi, një qendër që ka vetëm 30 fëmijë. Nuk mund të penalizohet komuniteti i fëmijëve jetimë në të gjithë vendin, që është pjesa më e madhe, me një qendër që ka 30 fëmijë, qendër kjo e administruar nga ministria që sot mban emrin Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale. Po ju them diçka: Kjo shtëpi fëmije, ashtu si dhe shtëpia e të moshuarve në Tiranë, por edhe qendra foshnjore “Hana dhe Rozafa” në Sauk të Tiranës, nuk i janë nënshtruar procesit të decentralizimit, siç i janë nënshtruar të gjithë qendrat e tjera në mbarë Shqipërinë. Pra, nuk i janë dorëzuar për administrim Bashkisë së Tiranës, ashtu siç ka ndodhur në të gjitha bashkitë e vendit. E dini përse?! Këto tre qendra, në mënyrë të qëllimshme, nuk janë kaluar në sistemin e decentralizimit, sepse Ministria e Mirëqenies Sociale, sot Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, këto tre qendra i përdor për të gjeneruar fonde ku të munden dhe si të munden, shuma marramendëse dhe të ardhura që nuk u dihet destinacioni. Dhe me fondet e grumbulluara abuzohet nga ana e institucioneve tona nga “grabitqarët”, shtetërorë, siç shpesh dhe me të drejtë i referohet kryeministri ynë fenomenit me korrupsionin dhe abuzimet.
Kjo është një akuzë e rëndë?
Përse çuditeni?! Ky është një realitet. Kjo është e vërtetuar me zë dhe me figurë që në kohën kur njëshi i këtij institucioni, Spiro Ksera u arrestua dhe u dënua për abuzimet me projektet fiktive në kurriz të të varfërve. Dhe unë po u jap rastin konkret. Isha duke u përgatitur që prej 3 vjetësh për kremtimin e 100-vjetorit të veprimtarinë së “Strehës së Parë Vorfnore”. Ngjarje kjo që ka të bëjë me një pjesë të historisë së rëndësishme të shtetit shqiptar. Një ngjarje që më ka bërë të hulumtoj për tre vjet në arkivat e bibliotekës amerikane, Instituti “Luce” në Itali, Instituti i Hartës në Francë, në fototekën “Marubi”, arkivin e ATSH së, AQSH, AQFSH, Biblioteka Kombëtare, në të gjitha arkivat e vendit dhe institucionet shtetërore, në arkivat e familjeve tiranase për të nxjerrë një histori të jashtëzakonshme që lidhet me humanizmin e popullit tonë.

Çfarë ndodhi?
Shteti im, shteti shqiptar, institucionet e shtetit shqiptar, kishin zero informacion për këtë ngjarje të madhe. Dy javë përpara se unë ta elaboroja këtë aktivitet në bashkëpunim me Presidentin e Republikës, z. Ilir Meta, të cilin e falënderoj për përgjegjësinë e tij dhe për ngritjen në një nivel të lartë të këtij angazhimi, u lidha me ministren e Shëndetësisë dhe të çështjeve sociale, Ogerta Manastirliu dhe me zv/ministren znj. Jaku, për t’i bërë këto institucione që të kenë angazhimin institucional, por mora me vete heshtjen. Kjo heshtje më la të kuptoj se ata nuk kishin vullnet për të bashkëpunuar, por kishin një strategji për ta keqpërdorur këtë nismë timen.

Si e kuptuat këtë?
Për dy javë, ata e prenë komunikimin me mua. Ato dërguan drejtoreshën e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”, për të bërë një tjetër aktivitet paralel me programin zyrtar të Institutit tonë. Arsyet për të cilën ato e bënë këtë gjë, në gjykimin tim, kanë të bëjnë me qëllime komerciale, për të kthyer këtë shtëpi fëmije në një pikë pelegrinazhi ku donatorë apo biznese, fondacione të ndryshme apo edhe ambasada të dhuronin, ashtu siç rëndomë kanë vepruar dhe veprojnë, duke besuar se kanë të bëjnë me shtetin. Dua të them se mungon transparenca për të gjitha këto donacione dhe nuk dihet se kush i përfiton, por unë di një gjë, që për një aktivitet, të cilin për dhjetë ditë ne, si organizatorë zyrtarë dhe kryesor të eventit na ka kushtuar zero lekë, si mundet që në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”, të mblidhen kaq shumë fonde për të njëjtin qëllim dhe jo pak por plot 24 donatorë. Kjo është një histori që vazhdon që nga koha e Spiro Kserës. Ky i fundit, në gjykimin tim, ishte maja e ajsbergut për të kuptuar se çfarë ndodh në institucionin që ai drejtonte. Unë u i bëj apel Kryeministrit që institucionet tona të shërbimeve sociale, nuk janë organizata joqeveritare dhe nuk mundet që të sillen si të tilla, për të grumbulluar fonde, por janë institucione politik-bërëse dhe ligj-zbatuese. Është e papranueshme që në këto institucione të ketë vend për individë grabitqarë, që kanë jo pak, por më shumë se 15 vjet, që janë në konflikt të hapur edhe me pozicionet që ata kanë në marrëdhënie pune me shtetin, sepse sipas informacionit që kam, ka ndonjë prej tyre që bën pjesë në drejtime dhe borde fondacionesh apo organizatash etj. Për këtë qëllim kam vënë në dijeni ministrin e linjës, kryeministrin, i kam dërguar mesazh, kam sqaruar të gjitha këto situata. I kam thënë të bëjë një reformë në këto institucione sepse grabitqarët i ka pikërisht në këto ministri. Të verifikojë ku kanë vajtur paratë e dhëna nga këta donatorë, përse kanë shërbyer këto fonde dhe pse duhet të keqpërdoret kauza e fëmijëve jetimë nga grabitqarë të tillë, të cilët në vend që të ndihmojnë shtresat e varfra i grabisin në këto mënyrë të paskrupullt e të rafinuar. 

Por këto fonde mund të shpërndahen edhe nëpër shtëpi të tjera të fëmijëve?
Absolutisht jo. Nuk ka ndodhur ndonjëherë kjo. Ju thashë pak më lart, është një rrjet i mirë që nga koha e Spiro Kserës dhe para tij, dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut. Ai rrjet ka ekzistuar edhe përpara Spiro Kserës. Në këtë ministri ka drejtoresha, të cilat janë në konflikt të pastër interesi, drejtojnë edhe OJF. Unë i bëj apel që rrjeta e “vetingut”, të “peshkojë” e pastrojë edhe këtë institucion, nga disa njerëz “të pushtetshëm”, që keqpërdorin pozicionin e tyre për qëllime komerciale. 

Instituti juaj nga financohet?
Ne marrim zero lekë nga shteti. Ne funksionojmë vetëm me programe, me projekte.

Kush i mbështet këto projekte?
Partnerët tanë, ata që shohin seriozitetin tonë, ata na mbështesin. Përndryshe ne stopojmë në vend. Fakti që kemi 15 vjet në mënyrë të suksesshme në tregun e shoqërisë civile, tregon se kemi nivelin më të lartë. I bëj thirrje KLSH të fillojë të bëjë auditin e 1 milion dollarëve për restaurimin e “Zyber Hallullit”. Nga aty ta fillojë, e më pas me projektet e tjera dhe programet e tjera. Dua të them se ka kaluar ajo kohë, kur vende të tilla të përdoren si pika pelegrinazhi për një grusht njerëzish, të cilët e mbajnë me thonj atë vend pune. Kryeministrit i bëj Apel të vendosë në shinat e decentralizimit tre qendrat aktuale në Tiranë. Qendrën e fëmijëve jetimë shkollorë “Zyber Hallulli”, Qendrën foshnjore “Hana dhe Rozafa” dhe Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë. Te tre këto qendra, duhet të çlirohen nga kthetrat e grabitqarëve të institucioneve tona, dhe t’i delegohen për administrim pushtetit vendor, pra Bashkisë së Tiranës. Unë nuk do të resht përpjekjet për të vënë para përgjegjësisë këta njerëz, që grabisin fondet e të pamundurve, të jetimëve. Dhe pikërisht atë ditë kur në Shtëpinë “Zyber Hallulli” organizohej ai aktivitet, policia arrestoi një fëmijë jetim të kësaj shtëpie, Fation Ormani, si përdorues te bimëve narkotike. Vetëm me këtë fakt, kupton se si qëndron situata me fëmijët jetimë në përgjithësi. Pra “Zyber Hallulli”, është një çadër që është ngritur për t’u mbushur mendjen donatorëve, se vetëm aty është problemi i fëmijëve, ndërkohë që aty janë vetëm 30 fëmijë dhe askush nuk e di se ç’bëhet në emër të tyre.