Gjon BRUÇI/ Është vendi…që të shkakton kruarjen!

626
Sigal

(Le të qeshim, meqenëse nuk qajmë dot)

 Avokatin e Popullit nuk e njoh personalisht. Por kjo nuk do të thotë se unë nuk kam të drejtë të flas për të. Kjo falë pozicionit që kemi ndaj njëri-tjetrit. Një pozicion ligjor i përforcuar me taksat që unë si pjesëtar i popullit paguaj për Avokatin në fjalë dhe gjithë stafin e tij, i cili na mbron, na ndihmon, na sugjeron, por dhe na….ngatërron. Për mos me thënë se nganjëherë edhe na tërbon. Siç qe dhe mufka më e fundit për martesën e homoseksualëve.

Kur ishte gazetar, e kam ndjekur zotin Totozani në shkrimet e tij në shtyp, të cilat sipas meje ishin shkrime problemore, të goditura dhe kurajoze. Ardhja në postin e Avokatit tim (të popullit) mua si qytetar më gëzoi.  Më në fund, thashë me vete, në krye të një institucioni që mundohet  të më përfaqësojë e mbrojë mua qytetarin e thjeshtë, erdhi një intelektual i vërtetë. Se gazetarët kurajozë unë i quaj intelektualë të mirëfilltë. Ata janë anëtarë të “kabinetit” të pushtetit të Katërt, pushteti i vetëm në Shqipëri, ku mund të gjesh njëfarë burrërie.

Por nuk vonoi dhe zhgënjimi mu qas pranë. E gjithë puna e lufta e tij në atë post mbeti vetëm në konstatime e sugjerime për pushtetin ekzekutiv. Këto konstatime e sugjerime u ngjanin disa raporteve të para nëntëdhjetës, kur kritika më e madhe ndaj kryetarit, apo drejtorit thoshte: “Në të ardhmen shoku kryetar (drejtor) duhet të punojë akoma më mirë….”

Nga frika se zhgënjimi do të trashej, e lashë mënjanë punën e avokatit  në fjalë, i sigurt se po të më zinte rreziku, më mirë i fusja ndonjë monedhë policit të lagjes, apo prokurorit të çështjes, se sa ndonjë ankesë Avokatit të Popullit. Vërtet ai paguhet bajagi nga taksat tona, por realisht nuk ka asnjë mundësi të më dalë Zot përballë makinës së stërmadhe të shtetit, që të shtyp me fadromë edhe në paç njëzet avokatë kësisoj. Dhe kështu do të kisha vijuar të heshtja gjatë gjithë mandatit të zotit Totozani,  e madje edhe për mandatet e pasardhësve. Fundja, i futa një mendje të lehtë vetes: Kur shkojnë gjithë ato taksa për shtetin, pa e marrë asnjëherë shërbimin si duhet, le të shkojë dhe ajo e avokatit tim. Të paktën ngushëllohem virtualisht se e kam një “engjëll mbrojtës”!

Por ja që indiferentizmin tim e lëvizi nga vendi propozimi më i fundit i Avokat Totozanit për martesën e komunitetit të LGBT-së.  Propozim, i cili siç duket do t’i vijë ndihmë qeverisë së re për të lehtësuar borxhin në rritje, lënë nga shemra e saj, ditën kur ra nga fiku. Ideja e avokatit tonë është mjaft pragmatiste: Kriza  financiare vjen nga boshatisja e portofolit. Sidomos e portofolit që mbahet në xhepin e mbrapëm të pantallonave, . . .  domethënë pas prapanicës. Dhe miratimi i një ligji që rregullon prapanicën, ndikon edhe tek portofoli  pranë saj. Aferim! Një zgjidhje adekuate për situatën. Dhe jo vetëm kjo arsye. Është dhe një nga kërkesat e BE për t’u pranuar në oborrin e saj. Lum si ne, se çfarë oborri kemi zgjedhur për të mrizuar….

Avokatin tim, d.m.th. të popullit, siç e ceka në krye, nuk e njoh personalisht, por e kam ndjekur nëpërmjet shkrimeve në shtypin e ditës dhe e kam admiruar. Ndaj dhe propozimi i tij pervers më shokoi. Ç’pati  ky  intelektual që u dalldis pas një dyzine  homoseksualësh, të  cilëve, nga që janë pa punë, u kruhet prapanica? Dhe për të rregulluar prapanicën e tyre, u dashka prishur kjo e jona? Vërtet  ajo, d.m.th. prapanica  është personale dhe mund të përdoret sipas shijeve të secilit, por nuk  mund të  kruhet në çdo vend. Hallexhiu futet në banjo, në dhomën e tij, apo dhe në shkurret e pyllit dhe e kruan. Por jo me Kushtetutën dhe kodet tona të familjes të cilat qysh se jemi ndarë nga shimpazeja e kemi bërë “nalet” këtë veprim që as kafshët e egra nuk e qasin.

Për një moment dyshova, se mos vetë avokati ynë është pjesëtar ilegal i komunitetit në fjalë dhe tani që është në postin e lartë kërkon të miratojë ligjin për t’u martuar me “dashnorin” e tij. Por dyshimi  avulloi shumë shpejt, sepse admirimi im për ish gazetarin e mirëfilltë, sot avokat i të gjithëve ishte më i fortë. Atëherë ç’ka ndodhur me zotin Totozani?

Nuk vonova për ta zgjidhur enigmën, sepse ndërkaq m’u kujtua një ngjarje në formë barsolete, treguar nga një shok vite më parë. Një ekip mjekësh, i të gjitha fushave nga Europa perëndimore, kishin ardhur në vendin tonë për të verifikuar thashethemin se në “x” qytet kishte individë, që thënë shqip, u kruhej menderja. Bëhet fjalë për ato vite, kur në Europë ende nuk ishte krijuar komuniteti i tyre i “lavdishëm”. Kur iu afruan qytetit, njëri nga mjekët për arsye “urgjente” ndaloi mikrobuzin me të cilin udhëtonin dhe zbriti të lirohej e të shpëtonte nga halli. Kërkoi “tualetin”, por një fshatar që u ndodh buzë rrugës i tregoi një fik të madh midis arës së misrit, i vetmi vend, ku mund të fshihej nga sytë e botës. Mjeku  perëndimor shkoi rrëzë fikut, mbaroi punë dhe në mungesë të letrës higjienike, përdori një gjethe të madhe fiku. Pesë minuta mbasi kishte rihipur në mikrobus, ndjeu të djegura në prapanicë dhe nevojën të kruhej. “Ndaloni zotërinj, – foli më zë mjeku në fjalë, – nuk është nevoja të vijojmë më tej. Këtu vetë vendi të bën të kruhesh në.…”. Dhe ekipi u kthye andej nga kishte ardhur pa qenë nevoja të hulumtonte më gjatë për çështjen në fjalë.

Nuk ka faj Totozani. Gjithë e keqja vjen nga karriget qeveritare. Sapo ulesh mbi to, të kruhet menderja. Ndaj dhe nëpër zyrat e shtetit kemi aq shumë anëtarë të LGBT-së, sa është vështirë t’i trajtosh. Përveçse me një ligj të veçantë, siç propozon avokati ynë.

Dhe ligjin në fjalë, ne do ta kishim pranuar si për komunitetin  e përhershëm  të LGBT-ve dhe për ata të përkohshmit, d.m.th. zyrtarët. Por me një konditë: Muajin e mjaltit dhe gjithë martesën ta konsumojnë diku nga Uralet, apo në pyjet e Amazonës, ku kanë kushërinjtë e tyre të hershëm.

Të më falë lexuesi që u mora me këtë problem sa qesharak, aq dhe pervers. Por fundja, kur merret  me të një Avokat Populli, pse të mos merrem unë qytetari i thjeshtë? Aq më tepër, kur bëhet fjalë për prapanicën, të cilën secili e mbron me forcat e veta. Tung!