Gjenerali me shajak

1065
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Në shërbim të interesave të Atdheut
Në sajë të detyrës dhe detyrimit që kemi përballë historisë sonë ushtarake e kombëtare, në vijimësi kemi shkruar dhe propaganduar trashëgiminë, që përbën dhe thesarin më të çmuar të traditave heroike. Në procesin e pandërprerë të pasqyrimit të veprimtarisë të figurave historike dhe të ngjarjeve madhore të popullit dhe të ushtrisë sonë kombëtare, Elez Isufi i përket asaj plejade, që i kuptoi kërkesat e shenjta të popullit, interesat e larta te Atdheut dhe nevojat e domosdoshme të kombit. Kështu ai u vu në shërbim të tyre, me gjithçka mundi e gjithçka pati. Për jetën dhe veprën e Elez Isufit, është shkruar dhe përshkruar me tërë madhështinë e saj. Veprën legjendare dhe portretin e tij në shumë dimensione kombëtare e ka përcaktuar shumë qartë dhe në mënyrë profesionale Prof. Hysen Kordha. Duke studiuar rreth kësaj figure kombëtare shikon me objektivitet dhe vërtetësi rolin, kontributin e çmueshëm të Elez Isufit në rrjedhën e ngjarjeve historiko-politike të kombit tonë. Por, portreti i tij si udhëheqës popullor, madje dhe shpirtëror, e bëjnë atë një nga figurat më të dukshme në skemën e jetës politike shqiptare në çerekun e parë të shek. XX. Për Elez Isufin është shkruar dhe do të shkruhet. Figura e tij është shumë dimensionale dhe nuk mund të ezaurohet, pasi galeria e veprës së tij të gjithanshme, ka mbetur e fiksuar në mjaft dokumente të kohës.

Në detyrën e Komandantit të Ushtrisë
Në ngjarjet politike të vitit 1921, 97 vjet më parë, roli i tij në historinë kombëtare, kur për shkak të sulmeve të vijueshme serbe dhe të depërtimit të forcave të tyre në brendësi të territoreve të shtetit shqiptar, sidomos në zonat verilindore, situata u bë kërcënuese dhe me pasoja të rrezikshme, për pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit e të popullit shqiptar. Në këtë vit u shqua roli i tij parësorë me qëndresën heroike në malet e Dibrës. Në këtë situatë të rëndë e të rrezikshme, si dhe kërcënuese për Shqipërinë, qeveria shqiptare e bindur në atdhetarizmin e shqiptarizmin e Elez Isufit, i besoi dhe i ngarkoi atij detyrën e Komandantit të Ushtrisë. Kjo ushtri e përbërë nga civilë dhe nga forca të rregullta organizoi qëndresë dhe bëri përballimin e sulmeve të vijueshme të ushtrisë serbe. Në saj të drejtimit të Isuf Elezit u organizua kundërmësymja dhe u dëbuan pushtuesit serb, jashtë kufijve politikë, duke bërë sigurimin e tërësisë territoriale të shtetit shqiptar. Roli i tij në këtë periudhë ishte i përmasave kombëtare. Si qeveria shqiptare, ashtu dhe të gjitha forcat politike e shoqërore të vendit shprehën besimin e duhur dhe simpatinë për vetitë dhe cilësitë e larta të Elez Isufit. Në këtë organizim ushtarak dhe shoqëror, ai u shqua për mprehtësi dhe aftësi organizative e komanduese, u bë model i një lideri popullor, i një strategu ushtarak, duke i njohur edhe peshën e tij në jetën politike. Atij i çmohej fjala, besa dhe e vlerësonin, ndaj dhe i dhanë në ato momente vendin dhe rolin e drejtuesit të lëvizjes e të luftës çlirimtare për dëbimin e okupatorëve serb. Ndaj dhe si gjithnjë triumfoi në misionin që drejtoi, që udhëhoqi e komandoi. Hoxha Kadriu dhe Ismail Strazimiri duke vënë në dukje këtë fakt të rëndësishëm dhe vendimtar për fatet e Shqipërisë, e vlerësonin lart rolin e Elez Isufit, për kurorëzimin me sukses të strategjisë dhe taktikës së luftës çlirimtare shqiptare antiserbe gjatë vitit 1921. Në këto kohëra serbët sulmonin gjithnjë viset Lurë, Reç, Dardhë dhe Lumë. Elez Isufi, si gjithnjë i gatshëm kur e thërriste zëri i atdheut, në krye të trupave luftarake shqiptare, jo vetëm organizoi qëndresë, por përballoi me heroizëm të pashoq sulmet e njëpasnjëshme të ushtrisë serbe, dhe projektoi e organizoi kundërmësymjen e trupave shqiptare. Në krye të trupave shqiptare, ai arriti të thyente dhe të zmbrapste trupat pushtuese serbe, të cilat në rrëmujë të plotë dhe për të shpëtuar kokën u tërhoqën në panik. Elezi Isufi e ndiqte me shumë kujdes e vëmendje situatën, dhe pa rënë në vetëkënaqësi e euforizëm, me mençurinë e një politikani atdhetar, me mprehtësinë e një strategu ushtarak, krahas ndjekjes së pushtuesit, në cilësinë e përfaqësuesit të shtetit shqiptar, merrte në dorëzim tokat shqiptare dhe, kudo që kalonte, i pritur nga populli shqiptar si triumfator dhe shpëtimtar, merrte masa për garantimin e sukseseve dhe fitoreve të arritura në fushat e betejave.

Ishte njëri prej kreshnikëve shqiptarë
Në mjaft dokumente të kohës evidentohet roli i jashtëzakonshëm dhe përgjegjësia e madhe e Elez Isufit në skenën e ngjarjeve politike ushtarake, e veçmas të asaj periudhe delikate e të vështirë që kalonte Shqipëria e populli shqiptar. Në librin e Ismail Strazimirit “Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë”, gjenerali popullor, Elez Isufi zë një vend të veçantë në mjaft faqe dhe dokumente të kohës. Në këto dokumente Shqipëria dhe gjithë populli shqiptar çmonin dhe vlerësonin “gjeneralin me shajak”, siç u quajt dhe mbeti në histori, kreshniku që nuk rreshti së punuari dhe luftuar për nderin e triumfin e shqiptarizmës, për çështjen e vendit dhe të kombit. Në një dokument, i cili në vetvete përbën një njoftim që Elez Isufi i dërgonte nga Luma-Bicaj, Kryeministrisë në Tiranë, me të cilën e vinte në dijeni dhe e lajmëronte mbi zhvillimin e situatave, dhe mbi të gjitha, për tërheqjen e trupave pushtuese serbe nga territoret shqiptare. Njëherazi, ai e vinte në dijeni, mbi gjithçka që e vlerësonte të nevojshme për interesat e vendit e te momentit historik. Njoftimi ka mjaft aspekte dhe pasqyron probleme të kohës. Në një njoftim që kishte marrë Elez Isufi nga komanda e ushtrisë serbe, e cila tërhiqej e mundur nga tokat shqiptare. Ushtria serbe e detyruar, njoftonte Elez Isufin, sepse e njihte për kundërshtar dhe ja dinte vlerat dhe peshën e fjalës. Armiku tek ai, shikonte njërin prej kreshnikëve shqiptare që u kishte prerë njëherë e përgjithmonë vrullin synimeve të tyre shoviniste e ekspansioniste. Ai u kishte ndaluar hovin inkursioneve të tyre, dhe i kishte thënë ndal çdo sulmi, duke zmbrapsur tërë ekspeditat e tyre ushtarake. Komanda serbe e lajmëronte se do të tërhiqej nga gjithë toka shqiptare brenda një afati sa më të shkurtër. Dhe kjo për herë të parë i njoftohej botërisht Elez Isufit. Nga ky njoftim i ushtrisë armike, del qartë se ajo njihte luftën e kreshnikut shqiptar, duke njohur mirë rolin e tij në rrjedhën e ngjarjeve historike edhe në momente kur vendosej fati i Shqipërisë.

Mesazhe që shkojnë në përjetësi
Elez Isufi e njoftonte Kryeministrinë edhe për masat që po merrte. Në radhë të parë ai po marrte në dorëzim tokat shqiptare, deri atëherë të pushtuara nga armiqtë serb. Në dokument pasqyrohet gëzimi i pa përshkruar i popullit dhe pritja madhështore, që banorët e zonave i rezervuan Elez Isufit, trimit legjendare dhe sypatrembur në krye të trupave shqiptare. Në dokument del dhe vlerësimi e ndjenja e mirënjohjes që populli i shprehte qeverisë, ku natyrisht gjente veten e vet dhe Elez Isufi që kreu detyrat e ngarkuara nga qeveria dhe shteti shqiptar. Kjo e mbushte me krenari, por edhe me detyrimin për të zgjidhur detyrat e reja që po krijoheshin për shtetin shqiptar. Ndaj dhe e vinte në dijeni qeverinë shqiptare se “mbasi të lidhim besën që kërkon nevoja e shtetit dhe e qeverisë shqiptare” do të kthehej në Dibër. Pra, vetëm pasi të përmbushte me nder deri në fund detyrat ashtu siç e kërkonin interesat e Atdheut, Elezi do të kthehej në Dibër. Bij, si Elez Isufi, që për interesat e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar nuk kishin asnjë interes tjetër, janë të rrallë në historinë kombëtare. Ai e njoftonte Kryeministrinë, se nuk do të largohej nga zona pa organizuar lidhjen e besës, të cilën e shihte dhe e vlerësonte me të drejtë si një domosdoshmëri, që e diktonin dhe e kërkonin “nevojat e shtetit e të qeverisë shqiptare”. A nuk është kjo një dëshmi e largpamësisë dhe e mençurisë së politikanit e atdhetarit, që dallonte në vorbullën e ngjarjeve hallkën për të zgjidhur detyrën në interes të Atdheut? Elez Isufi gjithçka e llogariste dhe e peshonte në kuadrin e interesave të shtetit dhe të kombit, ndaj populli dhe kombi e fiksuan në kujtesën kombëtare veprën e tij. Ajo është bërë pjesë e vetëdijes historike duke ua transmetuar brezave në përjetësi këto mesazhe.
Sigal