Firma “PEVLAKU” rrëmben 10 milionë dhe ikën në drejtim të paditur

197

Bardhyl Berberi


 Një skandal i radhës me rrugët në Shqipëri. Rruga aq e përfolur për abuzime
Lin-Pogradec, e cila ende nuk është përfunduar prej disa ditësh është braktisur
nga firma PEVLAKU, që po kryente ndërtimin e saj. Ajo madje ka tërhequr të
gjitha makineritë dhe prej disa ditësh është larguar, duke mos lënë asnjë njoftim
në autoritetet përgjegjëse.

Ka qenë segmenti Lumi i Terhanit deri në Pogradec, i gjatë 950 m me një
kosto prej 9.5 milionë dollarë, e cila sipas burimeve zyrtare ka marrë 99 për qind
të fondit limit. Secili që vjen në Pogradec përballet me ato 950 m rrugë të
shkatërruar, e cila është bërë shumë më keq se kur ishte më parë. Çuditërisht
heshtet nga autoritete lokale dhe qendrore, ndërsa drejtuesit e mjeteve
mallkojnë deri në kupë të qiellit kur makina e tyre bie në ndonjë gropë. Padyshim
që largimi i firmës megjithë makineritë është një skandal i radhës dhe duhet
pyetur drejtori i rrugëve se çfarë ndodh me këtë segment kaq jetik dhe të domosdoshëm
me një kosto të majme prej 9.5 milion dollarë thjesht dhe vetëm për të shpëtuar
dy bunkerë të Luftës së Parë Botërore. Shqiptarët janë të ngopur me bunkerë
deri në grykë, i kanë në mes të arave dhe parqeve nga ato që mbolli sistemi
komunist. Padashur mu kujtua një fqinji im që ka ikur në Amerikë e pyeste të vëllain:
A i more pronat tona? – I mora, i përgjigjet me humor vëllai në Shqipëri, përveç
9 dynymë tokë dhe 5 bunkerët në arat tona. E tregova këtë shembull për të
treguar se shqiptarët janë të ngopur me bunkerë po dikujt i vajti ndërmend për
të shfrytëzuar këto dy bunkerë që për 950 metro të hynin në lojë 9.5 milionë
dollarë. Por çudia është se dhe me kaq shumë dollarë që po hidhen në bregun e liqenit,
sërish firma zhduket… Dikush thotë me humor se firma ka ikur megjithë
makineritë janë në drejtim të paditur ndaj të kërkohet ndihmë nga Interpoli për
ta gjetur, që ta mbarojë këtë rrugë, që është bërë gangrenë jo vetëm për
pogradecarët, por edhe për pushuesit e shumtë.