Fillimet e Shërbimit Informativ

145
Nga Ergys ALUSHI

Njësitet guerile gjatë Luftës së Dytë Botërore që vepronin në qytetet kryesore të vendit, ishin jo vetëm bërthama të ushtrisë partizane që u krijua në vend, por edhe fillimet e shërbimit Informativ. Njësitet guerile kishin për qëllim të dëmtonin prapavijën e pushtuesve, të vrisnin drejtues të lartë fashistë në qytete e kundërshtarë shqiptarë të komunizmit, të kryenin aksione për dëmtimin e pushtuesit si djegie magazinash me armë, depo municionesh apo dhe rrëmbime makinash shkrimi e bazë tjetër material në shërbim të luftës por edhe ndërprerje të lidhjes telefonike. Aksionet zhvilloheshin në konspiracion të thellë, befasi e duke shfrytëzuar njohjet e rrugicave e shtëpive të qytetit, bazat ku strehoheshin, mbështetur mbi informacionet që grumbulloheshin nga shqiptarë që punonin në radhët e pushtuesve. Por, detyra e njësiteve guerile ishte që të evidentonin, verifikonin dhe zbulonin edhe njerëzit që pushtuesit apo zbulimet e huaja fusnin në radhët partizane e njësitet guerile.

“Varka” dhe nëndetësja që vinte në gjirin e Vlorës
Në vitin 1942, pasi Shërbimi i operacioneve special ekzekutive (SOE), agjentët e të cilit ishin njerëz të stërvitur e të sprovuar në luftën klandestine, pasi përgatiti oficerin Italian Ernesto Bruno, me pseudonimin “Varka”, që shërbente në garnizonin e Sazanit, organizoi “dezertimin” e tij. Alibia e “dezertimit” ishte sajuar bukur dhe nuk linte dyshime. Ai kishte vrarë komandantin e tij italian në ishull, sepse komandanti e kishte ofenduar rëndë për nga familja e nderi. Por, ishte edhe koha që nga radhët e ushtrisë italiane në Shqipëri kishin filluar dezertimet e ushtarëve e oficerëve që ishin kundërshtarë të fashizmit. “Dezertori” mbërriti në çetën partizane të Vlorës, në “Çetën Plakë”, por edhe pse e tregoi në mënyrë bindëse alibinë e tij të dezertimit, u vendos në vëzhgim dhe do të verifikohej arsyeja e dezertimit të tij. Në të tilla kushte “Varka” e kishte të pamundur të ishte aktiv në grumbullimin e të dhënave dhe dërgimin e tyre për në qendrën nga ku e kishin nisur. Ditët kalonin njëra pas tjetrës dhe shefi i tij në ishullin e Sazanit, filloi të shqetësohej, sepse i duheshin informatat për lëvizjen e Çetës dhe njerëzit që merrnin pjesë në të. Për të mësuar rreth fatit të “dezertorit” me pseudonimin “Varka”, shefi italian hodhi në veprim agjentin e tij në qytetin e Vlorës, vlonjatin me inicialet H.H., i cili njihej si “aktivist” i Lëvizjes Nacional-Çlirimtare. Këtij agjenti iu tha dhe e vërteta se “Varka” nuk e kishte vrarë komandantin, por ishte sajuar alibia me qëllimin që ai të hynte në Çetën e Vlorës e të dërgonte prej andej informata. Por, nga ana tjetër edhe drejtuesit e Çetës kishin arritur të mësonin se në ishull nuk ishte vrarë asnjë komandant italian dhe se “vrasësi” që kishte “dezertuar” ishte njeri i dyshimtë dhe për diçka ishte ngarkuar të kryente në radhët e Çetës.

Pas kësaj “Varka” u kap në flagrancë duke grumbulluar informata të rëndësishme. Në gjyqin që iu bë ai pranoi se ishte në shërbim të anglezëve nga komandanti i forcave ushtarake në Sazan dhe mbante lidhje me qendrën SOE pranë komandës aleate të Mesdheut, në Kajro, me ndihmën e një nëndetëseje, që vinte shpesh në gjirin e Vlorës, për të marrë informatat nga agjentët e saj dhe për t’u dhënë atyre detyrat.

Nëndetësja misterioze e gjirit të Vlorës
Dëshmi të shumta, nga njerëz të ndryshëm, në vende të ndryshme, kanë treguar gjithnjë për një nëndetëse që e vizitonte shpesh gjirin e Vlorës, por asnjëherë nuk është mësuar qëllimi i saj. Mund të jetë e njëjta nëndetëse që vinte gjatë Luftës së Dytë Botërore për të grumbulluar informacionet si edhe pas Luftës, deri sa ditën e 11 prillit 1959 u pikas e u rrethua për t’u qëlluar Brenda gjirit të Vlorës. Nëndetësja kishte dalë paksa në sipërfaqe, ndoshta me qëllimin për të zbuluar më shumë në zonë, për të dhënë një shenjë prezence, ndaj edhe u diktua nga banorët e Orikumit, që në pjesën më të madhe të tyre punonin në bazë. Në operacionin kundër kësaj nëndetëseje, drejtues të Flotës Detare, tregojnë se janë hedhur shumë predha për ta asgjësuar atë, por ajo arriti të dalë pa u dëmtuar nga ujërat territoriale shqiptare. Ishte pikërisht kjo nëndetëse, që në vitin 1961, dy vjet pas incidentit në det me nëndetëset shqiptare, shërbeu në gjyqin kundër Komandantit të Florës Detare të asaj kohe, për ta akuzuar kundraadmiralin shqiptar për tradhti të lartë ndaj Atdheut. Gjyqi e dënoi Teme Sejkon me pushkatim, ndërkohë që misioni i nëndetëses së huaj në gjirin e Vlorës, vazhdon të mbetet mister edhe sot e kësaj dite. 

Italiani “simpatizant i komunizmit”
Në dhjetor të vitit 1942, në një urdhër të lëshuar me numër protokolli 98/S konsulli italian Corzano dhe prefekti Tahir Kolgjini, pasi ranë në marrëveshje me SIM-in përgatitën dhe nisën për në Kurvelesh një italian, “simpatizant i komunizmit”. Ai Shkoi në Kurvelesh si dezertor i ushtrisë italiane. Në një nga ditët e qëndrimit në mal me çetën partizane italiani i dha një letër një fshatari për ta çuar në Himarë te një “miku” i vet. Këtë letër “miku” nga Himara do t’ia dërgonte në Itali “familjes”. Letra ishte shkruar italisht dhe vetëm njeriu, të cilit i dërgohej ishte në gjendje ta deshifronte. Në të thuhej se ndodhej në një vend jo shumë larg Korfuzit, ku kishte portokalle dhe pak ullinj. Kërkonin ta fejonin, por nuk kishte të holla me vete, ndaj do të bënin mirë që t’i dërgonin 2000 mijë lireta. Përmbajtja e letrës shkaktoi dyshime te njerëzit në çetë që e mbanin në vëzhgim “simpatizantin e komunizmit”. Ata e deshifruan përmbajtjen e letrës. “Partizani” italian informonte për gjendjen në Kurvelesh dhe në krahinën e bregdetit. Me fjalën portokalle nënkuptonte partizanët, me pak ullinj elementët fashistë, dhe me lireta ushtarët italianë që do të mjaftonin për asgjësimin e çetës. Ai u ekzekutua dhe ja se si raportohet ekzekutimi i tij nga komanda e çetës : “…këto ditë ekzekutuam në mënyrë konspirative (por me dijeni të Këshillës së Kuçit ) një ushtar italian, pasi na u dha të kuptonim nga shumë fakte, sidomos nga dy letrat që ky drejtonte në shtëpi (po ju dërgohen) se ishte agjent i fashizmit. U bë mbledhja e të gjithë shokëve (atyre të celulës, qendrës dhe atyre të çetave ) dhe u vendos me zëra të përbashkët që të ekzekutohej në largësitë e fshatit tonë…”

Zbulimi dhe vrasja e njeriut që vrau Koci Bakon
Ditën e krijimit të PKSH, më 8 nëntor 1941, në Korçë u zhvillua një demonstratë e madhe qytetare për të kundërshtuar arrestimet masive që fashistët po kryenin në Tiranë. Demonstrata edhe pse nisi paqësore përfundoi me përleshje të pjesëmarrësve dhe karabinierëve. Në përleshje e sipër, mbeti i vrarë Koci Bakoja, i cili njihet edhe si dëshmori i parë komunist. Vrasja u krye me armë zjarri, duke shkaktuar zemërimin e njerëzve, por edhe të familjarëve e shokëve të të ndjerit. Për ta shpëtuar nga hakmarrja, italianët e transferuan karabinierin që qëlloi dhe shkaktoi vdekjen e Koci Bakos, nga Korça për në Vlorë. Transferimi u krye i fshehtë, me qëllimin për të humbur çdo gjurmë të njeriut të tyre që kishte filluar të kërkohej nga komunistët. Por me gjithë kujdesin e madh për ta mbajtur të fshehtë gjithçka, në Korçë u mësua për transferimin e vrasësit dhe për këtë u lajmërua Komiteti Qarkor i Vlorës. Vendimi ishte i prerë: Të ekzekutohej! Vendimi iu ngarkua njësitet gueril të Vlorës, meqenëse ata të Korçës nuk mund të vepronin në Vlorë. Drejtuesit komunist të Vlorës caktuan një grup që do të kryente ekzekutimin e njeriut që kishte shkaktuar vdekjen e Koci Bakos. Atentatet në Vlorë sapo kishin filluar dhe ky ishte nga rastet e para. Vështirësia e atentatit ishte e madhe, pasi njeriu që do të ekzekutohej nuk njihej fizikisht. Dihej vetëm emri i tij dhe karakteristikat e jashtme; I. Panariti, 35 vjeç, mbi 1.70 cm i gjatë, pak i shëndoshë, me dhëmbë të florinjtë që i dukeshin kur fliste. Për të arritur në identifikimin e tij mbahej në vëzhgim qendra e karabinierisë në Vlorë, duke vështruar me kujdes çdo karabinier që hynte e dilte prej andej. U desh disa ditë për ta gjetur, pasi njeriu që kërkonin shërbente në orët e vona të natës dhe hante e flinte brenda në repart, me qëllimin që të mos shihej shumë në qytet. Ditën që u zbulua, karabinieri doli nga reparti bashkë me një karabinier tjetër dhe të dy së bashku drekuan në një restorant pranë bashkisë së qytetit (sot, Muzeu historik i Vlorës). Edhe pse kishte ndërruar emrin me të cilin shërbente në karabinierinë e Vlorës, nëpërmjet verifikimit të të dhënave, u mësua se ai ishte njeriu që kërkonin dhe në të tilla kushte u përgatit ekzekutimi i tij. Atentati iu krye një natë dimri të vitit 1941, ndërsa ai po kthehej nga restoranti për në repart, pranë qendrës së qytetit, ku u qëllua nga dy njerëz të ngarkuar me short nga njësiti gueril i Vlorës. Fillimisht vrasja e këtij karabinieri shkaktoi habi, pasi nuk njihej në Vlorë, por shumë shpejt u mësua se kush ishte dhe se ishte kryer si hakmarrje për një vrasje të kryer prej tij në Korçë.