Ekosistemi natyror i Bunës, një nga më të veçantët në Shqipëri

3850
Lumi Buna ndodhet në segmentin fundor jugperëndimor të kufirit shqiptaro-malazez. Ky lum buron nga Liqeni i Shkodrës, fare pranë qytetit të Shkodrës, ndërmjet kodrës së Kalasë Rozafa dhe Malit të Taraboshit. Buna është i vetmi emisar i Liqenit të Shkodrës.
Buna në fillim drejtohet nga jugu, rrëzë Taraboshit, më tej ajo gjarpëron drejt perëndimit e më pas merr përsëri drejtimin drejt jugut, derisa derdhet në Detin Adriatik. Kufiri shtetëror ndërmjet Shqipërisë dhe Malin e Zi përshkon së gjati Bunën nga fshati Samrish në Shqipëri dhe Goricë në Mal të Zi, duke vazhduar deri në grykëderdhje. Lumi ka gjatësi 44 km dhe rrjedh përgjatë fushave të Bregut të Bunës ku përfshihen Fusha e Anamalit në të djathtë të lumit dhe Fusha e Trushit bashkë me fushën e Velipojës në të majtë. Fushat e Bregut të Bunës karakterizohen nga rijë klimë mesdhetare fushore, me reshje 1600-1800 mm në vit dhe me temperaturë mesatare të ajrit 16-18 gradë C, me ekstremin minimal absolut 0 °C deri në -4 °C. Buna është i vetmi lumë i Shqipërisë me deltë natyrore të vërtetë. Në deltën e tij ndodhet ishulli Ada, i cili e ndan lumin në dy degë derdhëse për në det. Ada dhe dega e djathtë i përkasin Malit të Zi. Ishulli Franc Jozef dhe ishulli pa emër të cilët ndodhen fare pranë Adës, i përkasin Shqipërisë. Lumi Buna fillimisht merr ujë nga Liqeni i Shkodrës, i cili furnizohet kryesisht nga Lumi Moraça që ndodhet në Mal të Zi, e me një degë të tij të quajtur Lumi i Cemit, në Shqipëri. Në largësi 1,3 km nga dalja prej Liqenit të Shkodrës, Buna bashkohet me lumin Drin. Degët kryesore të Drinit janë Lumi i Shalës në alpet shqiptare, Valbona në verilindje të Shqipërisë, Drini i Bardhë në Kosovë dhe Drini i Zi në Maqedoni. Ky i fundit del nga Liqeni i Ohrit, i cili siç dihet furnizohet me ujë nga Liqeni i Prespës. Në pjesën fundore të Drinit derdhet Lumi Kir i cili buron nga Dukagjini. Siç shihet, Lumi Buna merr ujë nga një rrjet hidrografik shumë kompleks, që shtrihet gati në 1/5 e Gadishullit të Ballkanit, në Shqipëri, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni dhe Greqi. Ndonëse Buna është lum tipik fushor, i karakterizuar si pjesërisht i lundrueshëm, ai grumbullon ujëra nga një territor i theksuar malor. Lartësia mesatare e këtij pellgu të përgjithshëm është 909 m mbi nivelin e detit. Nga Ana e Malit derdhen në Bunë një numër i madh përrenjsh, më i gjati i të cilëve është Përroi i Millës me gjatësi 25 km dhe pas tij Përroi i Megjureçit me gjatësi 21,6 km. Në Bunë derdhen edhe ujërat e Liqenit të Shasit, në Mal të Zi, nëpërmjet Vijës së Shëngjergjit. Nga rrjedha, gërryerja e pakët (0,12 m/km) dhe nga masa e materialeve të ardhura nga lumi Drin, Buna ka ndërruar shpesh herë shtratin e saj. Prurja mesatare vjetore e Bunës arrin 670m kub/sek, kjo e bën këtë lum të jetë me prurjen më të madhe në Mesdheun verior. Me këtë lum lidhet liqeni me detin, për këtë disa peshq vijnë nga deti duke ngjitur lumin hyjnë në liqen për të vendosur vezët.Resurset e lumit janë pra peshqit: krapi, qefujt, karasi, njala, kubla, blini. Ekosistemi natyror i Lumit Buna vlerësohet si një nga më të veçantët në Shqipëri, por edhe në mbare rajonin dhe dallohet për pasurinë e saj të florës dhe faunës, llojet e veçanta të gjallesave, si dhe është një nga tre rrugët kryesore të migrimit të shpendëve në Evropë. 
“E gjithë sipërfaqja që përfshin Bunën cilësohet si një nga zonat më të pasura dhe të veçanta në vendin tonë”
Bimësia ujore makrofite e lumit Buna përbëhet nga gjinitë kryesore si Potamogeton, Myriophyllum, Najas, Vallisneria, Nuphar e Nymphea (zambakë të ujit), Trapa (arra e ujit) Nymphoides, Phragmites (kallamishtet) dhe Typha (shavari). Ndër bimët ujore të kërcënuara janë Sagittaria, sagittifolia, Hydrocharis, morsus-ranae, lemna trisculata, Baldelia ranunculoides, Utricularia vulgaris, Nymphea alba, Trapa natans, etj. Këto bimë janë të përhapura në ujërat e cektë dhe në sipërfaqet kënetore të Bunës.

Bimësia pyjore ka qenë shumë më e përhapur se sot. Faktor kryesor për degradimin e saj ka qenë urbanizimi dhe shpyllëzimi për bujqësi. Për pasojë është rritur rreziku i erozionit duke detyruar banorët e brigjeve të lumit Buna të mbjellin drurë pyjorë. Përgjatë brigjeve gjendet një sipërfaqe pyjore me moshë të rreth 20 ha, e cila përbëhet nga shelgjet, plepat, akaciet, marinë, konopicë, etj. Bimësi pyjore të mirëfilltë, gjejmë në brigjet e lumit në Rezervatin e Velipojës, Ishullin e Adës e Franc Jozef, në fshatra9.JPGt Reç, Sutjel, Shënkoll, etj. Bimësia e sipërfaqes pyjore përbëhet kryesisht nga plepat (Populus), shelgjet (Salix), frashëri (Fraxinus), dushqet (Quercus), rrushkulli (Ruscus), akacia (Robinia), thana (Cornus), shkoza (Carpinus), marina (Tamarix), etj.
Bota shtazore është e pasur me lloje të ndryshme insektesh, molusqesh, bretkosash, gjarpërinj e breshka uji, peshqish, shpendësh e gjitarësh. Grupet më të pasura janë peshqit dhe shpendët. Në lumin Buna gjenden mbi 30 lloje peshqish të ujrave të ëmbla ndër të cilët përmendim krapin (Cyprinus carpio), karasin (Carassius auratus), gjucën (Alburnus alburnus alborella), njilën (Chondrostoma nasus ohridanus), skortën e zezë (Pachychilon pictum), lloskën (Scardinius erythrophtalmus scardafa), mlyshin (Leuciscus cephalus albus), sharmakun (Perca fluviatilis), barburiqin (Blenius fluviatilis), etj. Lumi është rrugë kalimi i peshqve të cilët migrojnë nga deti në liqenin e Shkodrës e anasjelltas. Janë 13 lloje peshqish migratorë nga të cilët përmendim blini (Acipenser sturio) që është lloj i rrezikuar globalisht, kublën (Allosa fallax nilotica), ngjala (Anguilla anguilla), levreku (Dicenthrarchus labrax), qefullin e verës (Mugil cephalus), qefullin e vjeshtës (Liza ramada), shojzën (Platichthys flesus luscus), etj. Në grykëderdhjen e Bunës ka mbi 50 lloje të tjerë peshqish ku përmendim açugën (Engraulis encrasicholus), çeliku (Aphianus fasciatus), gjilpërëza turigjatë (Syngnathus tenuirostris), korbi i zi (Sciaena umbra), korbi i bardhë (Umbrina cirrosa), sargu (Diplodus sargus sargus), murra (Lithognathus mormyrus) aterina (Atherina hespetus), gjuhëza e Adriatikut (Solea vulgaris), etj.
Sigal