E vrau shoku! Kush është i riu me tre identitete, që ekzekutoi Vilson Tafçiun

762
Sigal

Është identifikuar dhe shpallur në kërkim nga policia autori i vrasjes së 29-vjeçarit  Vilson Tafçiu, i cili u ekzekutua me tre plumba në zonën e Astirit më 20 janar.

Sipas policisë ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit mes viktimës dhe autorit 29-vjeçar Noel Disha nga Dibra. Disha ka qenë shok me Vilson Tafçiun, madje së bashku kanë qenë dhe në emigrim, kohë kur viktima u mor me trafik të drogës e madje dhe u burgos në Francë.

Autori i vrasjes njihet po ashtu edhe me dy identitete të tjera, që sipas policisë janë N.K dhe M.P.

29-vjeçari është shpallur në kërkim, ndërkohë që policia ka ushtruar një sërë kontrollesh në disa ambiente ku dyshohej se mund të fshihej Disha.

Njoftimi i Policisë:

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, po vijojnë intensivisht punën për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjeve të ndodhur në Allias dhe në Astir.

Si rezultat i punës profesionale, reagimit të menjëhershëm të strukturave të Policisë dhe  bërjes së një sërë veprimesh proaktive, grupi i posaçëm hetimor ka mundur të dokumentojë me prova ligjore ngjarjen e ndodhur në orët e mbrëmjes së datës 20 janar 2020 në Astir, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 29-vjeçari V. T.

Bazuar në veprimet e kryera dhe  provat e grumbulluara rezulton se si pasojë e një konflikti të çastit, shtetasi N. D., alias N. K., alias M.P., 29 vjeç, në orën 20:30 të mbrëmjes së datës 20 janar, në rrugën “Dhaskal Todri”, në Unazën e Re, ka qëlluar disa herë me armë zjarri duke  vrarë shtetasin V. T.

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim policor 29-vjeçarin dhe gjatë ditës së djeshme dhe mëngjesit të sotëm ka ushtruar një sërë kontrollesh në disa ambiente dhe terrrene, ku dyshohej se mund të fshihej 29-vjecari dhe vijon punën e pandërprerë për kapjen e tij.

Policia e Tiranës garanton qytetarët se është tërësisht e angazhuar për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmërinë, si dhe fton qytetarët për të bashkëpunuar më tej, në drejtim të krijimit të një ambienti sa më të sigurt.