Durrës, nis sezoni turistik i kroçerave, mbërrijnë 1518 turistë

525
Kroçera “Thomson Majesty” hapi sezonin turistik të kroçerave për vitin 2015 në portin e Durrësit, teksa orët e para të mëngjesit të sotëm mbërriti në këtë port me 1518 turistë në bord, të cilët vijnë nga 13 vende të botës.
Anija me gjatësi 207 metra u ankorua pa probleme në kalatën 5 të portit, teksa kjo është hera e parë që ajo mbërrin në Durrës, ndërsa mësohet se ajo do të vijë në portin e këtij qyteti edhe 3 herë të tjera.
Pjesa më e madhe e turistëvë ishin nga Britania, ndërsa nuk mbeteshin pas ata nga vendet perëndimore, Asutralia, SHBA, dhe Meksika. 
Shumica prej turistëve u nisën me autobusë drejte destinacioneve turistike të ndryshme të vendit tonë si Kruja, Berati, apo Tirana.
Ndërkohë disa prej vizitorëve nisën vizitat në qendrat muzeale dhe arkeologjike të qytetit bregdetar mes tyre edhe një grup me 60 nxënës 15-16-vjeçarë, kryesisht meksikanë.
Mësohet se lundrimi është pjesë e një turi 2-javor, që ka nisur në Korfuz më 15 maj dhe do të përfundojë po në ishullin grek pas dy ditësh. 
Ndërkohë turistët kanë vizituar edhe portet në Mikonos, Kusadasi, Pireu, Chania, Kalamata, Ravena, Venecia, Rijeka dhe Dubrovnik.
Sipas të dhënave të APD ajo do të pasohet nga 10 kroçera të tjera, që kanë konfirmuar tashmë lundrimin e tyre drejt Durrësit.
Në përfundim të vizitës së saj në Durrës kroçera “Thomson Majesty” do të niset sot në mbrëmje drejt Korfuzit. 
Sigal