Durrës, nga sot rritet çmimi i bukës me 20 lekë

375

Flet kreu i Shoqatës së Furrave të Bukës, Denis Simaku: “Abuzimi ka nisur nga tregtarët e importit të grurit dhe të miellit”

Prej të mërkurës së 25 korrikut, çmimi i bukës rritet me 20% në pjesën më të madhe të furrave të bukës në qytetin bregdetar të Durrësit. Një bukë normale nga 90 lekë shkon në 100 lekë minimalisht dhe 110 lekë maksimalisht. Lajmi për “Telegraf” është bërë i ditur nga kreu i Shoqatës së Furrave të Bukës në Durrës, Denis Simaku, i cili tha se kjo rritje është tërësisht abuzive nga tregtarët e miellit, të cilët këtë javë kanë rritur çmimin e miellit, nga 54 lekë në 65 lekë për kilogram, duke bërë që kostoja e prodhimit të bukës të ketë rritje. Prodhuesit e bukës shprehen se çmimi i bukës do të rritet me të njëjtin raport me rritjen e çmimit të miellit. Prodhuesit deklarojnë se edhe me çmimet aktuale të tregtimit të bukës kostoja është e lartë. Aktualisht 1 kv miell  tregtohet  me 6500 lekë nga 54000 lekë që ishte pak ditë më parë.

Abuzimi

Simaku, Kryetar i Shoqatës së Furrave të Bukës në Durrës pohon se rritja e çmimit të miellit është bërë nga pikat e shumicës. Duke argumentuar abuzimin që bëhet nga grosistët e grurit dhe të miellit prodhuesit e bukës thonë se, rritja e çmimit të miellit në këtë periudhë është tërësisht abuzim i hapur. “Në këtë periudhë janë korrjet e reja, çmimi në bursë i grurit ka shënuar rënie (në bursat ndërkombëtare) dhe monedha euro, me të cilën blihet në bursë gruri është në rënie, prandaj rritja e çmimit të grurit dhe miellit në këtë periudhë është një abuzim i hapur nga katër kompanitë që importojnë grurin në vendin tonë, të cilët kanë edhe fabrikat e miellit”.

Ndikimi

Të gjithë grosistët e grurit që kanë edhe fabrikat e miellit e kanë rritur çmimin e këtij produkti në këtë fillim javë, që padyshim do të ketë ndikim tek konsumatori. “Miellin po e marrim 20% më shtrenjtë se vitin e kaluar dhe kjo është bërë pa asnjë paralajmërim nga të gjithë furnizuesit e miellit, rritja e çmimit të bukës është e pashmangshme, për të mos shpallur falimentimin”, thonë furrtarët në Durrës. Aktualisht një buke normale 850 gramëshe në Durrës varijon nga 90 lekë. Me rritjen e çmimit të miellit  një bukë normale 1 kg pritet të shkojë jo më pak se 100 lekë. Drejtuesit e Shoqatës së Prodhuesve të Bukës në Durrës shprehen se nuk ka një vendim të përbashkët për shtrenjtimin e bukës, por ajo do të kryhet në mënyrë individuale nga subjektet. Sipas tyre, pritet që buka të shtrenjtohet minimumi me 10 deri në 20 lekë, por edhe kjo shifër do të jetë në varësi të masës, me të cilin blihet mielli në treg.

Varfëria, shtohen ushqimet me listë

Por nëse periferia e qytetit bregdetar, e cila përbëhet në pjesën më të madhe prej banorëve të ardhur, në 2 dekadat e fundit, të cilët janë edhe të “varfrit” e qytetit bregdetar dukuria këtë vit ka përfshirë edhe qendrën e qytetit. Në qendër të Durrësit gjenden disa markete dhe minimarkete, të cilët tregtojnë mallra ushqimore me pakicë dhe shumicë. Pikërisht këtu në zemër të qytetit bregdetar të Durrësit, fletoret e veresieve janë mbushur me lista dhe njerëz që para se t’i drejtohen dyqanit mendohen shumë herë, madje edhe për të blerë bukë.

Problematika e shfaqur

Kostoja për furrtarët është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit. Rritja e mëtejshme e çmimit të karburantit ka padyshim ndikim edhe në rritjen e çmimit të bukës. Ambalazhi prej letre i detyrueshëm për çdo furrë dhe dyqan është kosto shtesë, ndërsa konkurrenca e pandershme në anën tjetër ndikon tek furrat e licencuara. Qytetarët në furra të ndryshme të pyetur nga “Telegraf” shprehen se, rritja e çmimit të bukës është anormale dhe mungesë përgjegjësie nga strukturat kontrolluese të shtetit, të cilat duhet të marrin masa për të parandaluar abuzuesit. Rritjen e menjëhershme të çmimit të bukës qytetarët e shikojnë si një abuzim të hapur që bëhet jo më nga privatët që e kanë kthyer në monopol, importin e grurit dhe të miellit, por nga strukturat e shtetit që duhet të parandalojnë abuzime të tilla me ndikim në buxhetin e tyre.