Ja sa do të jenë kuotat e pranimit dhe propozimet për masterat e rinj

946
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Roland Gjini, dekan në Fakultetin e Shkencave Humane në Universitetin e Elbasanit

Dekani i Fakulteti të Shkencave Humane në Universitetin e Elbasanit, Roland Gjini ka propozuar 800 kuota për vitin e ri akademik 2012-2013, ky ka qenë një ndër faktet që profesori e ka bërë të ditur në një intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf”. Këto kuota, sipas tij, janë të mjaftueshme për këtë fakultet pasi dhe ambientet nuk janë të mjaftueshme, pasi është ky shkaku që studentët e vazhdojnë mësimin deri në orët e mbrëmjes. Gjini gjithashtu, shpjegon, se cilat janë masterat aktual të këtij fakulteti dhe sa do të jenë propozimet e bëra për masterat e rinj. Sipas Dekanit të këtij fakulteti, stafi është i mjaftueshëm dhe se të gjithë pedagogët janë me grada shkencore.
Profesor, sa kuota keni propozuar për vitin e ri akademik 2012-2013 për Fakultetin e Shkencave Humane?
Aktualisht kemi 11 programe studimi të nivelit të parë ose siç njihet ndryshe sistemi “Bachelor”. Kemi dy Mastera Shkencorë, për Trashëgimi Kulturore dhe Gjuhësi, gjithashtu dhe tre programe studimi niveli i dytë, Master Profesional, konkretisht për Redaktor, Gazetari Terreni dhe Gazetari Sportive, kjo e dyta është e vetmja në Shqipëri. Kuotat e dyta akoma nuk kanë dalë. Kanë ardhur vetëm kuotat e “Bachelor” të nivelit të parë të studimit.
A kanë pasur rritje këto kuota?
Kuotat rrahin po në ato nivele që kanë qenë, me një ulje jo të ndjeshme. Historia nga 90 kuota në 60 kuota, Gjuhë- Letërsia Shqipe nga 120 në 100. Në vend ka ngelur anglishtja siç ka 120, por kemi një rritje në degët dyshe, ku vjet e kemi patur kuotën 60 dhe të katër degët dyshe sivjet janë bërë 70. Ato janë Histori – Gjermanisht, Gjeografi – Gjuhë italiane, Gjuhë shqipe – Gjuhë frënge dhe Anglisht – Gazetari. Në vend ka ngelur gazetaria, vetëm me 60 kuota sa historia, në vend po ashtu kanë ngelur gjuhët italiane, frënge dhe ajo gjermane. Po të kemi uljen në disa degë dhe ngritjen në disa degë të tjera, numri i studentëve është po ai.
Po për masterat sa kuota keni propozuar?
Për masterat kemi bërë 30 propozime të reja. Pjesa më e madhe ndjekin masterin profesional në mësuesi, 80 për qind marrin diplomën profesionale dhe 20 për qind shkojnë në Tiranë për studime të mëtejshme. Kemi kërkuar Master Shkencor në Histori, Gjeografi dhe Letërsi. Vetëm për “Bachelor”-in presim sipas kërkesave që kemi bërë 120 dhe 150 mastera profesionalë dhe shkencorë.
Ju më lart na paraqitët propozimet që keni bërë për kuotat për vitin e ri akademik. Realisht sa është numri i kuotave që është miratuar për këtë fakultet?
Nëse do t’i bëjmë një llogari të gjithave shifrave që përmenda më lart, në total numri i kuotave të miratuara arrijnë 800 dhe them se kjo shifër është e mjaftueshme për këtë fakultet.
Me këto kuota që ju keni propozuar për vitin e ri akademik, a keni një staf të mjaftueshëm?
Stafi është mëse i mjaftueshëm, flas në aspektin numerik ashtu edhe në atë cilësor. Në të tre departamentet janë mbi 60 për qind e pedagogëve me grada shkencore. Është një lajm i mirë që edhe për degët e reja rriten kënaqshëm numri i pedagogëve që vazhdojnë doktoraturën.
Po ambienti sa i mjaftueshëm është?
Për ambientet ka një disproporcion midis rritjes numerike të studentëve dhe ambienteve. Rritja e studentëve është shumë më e shpejtë, në 1991 neve kishim 300 studentë, kurse sot kemi 13 mijë studentë, pra është katërfishuar numri i studentëve. Ka një pjesë të studentëve studiojnë pasdite, nga ngarkesa ditore neve e kemi të përballueshme. Por kjo është një problem në të gjithë universitetet jo vetëm tek ne.