Dhuna brenda stadiumeve derdhet edhe jashtë, policia në luftë kundër …banderolave

534
Sigal

Në Shkodër Rama pritet me protesta,  ngaqë Rilindja tani gremis edhe shtëpitë

Kohët e fundit dhuna është mbizotëruese thuajse në të gjitha stadiumet dhe shfaqet me të gjithë spektrin e huliganizmit. Sikur të mos mjaftonte kjo, tashmë dhuna, sikur hapësirat brenda stadiumeve të mos e nxënë më, po derdhet edhe jashtë stadiumeve, thua se është llava e një vullkani zemërimi të të gjithëve kundër të gjithëve, jashtë çdo gjykimi për të gjetur një arsyetim paqësues. Kësaj here radhën e kishte Shkodra, që u bë teatri i dhunës (sportive) jashtë stadiumeve.

Inaugurohet edhe protesta kundër …kryeministrit

Në Shkodër ishte hera e parë që kryeministri i Rilindjes u prit me protesta nga qytetarët, që kur erdhi në krye të  qeverisë. Si çdo gjë e re, që nis me herën e parë, edhe protesta e parë kundër një kryeministri që fillimisht premtoi “Rilindje”, por që  pas 1 viti e gjysmë shkon  në një qendër banimi që të inaugurojë gremisjen e shtëpive të banimit, ndodhi në Shkodër, ku dhjetëra banorë, pa përfillë shiun, dolën dhe protestuan kundër kryeministrit Rama, për prishjen e shtëpive të banimit. Banorëve që shtëpitë e tyre ndodhen afër stadiumit të qytetit, u njoftohet se duhet t’u gremisen (urgjentisht) shtëpitë e banimit, pasi po afron afati i inaugurimit të ristrukturimit të stadiumit, kur askush nuk u afruar alternative të tjera (mbi)jetese. Rreth 30 shtëpi banimi, mes të cilave edhe banesa mbi 100-vjeçare me dokumente të rregullta, rrezikojnë prishjen. Vlera e kompensimit për truallin është 8300 lekë për metër/katror dhe 10.000 për godinë. Dhe në analogji me aksionin kombëtar të INUK-ut, që vë përpara policinë dhe prapa mjetet e rënda që gremisin edhe …male, edhe ndaj shtëpive të banimit zbatohet e njëjta recetë suksesi  INUK-ut, ajo e  shembjeve të objekteve që janë ndërtuar me tullë e llacë.

Policia kundër…banderolave

Banorët e qytetit të Shkodrës, të cilëve u gremisën dhe do t’u gremisen edhe shtëpitë e banimit, gjetën mjetin më demokratik të kundërshtimit të tyre ndaj projekteve të prishjes së shtëpive të banimit për të ndërtuar parkingun e stadiumit. U mblodhën përpara sallës ku kryeministri do të shpërndante çertifikatat e pronësisë për legalizime. Që në nisje të saj ajo u kthye në një përleshje mes protestuesve dhe policisë, pasi kjo e fundit nuk lejoi banderolat e banorëve. Banorët në protestën e tyre ishin të qetë, veçse, siç duket, pa lejen e policisë ngritën ca banderola ku shkruajtën kërkesat e tyre. Por policia jonë, që është kundër çdo gjëje të paligjshme, dhe meqë banderolat u ngritën pa lejen e saj, filloi luftën e uljes poshtë të banderolave, që ato të mos prishnin imazhin dhe atmosferën festive për nder të kryeministrit. Banorët protestues, që mbetën të habitur nga lufta e policisë kundër banderolave, thanë. “Policia na mori parullat dhe na i grisi. Parullat tona kanë qenë “ Mos i prishni shtëpitë tona” “Gjeni zgjidhje të tjera për stadiumin”. Nuk jemi kundra për parkingun por jo të na prishin shtëpitë tona për parking. Nuk kemi dalë të rrihemi me njeri, kemi dalë për protestë paqësore”. Një tjetër protestues i bëri thirrje Kryeministrit të shqyrtojë projektin, pasi sipas tij ka zgjidhje të tjera që mund të shmangin prishjen e shtëpive të tyre. “Zotëri ne kemi vetëm një fjalë, nuk lëvizim gjallë nga shtëpitë se nuk kanë të drejtë të na i prishin. Parkimi që duhet të bëhet për stadiumin, e ka vendin se ku të bëhet. I bëjmë thirrje Kryeministrit ta shqyrtojë atë projekt se ka mundësi të tjera”.“Stadiumi nuk bëhet jemi zotë të stadiumit. Nuk lëvizim nga shtëpitë, pa kaluar mbi trupin tonë. Ata janë djemtë e atyre që i kemi rrëzuar në ’90. Ju rrëzojmë prapë” tha një tjetër protestues i revoltuar.

Policia kërkon përforcime për të përballuar protestën

Përballë kësaj situate dhe ndërsa pritej ardhja e Kryeministrit, drejtuesit e policisë dhanë urdhër në përforcimin e masave të sigurisë. Brenda pak minutash zonën përreth pallatit të sportit “Qazim Dervishi” e kanë rrethuar forca të shumta policie dhe FNSH, ndërsa banorët kanë pritur të qetë ardhjen e Ramës.

Jashtë sallës protesta, brenda duartrokitje

Asnjë reagim nga banorët protestues, ndërsa kryeministri Rama  hyri brenda, por  për çudinë e protestuesve dhe të policisë, brenda sallës pati madje vetëm duartrokitje. Për 60 minuta që zgjati shpërndarja e çertifikatave të pronësisë së legalizimit, rreth 100 qytetarët e prekur nga ky projekt kanë pritur Kryeministrin e tyre në shi. Me insistimin e prefektit Paulin Radovani ai vendosi të dëgjojë një përfaqësi të tyre dhe në fund u tha se stadiumi do të bëhet, duke mos pasur kthim pas. Sipas kryeministrit Rama banesat që do të preken nga prishja do të kompensohen me vlerën e tregut. Kaq ka mjaftuar dhe Rama është larguar, ndërsa banorët kanë vijuar t’i qetësojnë edhe deputetët, derisa INUK-ku të prishë shtëpitë e banimit që janë brenda perimetrit të ndërtimit të parkingut të stadiumit.

 Berisha: Prishjen e shtëpive e kërkon mafia qeveritare

Ish-Kryeministri Berisha paralajmëron familjet shkodrane përreth stadiumit “Loro Boriçi” të mos lëshojnë shtëpitë, se në trojet e tyre, qeveria ka parashikuar të ngrejë pallate dhe jo parkingje të kërkuara nga UEFA. Berisha ka lënë një mesazh në Facebook  “Pretendimi se ndërtimin e parkingut në sheshin që do të hapet nga shembja e shtëpive të tyre e kërkon UEFA, është thjesht një trillim banal, sepse këtë gjë nuk e kërkon UEFA, por e kërkon mafia qeveritare,- përfundon ai, – e cila në sheshin që është i lirë, ngjitur me stadiumin, ka vendosur të ndërtojë pallate.”

Petraq Barjami