Manastirliu përjashton 285 mijë pensionistë nga Check-Up

“Koncesionari paguhet miliona pavarësisht numrit të analizave që kryhen. Ndëkohë rreth 285 mijë pensionistë të cilët kanë mbushur moshën 70 vjeç janë të përjashtuar nga kontrolli bazë, i cili i është dhënë me PPP”

Shqiptarët paguajnë për sigurimet shëndetësore rreth 200 miliard lekë çdo vit, por shërbimet ndaj qytetarëve, qeveria ia ka transferuar spitaleve private, të cilët nëpërmjet PPP kanë marrë rreth 500 miliard lekë për 10 vite. ‘Shëndetësia falas’ është një nga sloganet më të përdorur të “Rilindjes”, ministrat e të cilës po rrjepin nga xhepat popullin më të varfër.

Sigal

Rreth 285 mijë pensionistë të cilët kanë mbushur moshën 70 vjeç janë të përjashtuar nga kontrolli bazë, i cili i është dhënë me PPP kompanisë së Vilma Nushit. Shtet shqiptar ka paguar afro 130 milionë euro te koncesionari për një shërbim të kufizuar vetëm për grupmoshën 35-70 vjeç. Mirëpo për mjekët, nevoja më e madhe për kontrolle është pikërisht pas moshës 70 vjeç, ku sëmundjet agravojnë edhe më tepër.

Mirëpo për Vilma Nushin nuk mjaftojnë paratë që pjesë e analizave të jenë edhe të moshuarit mbi 70 vjeç. Asnjë përpjekje nuk ka bërë as ministrja Ogerta Manastirliu për të ofruar shërbim të zgjatur për të moshuarit. Ndonëse koncesioni i Check Up është në SPAK duke u hetuar për fryrje të vlerës së shërbimit, ata të cilët e vuajnë këtë gjë janë shqiptarët. Për mjekun Anestezist Pirro Prifti, pjesa e përjashtuar është kategoria më në nevojë për shërbim shëndetësor falas.

“Është një gabim i madh, mendoj se duhet të shtyhet nga 35 vjeç deri në fund të jetës,, sepse këto mosha kanë shumë probleme shëndetësore. Mosha e tretë ka nevojë për më shumë mbrojtje shëndetësore dhe shërbime në publik”,-tha Pirro Prifti, mjek anestezist.

Popullsia shqiptare 35-70 vjeç, sipas të dhënave të INSTAT, përllogaritet të jetë mbi 1 milion e 230 mijë persona. Kontrata e qeverisë me kompaninë që ofron check up është për realizimin e 420 mijë kontrolleve në vit.

‘Sekserët e shëndetësisë’

Qeveria shqiptare është e vendosur të japë me koncesion çdo gjë që të mundet, pavarësisht nga kostot e larta të këtyre marrëveshjeve, rreziqet për financat shtetërore e xhepat e qytetarëve dhe paralajmërimet e institucioneve ndërkombëtare. Qeveria në vitet e fundit, vetëm në sektorin e shëndetësisë ka firmosur dhënien me PPP të katër projekteve të kontestuara e të dyshimta. I fundit në radhë ishte ai për 18 laboratorët e analizave mjekësore, i cili, edhe pse hasi kundërshtimin e institucionit prestigjioz si Organizata Botërore e Shëndetësisë, sërish u finalizua pa mëdyshje nga shteti. Pasi gjeti një sërë problematikash në administrimin e tuberkulozit, Organizata Botërore e Shëndetësisë e këshilloi qeverinë shqiptare të mbajë shërbimin laboratorik në spitale në pronësi të shtetit.

KLSH ka konstatuar së fundmi abuzimet me koncesionin e ‘Check Up’, ku kompania e Vilma Nushit është paguar rregullisht edhe gjatë pandemisë, kur shërbimi ishte ndërprerëKoncesionari i Vilma Nushit, që ofron shërbimin e “Check-Up” për qytetarët shqiptarë, është paguar rregullisht gjatë vitit 2020, megjithëse shërbimi u ndërpre për shkak të pandemisë Covid-19.

Kontrolli i Lartë i Shtetit e cilësoi absurditet këtë fakt, duke pohuar se vetëm koncesioni i Check UP merr 800 milionë lekë ose 6 milionë euro TVSH kundër përcaktimeve në ligjin mbi Tatimin në Vlerën e Shtuar. KLSH konstaton me shqetësim trajtime të ndryshme për aplikimin e TVSH ndërmjet kontratave koncesionare, ndonëse shërbimet që ofrohen nga këto kontrata janë të përjashtuara nga TVSH.

Nga auditimi për dy nga tre kontrata koncesionare, “Check-Up” dhe “Sterilizimi”, rezultoi se aplikohet Tatim mbi Vlerën e Shtuar, në masën 20 % mbi çmimin e kontraktuar. Ndërsa për shërbimin e “Hemodializës”, ky tatim nuk aplikohet. Megjithëse të tre shërbimet e sipërcituar janë pjesë e zinxhirit të ofrimit të shërbimit shëndetësor ndaj pacientit nga institucione shëndetësore të licencuara, si dhe faturojnë njëlloj shërbimin drejt institucioneve shtetërore prej dhe nga paguhen, mënyra e faturimit të tyre ndryshon. Megjithëse KLSH, në vazhdimësi, ka këshilluar ndryshimin e mënyrës së faturimit për shërbimin e “Check-Up”, situata nuk ka ndryshuar, por ajo vijon edhe në koncesionin e “Sterilizimit”. Kjo mënyrë faturimi e shërbimit shëndetësor nuk është kundërshtuar nga Autoriteti, apo të jenë marrë nisma për qartësimin e frymës së ligjit me MFE, për zgjidhjen e ngërçit, i cili vijon të rëndojë në vazhdimësi financat publike.Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar qeverisë të miratojë akte ligjore që rregullojnë procesin e furnizimit të shërbimit shëndetësor, të ofruar nga shoqëritë koncesionare, me qëllim shmangien e interpretimeve në këto shërbime, duke respektuar frymën e ligjit.

Vetëm 4 Koncesionet në shëndetësi i kushtojnë  taksapaguesve shqiptarë 435 mln USD për 10 vjet

-Koncesioni i Sterilizimit ( Instrumentave Kirurgjikale) përfiton 100 milion USD me një të punësuar

-Koncesioni Hemodializës DiaVita & American Hospital, përfiton rreth 85 milionë euro

–Koncesioni i Kontrollit Bazë Check-Up, i është dhënë kompanisë 3P LifeLogistic për rreth 120 mln USD

-Koncesioni i shërbimeve Laboratorike Spitalore i është dhënë Kompanisë “Labopharma” të Janis Karathano  për rreth 130 milion USD