Nard Ndoka: Kjo maxhorancë është kopja e keqe e maxhorancës së kaluar

411
Sigal

Intervistë me Kryetarin e PDK-së Nard Ndoka, deputet i opozitës

Nard Ndoka, kryetari i PDK-së dhe  deputeti i zgjedhur nga listat e PD-së,  në intervistën për “Telegraf”, pohon se PD-ja nuk është konsultuar fare me aleatët e saj, ndaj ai nuk mund të jetë më pjesë e bojkotit. PD-ja, sipas Ndokës, dëmton veten e saj me bojkotin e stërzgjatur. Ndërsa maxhoranca e sotme, sipas zotit Ndoka është një kopje  më e keqe e maxhorancës së shkuar.

– Zoti Ndoka, derisa maxhoranca ka pranuar që do t’i plotësojë kërkesat e opozitës që ajo të rikthehet në Kuvend, a ka më arsyetim politik që opozita të vazhdojë bojkotin?

– Maxhoranca duhet të tregohet e përgjegjshme në respektimin e Kushtetutës, rregullores së Kuvendit dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Maxhoranca duhet të vendosë dialogun dhe konsensusin politik, këto janë rrugët normale në  një sistem demokratik. Maxhoranca aktuale ka zgjedhur rrugën e gabuar, të konfrontimit politik dhe institucional, tashmë po tregohet “tolerante” duke plotësuar kërkesat e opozitës! Kjo është absurde, bashkëpunimi politik nuk vendoset as me demagogji, as me karamele që hidhen rrugës, që kanë minuar më parë.

Ju zoti Ndoka, përse nuk respektoni bojkotin e opozitës, meqë jeni deputet i kësaj opozite?

– Unë dhe partia Demokristiane e Shqipërisë, që përfaqësoj në Kuvend, jemi kundër bojkotit të pamotivuar politikisht, bojkoti nuk mund të përdoret vend e pa vend dhe gjatë. Vendimi i marrë nga PD-ja për bojkotin ishte një vendim i pakonsultuar më parë me aleatët. PDK-ja nuk ka qenë pjesë e vendimmarrjes për bojkot, ndaj dhe jemi në Kuvend.

Jeni ende  pjesë e opozitës, edhe sikur opozita të mos pranojë që të marrë pjesë në Kuvend edhe deri në 18 dhjetor, kur mund të digjen mandatet e deputetëve për shkak të bojkotit?

Unë jam pjesë e opozitës dhe do jem pjesë e saj, mandatet e opozitës nuk do digjen në asnjë rast, pasi aktiviteti parlamentar i grupit të PD-së ka vazhduar me ritëm normal. Mbledhjet e Grupit Parlamentar, takimet në zona, pjesëmarrja në aktivitete lokale, në mbledhje këshillash komunale e bashkitë, të gjitha këto konsiderohen aktivitete parlamentare, ndaj në aspektin institucional dhe kushtetues nuk ka ndonjë problem për mandatet e deputetëve të PD-së. Nëse do të ketë ndonjë veprim arbitrar nga maxhoranca aktuale për heqjen e mandateve të deputetëve opozitarë, unë deklaroj se do të heq dorë vullnetarisht nga mandati i deputetit që mbaj, në respekt të kolegëve opozitarë.

Derisa bojkoti i stërzgjatur nuk është alternativë e një demokracie evropian, atëherë mos vallë PD-ja është në krizë identiteti politik?

– PD-ja po kalon një proces riorganizimi dhe zgjedhjesh në forumet e saj, ndoshta një qetësi parlamentare për momentin, për t’u rikthyer më furishëm. Ky proces  ishte i domosdoshëm për PD-në. Gjithsesi, bojkotet janë të dëmshme për të gjithë, kanë rezultuar pengues dhe penalizues kryesisht për ato forca politike që bojkotet i përdorin si model politik.

Sikurse opozita socialiste bojkotoi të jepte konsensusin e saj për 12 kushtet e BE-së për marrjen e statusit kandidat, tani PD-ja i kthen reston politike, duke mos marrë pjesë në 5 reformat që janë kushtëzim për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE?

Ka një ndryshim midis dy vendimeve të bojkoteve, të opozitës së djeshme dhe  opozitës së sotme. PS-ja në opozitë tentoi të bllokojë çdo gjë, nëpërmjet bojkotit të gjatë parlamentar, por edhe me qëndrimet dhe mos votimet e saj në Kuvend. PD-ja është treguar bashkëpunuese për axhendën e përbashkët europiane, përfshirë edhe detyrat që klasa politike ka. PD-ja me bojkot po dëmton vetën e saj, jo reformat, as integrimin.

A ka ndryshuar kjo maxhorancë në sjelljen e saj në marrëdhëniet me opozitën, sikurse u zotua në fushatën elektorale, për të dhënë një tjetër imazh qeverisjeje?

– Jo vetëm që nuk ka ndryshuar, por po kopjon shumë keq maxhorancën e kaluar, duke e tejkaluar atë, kuptohet për keq. Nuk ka dialog, nuk ka konsensus, nuk ka bashkëpunim, nuk ka axhendë të përbashkët, por ka vetëm luftë dhe demagogji nga palët.

Ju si mendoni,  përse reformat që ndërmerr tani kjo maxhorancë, janë “…pa fillim dhe pa fund”, siç i kritikoi edhe aleati i maxhorancës Vangjel Dule?

– Ka një nxitim pa kuptim nga maxhoranca dhe Kryeministri Rama, për t’i bërë gjërat me forcë, me burg, me dhunë, me luftë, këto janë sjellje arrogante dhe të papërgjegjshme ndaj qytetarëve. Reformat nuk realizohen me burg, madje as ligji nuk zbatohet me burg. Reformat realizohen me ide, për të mundësuar lehtësimin e problematikës që qytetarët kanë në problemet e tyre të përditshme, si me pagesat e energjisë elektrike, me problemet e taksave, të punës në  të zezë dhe çdo problematike tjetër. Shteti jep më parë zgjidhjet, fillon reformat, ndjen frytet pozitive, përmirëson gabimet gjatë rrugës dhe pastaj mund të vazhdojë me sanksionet ndaj atyre që shkelin ligjin.

Reformat e deritanishme të maxhorancës a janë në koherencë me kushtet që ka vënë BE për fillimin e negociatave për anëtarësim të plotë?

–  Jo, përkundrazi, maxhoranca e sotme harton ligje sipas interesit të saj dhe pastaj i cilëson reforma. Këtë nuk arrij ta kuptoj,  pse kjo maxhorancë po vepron në drejtimin e kundërt te standardeve dhe të reformave që i duhen vendit! Ndoshta, arroganca e numrave në Kuvend, tendenca për hakmarrje ndaj opozitës, mungesa e eksperiencës, çoroditje politike, apo papërgjegjshmëria që po i karakterizon, duhet të jetë virusi që ka kapur qeverinë tonë në këto momente krize që po kalon vendi, e cila sa vjen dhe thellohet më shumë.

Politika jonë, qoftë maxhoranca, qoftë opozita a duan që për hir të interesave të mëdha kombëtare, siç është  nevoja  e hapjes së  negociatave për anëtarësim në BE, të gjejnë konsensus të paktën për 5 kushtet e BE-së?

– Politika jonë duhet të jetë bashkëpunuese dhe konkrete, duke vendosur një axhendë të përbashkët afatgjatë mes qeverisë dhe opozitës. Kjo arrihet nëpërmjet dialogut politik, respektimit te institucioneve, bashkëpunimit parlamentar, bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare, kaq e thjeshtë për njerëz normalë me mendësi europiane, por po kaq e vështirë për politikanë problematikë me mendësi anadollake.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA