Çdo vit zhduken 31 milionë euro taksa, nëpërmjet kontrabandës me dyqanet “Duty free shops”

671
Ndërsa qeveria lufton informalitetin dhe evazionin fiskal deri në kioskën e fshatit më skajor të Tepelenës, Ersekës, Skraparit, Tropojës, Koplikut, Peshkopisë, Vlorës e Dibrës duke vendosur gjoba, sekuestro tezgash e mallrash, mbyllje njësish tregtare e deri prangosje dhe burgosje për mos deklarim të kuponi tatimor edhe për 1 lëpirëse, “çuditërisht” nuk po vepron kundër këtij evazioni fiskal e informaliteti tregu mallrash “VIP” të përcaktuara në regjimin e akcizës e jo akcizës, duke lejuar humbje të mëdha,të cilat në fakt, janë taksa shtetërore për mallra që futen në doganat ajrore, tokësore e detare dhe shiten në dyqane brenda pikave të tyre doganore. Ka një ligj absurd, miratuar e shfuqizuar disa herë në 15 vitet e fundit, lidhur me hapjen, numrin dhe funksionimin e dyqaneve doganore të quajtur “Duty free shops”, në të cilët blihen mallra pa taksë akcize, por edhe mallra të tjerë pa asnjë qindarkë taksë. Këtë privilegj vetëm për bosët e politikës e të shtetit, të biznesit të lidhur familjarisht, shoqërisht e në ortakëri me njerëzit e politikës dhe të shtetit, “Rilindja” e bëri ligj 16 muaj më parë, duke e prezantuar si “zhvillim të turizmit shqiptar dhe si gjoja kërkesë të bizneseve e turistëve të vendeve perëndimore”. 
Letrat fallco në kufi e “Duty free shops”, çdo vit zhduken 31 milionë euro taksa 
Është fjala për Ligjin Nr. 32/2015 datë 02. 04. 2015 me objekt “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 102/2014 “Kodi doganor i Republikës së Shqipërisë”. Sipas këtij ligji, magazinat doganore private konsiderohen edhe “dyqane të çliruara nga detyrimet fiskale shtetërore” me emrin “Duty free shops”, të cilët autorizohen të hapen në aeroportet për fluturime ndërkombëtare, në portet për destinacionet ndërkombëtare dhe pikat kufitare tokësore që ndodhen në zonën doganore të territorit doganor të Republikës së Shqipërisë. Në fakt, Shqipëria të gjithë daljet ajrore, tokësore e detare i ka “për shërbime ndërkombëtare”, kështu që ky ligj lejon që këto dyqane të hapen në secilën pikë kufitare e doganore në Rinas, Vlorë, Shëngjin, Durrës, Muriqan, Morinë, Kakavijë, Qafë-Thanë, Kapshticë, Morinë, Sarandë, Tri-Urat, Qafë Botë e Bllatë! Ky ligj, përcakton procedurat, rregullat, mënyrën dhe kriteret e dhënies dhe numrin e autorizimeve për “dyqanet e pikave doganore-kufitare të quajtur “Duty free shops”, por përcakton edhe kushtet, të drejtat, sasitë e mallrave që duhen lejuar dhe detyrimet. Pikërisht në këto dyqane, ose më saktë nëpërmjet “portave dhe banakëve” të tyre, duke u maskuar pas ligjit të hyrje-kalimit e shitjes së mallrave pa taksa, prej mëse 1 viti në pikat doganor-kufitare shqiptare po kalojnë sasi të shumta mallrash mbi kufirin sasior dhe jashtë listës së mallrave që përcakton ligji, duke hapur shfrytëzuar një “shteg” kontrabande të maskuar pas ligjit. Sipas një informacionit që na erdhi dje në redaksi, bëhet me dije se në pikat doganore-kufitare shqiptare kalojnë përditë dhjetëra sasi produktesh dhe mallrash pa taksim e jo vetëm të listës së akcizës, por edhe mallra të tjerë kontrabandë, sidomos pije, cigare, bizhuteri, veshje e orendi “VIP” pa asnjë taksim, duke përdorur si “tunel” kalimi dyqanet “Duty free shops”. Ata që fusin në kufi këto mallra kontrabandë, të maskuar pas “letrave” të disa mallrave e produkteve “thërrime”, nuk janë shitës të tregut fshatar, të komunave, të trotuareve e lagjeve, por janë tregtarë “VIP” që kanë lidhje me njerëz të fuqishëm të shtetit e politikës, por edhe vetë politikanë e shtetarë dhe familjarë të tyre, të cilëve u hapen me urdhër “portat” e kalimit të mallrave me letra fallco, duke përdorur sistemin e “rilindur” të kontrabandës së lirshme nëpërmjet dyqaneve “Duty free shops”, sipas praktikës “regjistro si të importuar e të blerë 1 copë ose 1 kg dhe kalo 10, 100 e 1000”. Kontrollorët dhe drejtuesit e doganave shikojnë, konstatojnë, por firmosin, vulosin, hapin “portën” e kufirit dhe heshtin në emër të mbajtjes së vendit të punës, por shefat edhe të ndonjë “bakshishi”! Sipas sondazhit të bërë prej punonjësve të tatimeve e doganave të cilët na informuan konfidencialisht për këtë kontrabandë mallrash, mësohet se në pikat doganore kufitare deklarohet vetëm 10% e mallit të futur e të shitur në dyqanet “Duty free shops”, ndërsa 90% nuk regjistrohet! Ky skandal ka një tregues alarmant për buxhetin e shtetit. Sipas bilancit, prej fshehjes së sasive reale të mallrave produkteve që kanë kaluar ilegalisht e pa taksa në pikat doganore kufitare shqiptare dhe nëpërmjet “letrave” fallco të bëra prej dyqaneve “Duty free shops”, rezulton se shteti humbet 31 milionë euro taksa! 
FMN i mbylli me urdhër, duke i quajtur “gropë e zezë” dhe “porta kontrabande” 
Në Shqipëri ka 17 dyqane e magazina “Duty free shops”, deri në vitin 2000 ishte vetëm 1 në Rinas
Kujtojmë, që dyqanet “Duty free shops”, janë shtuar si kioskat, pra janë disa të tillë në çdo pikë doganore kufitare, ndërkohë që deri në vitin 2000 në Shqipëri kishte vetëm 1 dyqan të tillë, në Rinas! Me një urdhër të formës së prerë të FMN, ato u mbyllën në të gjitha pikat doganore dhe kufitare të vendit. Prej 1 viti, me një ligj të posaçëm “Rilindja” i hapi këto dyqane me shumicë në çdo pikë kufitare e doganore, ndërkohë që në vitin 2012, ish-opozita “Rilindja” kërkoi mbylljen e tyre!. Përse u hapën kaq shumë në numër e në çdo pikë kufitare. këto dyqane? Siç po rezulton këto nuk u hapën “për të zhvilluar turizmin dhe për të respektuar kërkesën e bizneseve e turistëve të huaj të rangut “VIP”, siç u tha, por dyqanet “Duty Free Shop” ajnë hapur si “porta” të kontrabandës së mallrave e produkteve të klasit të lartë, me të cilët klanet e këtij tregu furnizojnë shërbimet dhe tregjet e tyre në Shqipëri, duke importuar mallra e produkte pa asnjë taksë! Por, ka edhe një konstatim tjeëtr të faktuar nga specialistë e të doganeve, që dyqanet “Duty free shops” shërbjenë si “kapak” për të mbuluar “gropën e zezë” të veprimtarisë kontrabandiste që lejohet e certifikohet prej strukturave kriminale të doganave! Kujtojmë, që nisur prej këtij fakti, FMN-ja imponoi mbylljen e këtyre dyqaneve që pastrojnë kontrabandën e malalreve “VIP”, duke bërë presion të hapur me shtyrjen e mos firmosjes së marrëveshjes për huazimin e një kredie prej 30 milionë dollarësh për një periudhë 7-vjeçare. Aktualisht, në pikat doganore kufitare ka 17 dyqane dhe magazina “Duty free shops”, ku kalojnë mallra pa taksa! 
————————————
Ja LIGJI Nr. 32/2015 “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 102/2014 “KODI DOGANOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË” 
Në mbështetje të neneve 81, pika 2, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI: Në ligjin nr. 102/2014 “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë” bëhen këto ndryshime dhe shtesa: 
Neni 1 
Në nenin 213, pika 2, fjalia e dytë ndryshohet si më poshtë: “Magazinat doganore private konsiderohen edhe “dyqane të çliruara nga detyrimet” (duty free shops) që autorizohen të hapen në aeroportet për fluturime ndërkombëtare, portet për destinacionet ndërkombëtare dhe pikat kufitare tokësore, që ndodhen në zonën doganore të territorit doganor të Republikës së Shqipërisë. Këshilli i Ministrave përcakton me vendim procedurat, rregullat, mënyrën dhe kriteret e dhënies dhe numrin e autorizimeve për “dyqanet e çliruara nga detyrimet” (duty free shops), si dhe kushtet, të drejtat, detyrimet dhe afatet.”. 
Neni 2 
Në nenin 289, pika 2, pas numërtimit “16” shtohen fjalët “pikat 4 dhe 5 të nenit 199,”. 
Neni 3 
Në nenin 291, pika 2, pas fjalëve “dhe 288” shtohen fjalët “fjalia e dytë e pikës 2 të nenit 213”. 
Neni 4 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Miratuar në datën 2.4.2015 Shpallur me dekretin nr. 9052, datë 20.4.2015 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani
Sigal