Beteja për çlirimin e Vishegradit

239
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Urdhri për sulmin përfundimtar
Beteja për çlirimin e Vishegradit është një nga luftimet më të mëdha të divizioneve shqiptare në tokat e Jugosllavisë. Hitlerianët e mbronin me këmbëngulje Vishegradin, pasi e konsideronin si një qendër të rëndësishme për tërheqjen e trupave të tyre. Forcat e Div. VI S morën kontakt me armikun në afërsi të Vishegradit, në kohën kur trupat sovjetike kishin çliruar një pjesë të madhe të territorit të Jugosllavisë, e pjesërisht atë të Hungarinë dhe po zhvillonin luftime të ashpra për çlirimin e plotë të Budapestit. Në këto rrethana hitlerianët kërkonin me çdo kusht të gjenin rrugë tërheqjeje për t’iu shmangur luftimeve që mund t’u impononin njësitë partizane. Tërheqjen e forcave, komanda hitleriane e realizonte duke i mbuluar trupat kryesore me praparojë dhe anashrojë të fuqishme. Në Vishegrad, duke u favorizuar edhe nga terreni, armiku kishte përgatitur një mbrojtje shumë të fortë në thellësi dhe kishte kryer punime të shumta xheniere fortifikuese. Nga fillimi muajt shkurt 1945 shtabi i divizionit lëshoi urdhrin për sulmin përfundimtar mbi Vishegrad. Në fillim forcat partizane kryen veçimin e armiqve në të dyja anët e qytetit duke prerë komunikacionin hekurudhor afër Vishegradit dhe mandej asgjësimin e tyre, çlirimin e Vishegradit dhe shmangien e shkatërrimit të urës mbi lumin Drina. Në sulm morën pjesë Br. VII S, në krahun e djathtë, me drejtim Suhagorë-Vishegrad; Br. VIII S, në qendër, me drejtim Drinsko-Vishegrad; Br. VI S (dy batalione) në krahun e majtë do të godiste armiqtë në lëvizje gjatë hekurudhës Vishegrad-Megjegja. Në të djathtë të Br. VII S sulmonte Br. V S e Sanxhakut. Me urdhër të komandës së divizionit, u hodhën në mësymje Br. VI, VII, XII S, kurse Br. VIII S qëndronte si rezervë e divizionit. Forcat e divizionit ishin shumë të lodhura nga marshimet e gjata, nga mungesa e ushqimit dhe të ftohtit. I vetmi burim furnizimi ishte populli, por edhe ky ishte i varfëruar në kulm. Gjithashtu, divizioni kishte mungesa në municione. Predhat e mortajave mungonin pothuaj fare. Komanda e forcave partizane jugosllave nuk i kish dhënë asnjë ndihmë divizionit, si në ushqim, ashtu edhe në municione.
Luftime në mbrojtjen rrethore të armikut
Luftimet vazhduan me ashpërsi të madhe për disa javë. Partizanët e divizionit e sulmuan armikun në vijën Çaçiçi-Suhagore-Dobrun-Bjelaiçe-Çemivezh. Vija e parë e mbrojtjes armike u thye shumë herë, duke i shkaktuar dëme të mëdha, por mungesa e municionit nuk iu lejonte forcave të divizionit që ta zhvillonin më tej avantazhin e suksesit të arritur. Përparimin e forcave tona e pengonte edhe mbrojtja rrethore që kishte organizuar armiku. Në lidhje me këto luftime, në një komunikatë të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH thuhej se “Div. VI S ka shpërthyer një luftë të ashpër kundër armikut në Bosnjën jugore, dhe pikërisht në sektorin e Vishegradit…”. Br. VII S u përlesh me nazistët në kodrat e fshatrave Zagre e Zanosha dhe në pjerrësitë perëndimore të Suhagorës. Çdo sulmi të saj i përgjigjej një kundërsulm armik. Pozicionet e luftimit po kalonin nga duart e njërës palë në duart e palës tjetër. Pas luftimesh të përgjakshme fituan më në fund partizanët. Përfundimet do ishin edhe më të suksesshme, po të kishte filluar sulmin, në të njëjtën kohë, edhe Br. V e Sanxhakut në krahun e djathtë. Br. VI S goditi me zjarr mitralozash forcat armike në lëvizje mbi hekurudhë. Në përleshje me armiqtë qëllimet u arritën. Por hitlerianët kundërsulmuan me forca të mëdha, duke i detyruar partizanët të tërhiqeshin. Luftimet vazhduan për ditë me radhë me të njëjtën ashpërsi me sulme e kundërsulme, me përparime e tërheqje nga të dyja anët. Partizanëve iu mbaruan pothuaj krejt municionet. Kjo i detyroi ata të tërhiqeshin në vendet e nisjes, duke pritur furnizimin me municione, që të mund të vazhdonin sulmin. U kërkua municion nga forcat partizane të Jugosllavisë, por këto nuk dhanë asgjë. Pas luftimesh të rrepta armiku lëshoi një pjesë të pozicioneve të tij, duke u ngushtuar edhe më shumë rreth Vishegradit.
Çlirimi i Vishegradit
Shërbimi i zbulimit nga mesi i muajt shkurt kishte marrë vesh se komanda gjermane po braktiste Vishegradin, duke e zhvendosur vijën e frontit më në veri, drejt Sarajevës. Shtabi i Div. VI S urdhëroi Br. XXII S dhe Br. VIII S të mos prisnin urdhër të ri, por të sulmonin dhe të hynin brenda në qytet në bashkëveprim me partizanët jugosllavë, duke synuar shkëputjen e praparojave të autokolonave gjermane në tërheqje dhe asgjësimin e tyre. Mëngjesi i 13 shkurtit 1945 i gjeti këto brigada në përparim drejt Vishegradit. Armiqtë, natën, kishin lënë pikëmbështetjet mbi kodrat sunduese në jug e juglindje të qytetit, ku për 15 ditë rresht forcat e UNÇSH kishin zhvilluar me ta përleshje të ashpra. Që në mbrëmje pararojat e Br. XXII S e të Br. VIII S ndodheshin në portat e Vishegradit. Në agim të 14 shkurtit Br. VIII S i sulmoi armiqtë brenda qytetit, në pjesën e anës së djathtë të Drinas. U zhvilluan aty luftime të rrepta, por ato nuk zgjatën shumë. Armiku nxitonte dhe u tërhoq shpejt përtej Drinas, në anën e majtë të saj, duke shkatërruar urën e madhe mbi të. Dy batalione mundën të kapërcenin lumin e të goditnin gjermanët edhe në pjesën tjetër të qytetit. Në pasditen e 14 shkurtit krejt qyteti ishte spastruar nga pushtuesit nazistë. Në Vishegradin e lirë ndodheshin forcat e Div. VI S të UNÇSH e të Br. V të Sanxhakut. Për çlirimin e Vishegradit dhanë jetën 119 luftëtarë të UNÇSH.
Mësime dhe përfundime
Gjatë zhvillimit të veprimeve luftarake të divizioneve shqiptare në këto krahina, furnizimi me ushqim e veshmbathje u krye nga intendencat e tyre. Për këtë ato shfrytëzuan rezervat e krijuara gjatë zhvillimit të veprimeve luftarake. Për të siguruar ushqimin e trupave u përdorën fondet monetare të njësive, me të cilat u blenë sende ushqimore në krahinat ku vepronin njësitë. Veç kësaj, populli u dha partizanëve dhe ushqime vullnetarisht dhe pa shpërblim. Për dhënien e ndihmës mjekësore për të plagosurit rëndë e të sëmurët, divizionet përdorën spitalet e tyre dhe të vendit, kurse për të plagosurit lehtë ndihma mjekësore u dha drejtpërdrejt në front me forcat e mjetet e brigadave. Por problemi që mbeti gjithmonë në qendër të vëmendjes së shtabeve ishte furnizimi me municion. Në raste të veçanta, për të siguruar municion, u përgatitën grupe partizanësh që futeshin në befasi në prapavijat e armikut, sulmonin garnizonet gjermane, u rrëmbenin atyre municion dhe ktheheshin me shpejtësi në repartet e tyre. Gjatë këtyre veprimeve, sulmi kundër armikut në tërësi u bë në kushte të vështira atmosferike. Qendrat e zjarrit të armikut u sulmuan me granata dore në befasi, në afërsi dhe nga drejtime ku terreni ishte i vështirë dhe armiku nuk kishte marrë masa të fuqishme për mbrojtje. Kompanitë dhe skuadrat partizane iu afruan nga krahët qendrave të zjarrit të armikut, dhe pasi hidhnin mbi to granatat e dorës, sulmonin me shpejtësi. Bashkëveprimi i njësive tona me forcat jugosllave gjatë zhvillimit të këtyre operacioneve nuk u organizua, për arsye se komanda e Korpusit II jugosllav, si komandë më e lartë që vepronte në këto krahina, nuk e kreu këtë detyrë. Ajo u mjaftua vetëm, me largimin e forcave të veta nga fronti, për të futur në luftë brigadat tona, duke u caktuar këtyre drejtimet më të forta të mbrojtjes armike. Qëndrimi për tre muaj në Kosovë i Div. V dhe Div. VI S të UNÇSH e qetësoi gjendjen. Lufta e Dytë Botërore tashmë kishte mbaruar. Brigadat e Div. V-VI S të UNÇSH pasi zhvilluan disa muaj luftime kundër bandave çetnike u kthyen në Shqipëri në javën e parë të dhjetorit të vitit 1945. Në luftë me pushtuesit gjermanë dhe veglat e tyre përtej kufijve shtetërorë në Jugosllavi dhanë jetën mbi 600 luftëtarë të UNÇSH. Popujt vëllezër të Jugosllavisë s’do t’i harrojnë kurrë bijtë dhe bijat e popullit shqiptar që luftuan me vetëmohim për çlirimin e tyre.