Bardhyl Berberi/ Një firmë fantazmë shkatërron 20 bunkerët përgjatë kufirit me Maqedoninë

588
Ka disa ditë që një firmë fantazmë nga Elbasani në zonën e Malit të Thatë përgjatë kufirit me Maqedoninë, po zhduk nga faqja e dheut qendrat e zjarrit e bunkerët ndërtuar në kohën e regjimit totalitar për të marrë hekurin për skrap prej tyre. Me dinamit, me pleh kimik të nitratit të amonit e naftë që përdoret si lëndë shpërthyese e duke i thyer edhe me çekan-vare me krahë, elementë keqbërës që konsumojnë vepra penale si “Vjedhje” “Shkelje e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” dhe “Shkatërrim i pronës me lëndë plasëse, kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 134,282,152,25 te Kodit Penal. Brenda një jave janë shkatërruar 20 bunkerë përgjatë kufirit me Maqedoninë në pllajën e Malit të Thatë midis fshatit Alarup dhe Potgorie. Ky fenomen ditët e fundit shqetësoi banorët e Alarupit dhe Potgories në territorin e së cilës si brez kufitar ka shumë bunkerë të cilët qëndrojnë në këmbë. Po një firmë biznesi fantazmë e ardhur nga Elbasani me mjete motorike të rënda filloi ti dërmojë ata njëri pas tjetrit, ditën me diell. -Po me bunkerët ç’kanë, tha bariu Mystehak Mazelli që kullot dhitë e tij në ato lartësi përgjatë kufirit , ata nuk kërkojnë as bukë as ujë. Kemi hequr nga goja e jemi ushqyer me tallon, për ti ngritur në atë kohë. Nuk mund të lëvizin nga vendi e s’përbëjnë kërcënim për askënd, përkundrazi mund të shërbejnë…”. Dhe vërtet fermerë që kanë prej tyre në ngastrat me të mbjella i përdorin si depo për plehun kimik, ndokush kultivon brenda tyre edhe kërpudha, kurse pranë zonave urbane ka bunkerë, të cilët qytetarë të ndryshëm i kanë kthyer në lokale të vegjël krejt origjinalë, për kështjella e fortesa, sepse përpos funksionit të tyre mbrojtës, bunkerët janë relike edhe të një kohe që lamë pas e si të tillë zgjojnë interes për vizitorë të ndryshëm.
E devolliu Arben Cane kreativ në ide të tilla, ka përshtatur në bar-kafe një bunker të madh në dalje të qytetit të Bilishtit drejt pikës doganore të Kapshticës prej vitit 1994 dhe është mjaft entuziast me klientelën. “Njerëz të ndryshëm nga bota, thotë ai, kur e shembën Murin e Berlinit në vitin 1989, shkonin e merrnin prej tij copa të vogla për kujtim. Ne i kemi këto relike të Luftës së Ftohtë midis dy ish-blloqeve që ishte ndarë bota dikur, përse ti prishim? Për më tepër kur nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes nuk ka ndonjë urdhër të tillë”. Me qesëndi një banor i këtij fshati Riza Minga thotë se kur mora tokat tona me tapi i shkrova vëllait në Amerikë që i morëm 10 dynym tokë tek pllaja e pusit dhe katër bunker janë në territorin tonë por tani që bunkerët u shkatërruan ….kur të vijë vëllai do të më thotë po bunkerët ku i ke ? Dhe i nisur nga shqetësimi i banorëve të zonës, si përgjegjës për komunikimin me ata nënprefekti i Pogradecit Luan Maxhari për gazetën “Telegraf” ka thënë se mori masa të detyrueshme largimi ndaj firmës pirate madje është kërkuar që ata të procedohen penalisht. Po fenomeni i shkatërrimit të bunkerëve, vetëm për disa kilogramë hekur për skrap me ç’do kosto mbetet mjaft problematik jo vetëm në Devoll e Korçë e Pogradec, po edhe në rrethe të tjera të vendit. Natyrisht për këtë është në dijeni edhe Ministria e Mbrojtjes, e cila nëse e shikon fenomenin, si shkelje të ligjit e shkatërrim të pasurisë së saj, ta gjejë fjalën me qeveritë vendore për të shpëtuar ç’ka mbetur ende në këmbë sot nga ato që trashëgoi prej kurrizit të popullit. Përpos kësaj brezat e ardhshëm duhet të dinë për të kaluarën e partisë shtet të diktaturës së proletariatit .
Sigal