Xheladin Çelmeta/ Rivendosje e dinjitetit të spitalit Ushtarak

597
Dje, mediat publikuan lajmin se Spitali Ushtarak së shpejti do të kthehet “në identitet”. Natyrisht, jo në kuptimin primitiv të fjalës, por në atë më pozitiv. Shkurt; “pavijoni i Traumës”, deri tani “civil”, do të kthehet në “ushtarak”; që do të thotë, se personeli mjekësor aty, do të jetë personel ushtarak, dhe gjithashtu njëqind përqind e pavijoneve e shërbimeve të tjera të këtij spitali në total, që ndodhen në atë territor, do të kalojnë të gjithë në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Kështu ka qenë, në fakt, deri disa vite më parë, përpara se aty të niste historia e një transferimi të dyshimtë dhe të përfolur të kalimit të traumës nga spitali civil, tek ai ushtarak, pas vitit 1990. Po ç’ka ndodhur me Spitalin Ushtarak, në një çerek shekulli demokraci? E vërteta është se në këto 25 vjet e kusur, sa herë që në këtë qendër të rëndësishme shëndetësore shqiptare, ka ndërhyrë politika, aq herë është trazuar, për të mos thënë është goditur, ajo që quhet “shenjtëria e misionit të mjekut”. Stafi i përkushtuar ndër vite i këtij spitali është ndjerë në siklete të gjithfarëllojshme, sa herë që hijet e politikës dhe militantizmit kanë qëndruar pezull mbi bisturinë e mjekut apo të personelit infermeror, që në jo pak raste, për shkak të përplasjeve rutinore të “pjesës civile” me “pjesën ushtarake” të Spitalit, ka rezultuar që emri t’ju shënohej zakonisht “me laps plumbi”. Apo edhe për shumë anomali të tjera të kësaj natyre. Pas këtij konceptimi të ri unik të Spitalit Ushtarak, shumëkush beson se ai tani do të rimarrë fizionominë e merituar, të humbur pak vite më parë, (që sipas mediave, ka ndodhur “për shkak të politikave konjukturale të kohës”). Le të komentojmë: Vendimi i disa viteve më parë, që e ktheu pavijonin e Traumës së Spitalit Ushtarak; nga “ushtarak” në “civil” ishte përtej formës, cenim në përmbajtje. Spitali Ushtarak u cënua kështu në “thembrën e Akilit”; u cenua pikërisht në qenia e tij si njësi unikë ushtarake, ashtu siç janë të tillë edhe spitalet ushtarake të Botës, si; Turqia, Greqia, Gjermania, Zvicra, Italia, etj. Ndaj ky riafirmim i ri këtij institucioni, përmes vendimit të fundit të qeverisë; nr. 3900, datë 27.8.2015, mendoj se do të sjellë edhe një mirëfunksionim dhe mirëadministrim më bashkëkohor aty. Të gjithë e dimë se jo pa qëllim Spitali Ushtarak, u nda në “dy pjesë” dikur. U nda, jo nga vullneti i vetë spitalit; dhe jo rastësisht, por nga “hanxhari” i politikës. Tani le të besojmë që këtë herë, në formulimin e një vendimi të tillë të ekzekutivit shqiptar, mjaft të mirëpritur nga opinioni, të ketë zënë vend, jo argumenti politik, por argumenti i profesionistëve të mjekësisë dhe i atyre të Ministrisë së Mbrojtjes. Se kështu e do, jo interesi “i dikujt”, por interesi i gjithë qytetarëve, i pacientëve që duan shërbim mjekësor sa më cilësor, por dhe rregull të përkryer spitalor. Spitali Ushtarak, historia e tij ndër vite, ka treguar se ka qenë dhe mbetet një qendër mjekësore shumë popullore. Me shumë reputacion. Dhe kjo është arritur me punën mbresëlënëse të figurave më të spikatura të mjekësisë ushtarake në vite. Duhet respektuar kjo histori e lavdishme e tij. Nuk gjen institucion tjetër mjekësor në këtë vend, që të jetë ndeshur me kaq vështirësi sa Spitali Ushtarak. Dhe asnjëherë stafi mjekësor i tij, personeli i tij me uniformë, nuk e ka “braktisur llogoren”. Në mënyrën më të drejtpërdrejtë, në këtë tranzicion 25 vjeçar, Spitalit Ushtarak i është dashur “të presë” (pa kontratë) produktet më negative të politikës shqiptare. Dhe me një shembull të rrallë stoicizmi, ai i ka përballuar me dinjitet këto situata. Kujtojmë vitin e zi 1997. Qindra të plagosur me armë zjarri “u dyndën” drejt Spitalit Ushtarak. Më sytë e mij, kam parë mjekë e infermierë të këtij spitali, që ashtu mes plumbash, në atë kohë të marrë, nuk munguan asnjë ditë, por shkuan në punë për të shpëtuar jetë njerëzish. E çfarë nuk kanë përjetuar “bluzat e bardha” të këtij spitali atëherë. Lloj-lloj incidentesh. Mjekët patën lloj-lloj kërcënimesh, por të udhëhequr nga instikti i shenjtë i profesionit që kishin, ata nuk preferuan të merreshin me procedura gjyqësore. Jo. Ata preferuan të mbeten anonimë, dhe të merreshin vetëm me shërimin e plagëve, për të shpëtuar jetë. Të bindur se ky është misioni i tyre. Po kështu edhe në 1998-ën, një tjetër krizë “alla shqiptare” me viktima njerëzore. Edhe në këtë moment, Spitali Ushtarak ishte “në llogoren” e luftës për të shpëtuar jetë… 
Rikonceptimi i Spitalit Ushtarak, kalimi i tij tërësor në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes, nuk është “kthim prapa”, por nevojë jetike për të ruajtur shenjtërinë e misionit të “bluzave të bardha” të Ushtrisë dhe për të perfeksionuar standardet e shërbimit. As më shumë e as më pak, por ashtu siç e kanë edhe vendet e tjera mike, si; Turqia, Greqia, Italia, Gjermania, etj. Ashtu si deri tani, Spitali Ushtarak, do të vazhdojë të jetë “shtëpia e engjëjve” për çdo pacient, për çdo qytetar të aksidentuar, që do të marrë këtu ndihmën e specializuar mjekësore. 
Sigal