Arben Pinari:Ndryshojnë procedurat për patentat, së shpejti pajisja dhe rinovimi i tyre on-line

1008
Sigal

INTERVISTA/Flet Arben Pinari, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor

Së shpejti pajisja me leje drejtimi ose rinovimi i kësaj të fundit do të bëhet on-line. Ky aplikim do t’u vijë shumë në ndihmë të tërë personave që do të kenë nevojë për marrjen e lejeve të drejtimit të automjeteve. Ky shërbim i ri do të bëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor.  Në lidhje me ndryshimet që do të bëhen me patentat ka folur në një intervistë për “Telegraf”, zoti Arben Pinari, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor. Ndërkohë, një tjetër risi është dhe zbatimi projektit të hartuar nga ana e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së informacionit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor për krijimin e portalit për patentën e shoferit. Ky portal do të jap mundësi të gjithë drejtuesve të mjeteve që të bëjnë aplikime on-line për të pajisur apo rinovuar lejen e drejtimit, në raste kur u ka humbur, vjedhur, apo për të aplikuar nga e para. “Ne kemi arritur që të ndërtojmë regjistrin bazë dhe në përfundim të këtij procesi janë ballafaquar për 634 mijë shtetas, ku çdo shtetas figuron dhe me kategoritë e lejeve të drejtimit. Natyrisht që gjatë këtij procesi të gjitha të dhënat, pra një punë dhe arkivë prej vitesh e akumuluar në Drejtorinë tonë është marrë dhe përpunuar me të dhënat e Gjendjes Civile që ka çdo shtetas. Nga ky proces ka dal që me përputhjet manuale, pra duke hapur çdo dosje me dorë, janë afro 83 mijë shtetas. Nga ana tjetër kemi dhe probleme të tjera, siç janë mospërputhjet me emrat apo mbiemrat e rreth 16 mijë shtetasve”,-shton më tej zoti Pinari. Shumë shpejt pritet të nis aplikimi në praktikë i patentave me pikë, për të gjithë ata që duan të pajisen me leje drejtimi për automjet. “Ne jemi ende në fazën e implementimit për futjen  në përdorim të patentës me pikë. Tashmë ka përfunduar nga Agjencia Kombëtare e Shërbimit portali i shërbimeve. Brenda këtij programi është dhe patenta e shoferit, njëkohësisht  ka dhe shërbime të tjera që do të ofrojmë nëpërmjet këtij portali. Lidhur me çështjen e patentës me pikë, ne kemi përfunduar fazën e parë të qendërzimit të të gjitha të dhënave dhe përshtatjen e databazës që ne kemi për këtë projekt. Duhet thënë se është bërë një punë kolosale, pasi kemi afërsisht një vit që punohet mbi këtë projekt. Tashmë kemi arritur të bëjmë ballafaqime me regjistrin e gjendjes civile të gjithë shtetasve që janë të pajisur me leje drejtimi, pasi ne kemi kthyer të gjitha këto të dhëna në regjistrin bazë ashtu sikurse e kanë dhe vendet e bashkimit Evropian”,- bën të ditur zoti Arben Pinari, Drejtori i Shërbimit të Transportit Rrugor.

 -Zoti Pinari, është duke u zbatuar projekti për implementimin e patentës me pikë, në çfarë fazë ndodheni aktualisht?

 -Po, ka filluar prej disa kohësh projekti për futjen në përdorim të patentës me pikë. Ne jemi ende në fazën e implementimit për futjen  në përdorim të patentës me pikë. Tashmë ka përfunduar nga Agjencia Kombëtare e Shërbimit portali i shërbimeve. Brenda këtij programi është dhe patenta e shoferit, njëkohësisht  ka dhe shërbime të tjera që do të ofrojmë nëpërmjet këtij portali. Lidhur me çështjen e patentës me pikë, ne kemi përfunduar fazën e parë të qendërzimit të të gjitha të dhënave dhe përshtatjen e databazës që ne kemi për këtë projekt. Duhet thënë se është bërë një punë kolosale, pasi kemi afërsisht një vit që punohet mbi këtë projekt.

 -Çfarë fazash kanë ngelur ende pa u përmbyllur?

-Tashmë kemi arritur të bëjmë ballafaqime me regjistrin e gjendjes civile të gjithë shtetasve që janë të pajisur me leje drejtimi, pasi ne kemi kthyer të gjitha këto të dhëna në regjistrin bazë ashtu sikurse e kanë dhe vendet e Bashkimit Europian. Pra  kemi bërë të mundur të bëjmë një përmbledhje sesa leje drejtimi ka çdo shtetas, ku duam të bëjmë të mundur që një shtetas të rezultojë vetëm një herë i regjistruar. Duhet thënë se regjistri i vjetër që kemi pasur ka qenë i bazuar mbi numrin e patentave që kishte çdo shtetas, por jo mbi numrin e shtetasve që kishin kategori të ndryshme lejesh drejtimi.

 -Dhe sa kohë ju duhet për të përmbyllur fazat që përmendet më lart?

 -Natyrisht pjesë të këtij projekti do të jenë dhe shërbime të tjera që ne kemi, pra jo vetëm rinovimi, regjistrimi nëpër autoshkolla, denoncimi për humbje apo vjedhje, por do të futen dhe shërbime të tjera on-line, pasi kemi certifikata dhe dëshmi të aftësisë profesionale për mjetet motorike të cilat nuk punojnë në rrugë. Ndërkohë, kemi dhe certifikatat e kompetencës profesionale që janë për drejtuesit teknik të shoqërive të transportit, duke bërë të mundur pasurimin e portalit.

 – Dihet që sot në Shqipëri ka një numër të madh të personave që janë të pajisura me leje drejtimi. Sa e vështirë ka qenë kjo punë për institucionin tuaj sa i takon hedhjes së të dhënave në regjistrin bazë?

 -Duhet thënë se ka qenë një proces i vështirë, pasi kemi punuar dhe me regjistra të viteve të shkuara, që në kohën e monizmit. i lehtë ka qenë procesi i pasi ka filluar lëshimi i patentës dixhitale, pra të formatit të prokatit dhe jo të patentës me letër që jepej kohë më parë. Formati i prokatit ka qenë një procesi i informatizuar, pasi ka nisur nga viti 2005 e deri më tani. Duhet thënë se më e vështirë ka qenë periudha para vitit 2005. Të gjitha këto të dhëna janë konsultuar me regjistrin e gjendjes civile. Natyrisht që nevojitet dhe një punë e dytë që ky regjistër të pastrohet nga shtetasit që kanë ndërruar jetë, kanë lëshuar shtetësinë shqiptare dhe raste të tjera. Duhet thënë se jemi në fazën ku po pasurojmë dhe Regjistrim Kombëtar të mjeteve, të cilin po e pasurojmë me të dhëna dhe standarde të reja.

 – Zoti Pinari, me mbylljen e kësaj pike dhe sa kohë duhet për të arritur tek aplikimi në praktikë i patentës me pike?

-Ngritja e këtij portali ka një afat, ashtu sikurse është e përcaktuar data 31 mars, që duhet të mbarë përgatitja dhe të fillojnë provat e aplikimit me këtë sistem. Pasi me anë të këtij sistemi dhe me ngritjen e këtij portali, i gjithë dokumentacioni do dixhitalizohet. Pra qytetarët në momentin që do paraqiten për të bërë aplikimet pas vënies në funksionim të këtij portali dhe ketë dhe një proces tjetër i cili lidhet me modernizimin e procedurave të aplikimit. Pra nuk do të kemi më marrje të shenjave të gishtave me formularë apo firmë me formularë, por të gjitha do të bëhen në një zyrë shërbimi. Nuk kemi të bëjmë në këtë rast me ndryshime nga pikëpamja e softit, por dhe me modernizimin e procedurave dhe të aseteve të tjera teknike.

 – A është përcaktuar një afat konkret i vënies në zbatim të këtij projekti dixhital?

-Duhet të kemi parasysh diçka sa i takon këtij projekti të madh. Pjesë e këtij projekti janë dy kompani të mëdha, për portalin EDL është përgjegjëse një  kompani e huaj dhe për qendërzimin dhe përshtatjen e këtyre të dhënave është një kompani shqiptare. Pavarësisht që mes këtyre kompanive ka pasur bashkëpunim të ngushtë, funksionimi është një çështje tjetër. Si fillim do bëhen provat me këtë projekt, por do të bëhen dhe specializimi i personelit të dyanshëm. Pra, jo vetëm që do të marrin trajnime, por ato të fillojnë ta përdorin çdo ditë, pasi nga trajnimi i tyre varet dhe suksesi i këtij projekti. Sa më e shpejtë të jetë kjo aq me e suksesshme do jetë dhe shërbimi që do t’i ofrojmë qytetarit. Ne gjatë kësaj kohe kemi bërë dhe pjesën e reformimit të të gjithë shërbimit, të cilat do shoqërohen normalisht dhe me krijimin e kushteve që kemi në drejtoritë tona.

 – A janë përcaktuar aktet nënligjore sa i takon shkeljeve të rregullave të qarkullimit, mbi procedurat sesi do të hiqen pikët në bazë të këtyre gabimeve?   

-Përpara se të shkojmë tek heqja e pikave nga patenta me pikë ne do të kemi një reformim që do të sjell ky shërbim, pra aplikimi on-line. Ky lloji aplikimi do të kërkojë dhe reformim të bazës ligjore. Pra të gjithë udhëzimet dhe format e aplikimit për formularët e vjetër që përdorim sot, do të kalojnë në një proces reformimi. Pra do të hiqen formularët me dorë, pasi do të jenë të gjithë dixhital. Ndërkohë, do të ndryshojë dhe rregullorja  e punës dhe detyrat që ka çdo punonjës i kësaj drejtorie. Natyrisht që, do jetë dhe pjesa për daljen e akteve nënligjore për patentën me pikë, por në rast se nuk do të mbyllim me sukses fazën para saj.

 –Është folur edhe për ndryshime në  strukturën e testimit të teorisë për pajisje të shtetasve me leje drejtimi?

-Para disa ditësh kemi zhvilluar një takim me Shoqatën e Autoshkollave sa i takon rishikimit të testeve për kategoritë e lejeve të drejtimit A dhe B, pra për motorin dhe veturën, të cilat përfunduan. Nga ana e të dy palëve është kërkuar që këto pyetje dhe ndërtimi i këtij data basi të kalojë nëpërmjet duarve të specialistëve të gjuhësisë. Kjo pasi ka të bëjë shumë mënyra e ndërtimit të pyetjeve ose përdorimi i fjalëve shqip. Ne tashmë jemi në momentin e kontaktit me një specialist gjuhësisë, i cili pasi të bëjë të gjithë kontrollin dhe riparimet e duhura të testeve, grupet e punës do mblidhen për të vendosur. Njëkohësisht ne kemi vendosur që me të përfunduar procesi i informatizimit, do të kemi një databazë unike për testimin e kursantëve. Sot nuk është një program unik nëpër autoshkollat tona, por vetëm në drejtorinë tonë. Shumë autoshkolla kanë databazë më vete, ndërsa ne do tu ofrojmë atyre të njëjtën databazë që kemi, që kursanti ta ketë më të thjesht testin e teorisë.

 -A do të ketë reduktim të numrit të pyetjeve?

-Në këtë rast do të bëjmë një program unik, i cili do të  do të sjell më produktivitet për kursantët. Më pas kemi një proces të dytë, i cili do jetë mbi gjithë këto kualifikimet e tjera për mjetet e veçanta të punës. Ndryshimet e tjera do të vinë më pas si pasojë e aplikimit të standardeve. Ne kemi bërë thjeshtimin e shumë pyetjeve që kemi në përdorim aktualisht, sidomos gabimet gjuhësore dhe ortografike. Ka disa pyetje, pavarësisht varianteve të cilat janë përpunuar nga Shoqata e Autoshkollave me specialistët tanë, gjatë aplikimit të tyre vetë kjo shoqatë ka kërkuar ndryshimin e tyre.

Patenta drejt përshtatjes me rregullat e BE-së

Si pasojë e zbatimit të këtyre direktivave dhe standardeve të vendeve të BE-së, do të shkojmë drejt përshtatjes me rregullat e qarkullimit. Ndërkohë jemi në proces implementimi për ofiçinat e Taografit.  Tashmë  kemi përfunduar dy ofiçina të tilla, në Fier dhe në Durrës. Ndërkohë në përfundim është dhe ofiçina në qytetin e Gjirokastrës madje ka mbaruar dhe procesi i tenderimit në Vlorë. Ofiçina të tjera do ketë dhe në Laç e Tiranë dhe një në Kukës. Pra ky shërbim do të ketë një shpërndarje të gjerë gjeografike për shkak të lehtësirave që do u ofrohet këtyre përdoruesve të mjeteve, madje dhe shërbimet që do të ofrohen do të jenë me tarifa shumë më të ulta sesa ato të vendeve të BE-së.

Janë hedhur on-line të gjitha personat që kanë patenta

Ne kemi arritur që të ndërtojmë regjistrin bazë dhe në përfundim të këtij procesi janë ballafaquar për 634 mijë shtetas, ku çdo shtetas figuron dhe me kategoritë e lejeve të drejtimit. Natyrisht që gjatë këtij procesi të gjitha të dhënat, pra një punë dhe arkivë prej vitesh e akumuluar në Drejtorinë tonë është marrë dhe përpunuar me të dhënat e Gjendjes Civile që ka çdo shtetas. Nga ky proces ka dal që me përputhjet manuale, pra duke hapur çdo dosje me dorë, janë afro 83 mijë shtetas. Nga ana tjetër kemi dhe probleme të tjera, siç janë mospërputhjet me emrat apo mbiemrat e rreth 16 mijë shtetasve.