Prokuroria të fillojë hetimet për shkaktarët e përmbytjeve

585
Sigal

Në Shkodër 2 000 ha e 60 banesa nën ujë, shënohet viktima e dytë

Reshjet e shiut, hapja e portave në HEC-e, por dhe dalja nga shtrati i disa lumenjve kanë shkaktuar një situatë të rënduar në Shkodër, Vlorë, Fier, Elbasan, Durrës e Krujë. Dje paradite rezultonin rreth 4900 hektarë tokë janë nën ujë në Shkodër kurse situata u përmirësua pas mesditës, ku rezultuan 2 000 ha nën ujë. Nga 315 shtëpi që ishin të izoluara krejtësisht nga uji, numri shkon në 60. Rreth 120 familje u evakuuan në Shkodër. Niveli i ujit në Shkodër krahasuar me një natë më parë ka rënë me 40%. Në Vlorë, 10 shtëpi janë përmbytur nga dalja e lumit Vjosë, në fshatin Fitore, ndërsa rrezikohen edhe 300 të tjera. Si pasojë e reshjeve të dendura ka pasur edhe rrëshqitje dherash, duke bllokuar kështu akset rrugore Këlcyrë-Përmet dhe Gramsh-Korçë. Në Gjirokastër është shembur rruga Dunavat në lagjen muzeale, që lidh tre lagje të tjera të qytetit, ndërsa në Bulqizë është shembur një urë që lidh katër fshatrat e një komune. Lezhë, thyhen argjinaturat në Tale, 6 familje kërkojnë evakuim. Në Lezhë në fshatin Tale uji ka thyer argjinaturën mbrojtëse duke hyrë në zonat e banuara. Shirat e rëna kanë shkaktuar rrëshqitjen e tokës tek kthesa e Vlosokës në qytetin e Fierit. Si pasojë e rrëshqitjes së tokës është bllokuar rroka, ndërkohë raportohet se automjetet kalojnë me vështirësi vetëm në njërin kah të saj. Një 32- vjeçar ka gjetur vdekjen si pasojë e përmbysjes së mjetit bujqësor tip “Dum dumi”, në Torovicë. Ka qenë ngjarja aksidentale pasi viktima Ndue Qosaj për arsye të mbulimit të rrugës nga uji, mjeti i tij dalë nga aksi rrugor dhe është përmbysur në një kanal. Pas reshjeve të dendura të shiut, të rëna përgjatë 24 orëve të fundit, dalja e përrenjve nga shtrati tek stacioni i trenit ka bërë që ujërat e zeza të dalin në sipërfaqe. Banorët kanë apeluar për ndihmë.

Qarku Vlorë.

Në Qarkun e Vlorës, situata më problematike paraqitet në Urën e Mifolit, në fshatrat Fitore, Trevllazën dhe Novoselë të komunës Novoselë. Aktualisht reshjet kanë pushuar dhe situata po vjen duke përmirësuar. Prurjet e lumit Vjosa po pakësohen dhe niveli i ujit tek Ura e Mifolit është 6 m nga 7 m që është pika kritike. Janë evakuuar 30 familje të fshatrave të bregut të lumit Vjosë (Fshati Fitore, Novoselë, Zhurë dhe Grykë Pishë), si dhe tre familje që ndodhen pranë Urës së Mifolit.

Qarku Fier

Edhe në Qarkun e Fierit situata po vjen drejt përmirësimit. Më konkretisht toka bujqësore të përmbytura janë: Komuna Hekal 50 ha, Komuna Kutë 50 ha, Komuna Frakull 50 ha dhe Komuna Cakran 30 ha. Në Komunën Levan, rreth 38 familje të fshatrave Ferras dhe Çervez 2, janë prekur nga prezenca e ujit, por jo në banesa. Problematike aktualisht paraqitet gjendja në lumin Seman, pasi prurjet tek ura e Mbrostarit janë në kuota maksimale.

Qarku Durrës

Situata në Qarkun e Durrësit po vjen drejt normalizimit të plotë. Gjatë ditës së sotme janë evakuuar rreth 20 familje në fshatin Katund i Ri, Komuna Sukth.

Qarku Lezhë

Gjendja është në përmirësim, reshjet janë me intensitet të dobët dhe niveli i ujërave në lumenj dhe kolektorë është në rënie. Hidrovorët punojnë të gjithë, niveli i ujërave në basenët e hidrovorëve është në kota të larta. Sipërfaqe të tokave bujqësore me prezencë uji janë: Në zonën e Zadrimës 300 ha, Komunat Dajç, Blinisht, Balldre, Kallmet. Në zonën e Bregut të Matës 400 ha, Komunat Kolsh, Zejmen, Shënkoll; Në zonën Fushë -Gjormë 150 ha, Bashkia Laç, Mamurras e Kom. Fushë- Kuqe; Në zonën Fushë Mamurras, Adriatik 100 ha, Bashkia Mamurras, K. F.Kuqe.

 Refleksion

Fajtorë të përmbytjeve janë (edhe) vetë të përmbyturit

Mjaftoi një ditë shiu dhe gjithçka dhe kudo në Shqipëri u përmbyt. Toka bujqësore, shtëpi, qendra qyteti, sikurse Kamza, ndërsa bulevardet u shndërruan në përrenj të rrëmbyeshëm, ndërkohë shumë akse rrugore po shkatërrohen nga gërryerja. Dhe njerëzit, duke ndjerë rrezikun e jetës  së tyre dhe të familjes nga përmbytja, me sytë nga qielli,  kërkonin me tmerr, me lutje, me shpresë një ndihmë për evakuim nga …shtëpitë që u ishin shndërruar në anije të përmbytura. Këto ngjarje të dhimbshme të përmbytjeve, përveç tokave,  tashmë edhe të shtëpive dhe fshatrave, ndodhin, çdo vit, këto 10 vjetët e fundit, ku nuk kanë munguar edhe viktimat. Kishim dekada të tëra, që nga tharja e moçaleve dhe kënetave, që në Shqipëri nuk përmbytej asnjë hektarë tokë buke, pasi funksiononte më së miri gjithë sistemi kullues. Askush nuk ka marrë mundimin që të analizojë shkaqet, të nxjerrë përgjegjësitë, e ca më tepër, që të hartohen strategjitë për të përballuar, paraprakisht, në kohën e duhur, pasojat katastrofike të përmbytjeve. Fajtorët mund të jenë të shumtë, shteti, institucionet, drejtuesit shtetërore, pushteti vendor,  por kryesorë janë vetë të pësuarit, ata që përmbyten. Sepse, tashmë, askush nuk interesohet, përtej murit dhe gardhit të pronës së vet. Tashmë askush nuk interesohet dhe të përkujdesohet për pastrimin e parakohshëm të kolektorëve, të kanaleve të para, të dyta, të treta kullues. Madje, vetë fshatarët janë, ata që dëmtojnë edhe pompat e hidrovoreve. Vetë fshatarët janë ata që zaptojnë tokën bujqësore, ndërtojnë pa planimetri dhe me ndërtimet bllokojnë edhe vetë kanalet kulluese, pa u merakosur aspak, për pengesat me dashje që i bëjnë kullimit të ujërave.  Në shumë sipërfaqe të pyjeve bëhet masakrimi i prerjes pa kriter i pyjeve, pa marrë asnjë masë për ripërtëritjen e tyre. Të shpeshta janë edhe vënia e zjarrit me qëllim i pyjeve, për të zhveshur sipërfaqe të tëra, e më pas, këto sipërfaqe të zhveshura nga pemët, t’i betonojnë në shtëpi objekte të tjera ndërtimi. Asnjë institucion shtetëror dhe vendor nuk funksionon që të parandalojë këtë dhunim të mjedisit, ndërsa pasojat janë katastrofike dhe të dukshme vetëm kur reshjet kthejnë në këneta çdo sipërfaqe toke të dhunuar. Sikur të mos mjaftojë ky barbarizëm ndaj mjedisit nga fshatarët dhe nga mosfunksionimi i ligjit, “stafetën” e së keqes e marrin vetë institucionet shtetërore, të cilat, miratojnë projekte të ndërtimit të akseve rrugore, qofshin këto kombëtare, apo të rrugëve të dyta, pa u dhënë rrugëzgjidhje kullimit të ujërave. Kështu, akset e rrugëve të ndërtuara këputin çdo rrjedhë të kullimeve, duke shndërruar, paskëtaj, sipërfaqe të tëra në moçal e kënetë. Nuk mund të jetë e pranueshme, që të (lejohen) ndërtohen shtëpi banimi brenda shtrateve të lumenjve, e pastaj, me një pikë shiu, për shkak të përmbytjeve, banorët, që kanë masakruar ambientin dhe mjedisin, të kërkojnë nga shteti evakuim dhe më pas… të drejtën e dëmshpërblimit.