7.3 miliardat e ilaçeve, po mbyllen si 7.3 miliardat e Bankës

47
Skandali i vjedhjes gjigande me rimbursimin e ilaçeve me receta false, duket se po mbyllet siç u mbyll skandali i vjedhjes gjigande që u zbulua në Bankën e Shtetit Shqiptar. Dje, drejtësia shqiptare, provoi me fakte konkrete, se nisi hapjen e mbylljes së këtij skandali, duke dhënë vendime absurde, për një “çetë” hajdutësh nëpunës shteti në sektorin e shëndetësisë e të faramceutikës, të cilët kishin në duar administrimin e tregut të ilaçeve. Në qeli mbeti vetëm Pjerin Xhuvani, drejtor i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Tiranë dhe H. Roci, administratori i katër farmacive private, i cili sipas organit të akuzës, ka pranuar aktivitetin e tij të paligjshëm me rimbursimin fiktiv të ilaçeve. Por nuk u mbajtën në qeli, duke u lënë me detyrim paraqitjeje dhe arrest shtëpie, zyrtarët e tjerë të shërbimit shtetëror farmaceutik, të cilët kanë firmosur e vulosur gjithë aktivitetin paligjshëm të rimbursimit fiktiv të ilaçeve. 
Perse? Sepse një dorë e fortë, që e ka “shpatullën” në krye të ministrisë së Shëndetësisë dhe një “dorë e fortë” në parlament dhe në pushtetin e “Rilindjes”, kanë urdhëruar drejtësinë të mos preket as “bishti i peshkaqenëve” të këtij super-skandali me ilaçet. Arrestimet e bëra janë disa emra që kanë hedhur vula e firma kontratash, që kanë hedhur vula e firma likuidimesh, që kanë lejuar dhe mbajtur të fshehtë krimin e rimbursimit fiktiv, që kanë plotësuar formularë e dosje false, për katër farmacitë e bëra publike, të bëra “bedel” për bosët vërtetë të këtij krimi shtetëror. Gazeta “Telegraf”, parlajmëroi arrestimet që do të bëheshin, duke pasur informacionin, se të parët do të arrestoheshin zyrtarët e lartë të ISKSH e të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë pasur dijeni për këtë krim, madje janë skenaristët e këtij krimi, duke përdorur farmacitë e tyre reale dhe farmaci fiktive, të pa regjistruara në QKR, ose që nuk ekzistojnë as si objekte. Fakti doli ndryshe. Spektakli i arrestimeve u mbyll pas 48 orësh, me lirimin e zyrtarëve që kishin hedhur firmat, me mbajtjen në qeli të një drejtori e të një menaxheri farmacie dhe me mos shqetësimin as të ministrit, as të drejtorit të ISKSH, as të nëndrejtorit të ISKSH Skuraj, as të drejtuesve të tjerë, që kanë lidhje dhe përgjegjësi direkte me sektorin farmaceutik, ku u bë krimi. 
Drejtësia nuk po tregon emrat e mjekëve
Drejtësia nuk po tregon emrat e mjekëve, duke vijuar të skemën e zyrës anti-korrupsion të kryeministrisë e cila përmendi vetëm emrat e 4 farmacive dhe asnjë emër tjetër farmacie, asnjë emër zyrtari të lartë e të ulët, asnjë emër mjeku e shefi pavionesh të përfshirë në skandal, apo qoftë edhe emra pacientësh që janë përdorur fiktivisht në receta rmibursimi fals, në emër të të cilëve, janë vjedhur miliona euro rimbursim ilaçesh. Kush janë emrat e mjekëve që kanë lëshuar recetat? Cilëve mjekë u janë vjedhur vulat dhe janë përdorur për receta false rimbursimi? Cilët i kanë ato vula? Me çfarë urdhri u mblodhën vulat? Sa farmaci janë përfshirë realisht në këtë krim financiar? A ka lidhje Ministri i Shëndetësisë me këtë skandal? Në sa farmaci të ministrit Beqja, të zv/ministrave, të drejtorit dhe nëndrejtorit të ISKSH e të zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, të ministrave, deputetëve, politikanëve, diplomatëve etj, është bërë rimbursim recetash false? Këto fakte, nuk publikohen, mbasi mbahen të bllokuara nga ministri Beqja. 
Drejtësia duhet të publikoj çdo detaj të këtij skandali, mbasi sipas burimeve që ka gazeta “Telegraf” për këtë skandal, janë përdorur 193 vula në afro 200 farmaci në të gjithë Shqipërinë, me epiqendër Tiranën, Durrësin, Vlorën, Beratin, Shkodrën dhe farmaci të tjera në zona rurale skajore të vendit, siç ishte rasti i katër farmacive, të cilat prej administratorit të tyre, është pranuar se janë përdorur si qendra vjedhjeje me receta false rimbursimi. Ka një fakt, që nuk duhet anashkaluar: ministri Beqja është Kryetar Bordi i ISKSH dhe si i tillë ka detyrimin të përgjigjet publikisht, se cilët janë autorët e vërtetë të skenarit të këtij skandali? Ministri Beqja, si ministër, duhet të përgjigjet publikisht e ligjërisht, se përse nuk i kërkon drejtësisë të zbardhet skandali i plotë me emra e abuzime, duke çuar në bankën e drejtësisë, këdo që është zhytur në moçalin e rimburismit fals. Vendimi i djeshëm i drejtësisë, po jep sinjalin, se edhe skandali i rimbursimit fals të 7.3 miliardë lekëve me ilaçet, duket se do të mbyllet siç u mbyll edhe skandali i vjedhjes së 7.3 miliard lekëve në Bankën e Shtetit.