33 mijë banorë në protesta kundër Autoritetit Rrugor

53
Mbi 33 mijë banorët e lagjes Shën-Koll, tek ura e Shkumbinit, Kryezjarrit, Mjekësit, Kuqanit, Shirgjanit dhe Cerrikut, janë ngritur në protesta për të detyruar firmën që po ndërton aksin rrugor Elbasan-Cërrik 19, kilometra e gjatë, të punojë sipas ligjeve, standardeve dhe normave të paracaktuara për procese të tilla pune. Prej afro 2 muajsh banorët e lagjeve periferike dhe fshatrave nga ku kalon rruga e re dhe ajo që pritet të zgjerohet, janë në gjendje “lufte” me firmën e cila ka nisur punimet dhe ka bitisur dhjetëra të tjera. Një banor i lagjes Shën-Koll (tek Çemët) deklaroi për “Telegraf” se “prej 3 javësh jemi pa ujë të pijshëm, mjetet e rënda të firmës “Gjoka” na shkatërruan rrjetin e tubacioneve, kurse ujërat e zeza kanë nisur të dalin mbi xhade, pasi edhe rrjeti tyre u prish. Kemi njoftuar mbi 20 herë inxhinierin e firmës që përgjigjet për punimet e aksit Elbasan-Shirgjan-Cërrik dhe na shprehet se ‘njoftoni Ujësjellësin’, por edhe telefoni nuk na punon, u izoluam fare”. Por sikur të mos kishte ndodhur vetëm kjo, banorët e zonave pas urës së Shkumbinit, ankohen se firma ndërtuese nuk po punon sipas normave dhe standardeve pasi ka ndotur gjithçka, banesat, fushat dhe organizmin tonë. Nuk hapim asnjë minutë dritaret se hyn tymi dhe pluhuri”. Para 10 ditësh dhjetra banorë të Mjeksit dhe Kuqanit bashkë me banorët e Shën-Kollit, vrapuan dhe i zunë derën drejtuesve të Ujësjellës-Fshat të Elbasanit dhe kanë kërkuar riparimin e defektit të shkaktuar nga firma ndërtuese. Por përgjigje ishte se “ju duhet të njoftoni policinë në numrin 129 dhe atje të denonconi defektin dhe autorin e këtij incidenti, ndryshe ne nuk marrim përsipër të riparojmë defektet e firmave”. Por banorët duke mos gjetur shpëtim për ujin, u sulën drejt “Alb-Telecomit” për t’i kërkuar riparimin e defektit të telefonisë, pasi fadromat dhe pajisjet e rënda të firmës kishin këputur kabllot e telefonisë fikse. Edhe atje ata morën të njëjtën përgjigje: “Defektin ta riparojë firma, denonconi në polici”. Një rrumpallë e paparë, një rraskapitje e madhe për banorët të cilët nuk duhej të kishin patur asnjë shqetësim të tillë, në qoftë se firma do të kishte ecur dhe kishte nisur punimet e reja me projektin e 25 viteve më parë, duke patur prezent gjatë nisjes së punimeve edhe përfaqësues të “Alb-Telecom” dhe të Ujësjellësit, për të mësuar shtrirjen e rrjetit. Por pavarsisht shpjegimeve nga stafi inxhiniro-teknik që mbikqyr punimet për kantierin e Elbasanit, banorët nuk duan justifikime për ndotjen e cila është mbi 25 herë më e madhe se ajo që shkakton “Kurum” në fshatrat e Bradasheshit. Pluhuri dhe grimcat e rërës, ngrihen dhe mbushin oborret dhe banesat e banorëve, ndërkohë që firmës i kërkohet spërkatja me ujë e gjithë gjatësisë rrugës ku kryhen punimet. Banorët e zonave nga ku po kryhen punimet e aksit rrugor Shën-Kollit (tek Çamët) Mjeksit, Kuqanit, Shirgjanit, kërkojnë edhe nga ARRSH (Autoriteti Rrugor Shqiptar) marrjen e masave të menjëhershme dhe verifikimin e ankesave dhe denoncimeve që ata kanë ndaj stafit që po kryen dhe drejton punimet për llogari të firmës ndërtuese. Banorët shprehen të indinjuar se “në rast se firma nuk zbaton kriteret dhe normat sipas standardeve të punimeve që kryhen në rrugë pranë qendrave të banuara, dhe në rast se edhe ARRSH nuk merr masa ,ne do të bllokojmë aksin nacional dhe nuk do të lejojmë të kryhen punime në kushte të tilla sikur të ishim bagëti dhe jo njerëz dhe familje që jetojmë prej vitesh këtu”. Ky aks rrugor kushton 1.1 miliardë lekë nga buxheti shtetit, dhe pritet të mbarojë pas 12 muajsh, pavarsisht se deri tani punimet po ecin ngadalë.