100- vjetori i Policisë së Shtetit, Hilë Lushaku: Policia duhet t’i harrojë ngjyrat politike!

860
Sigal

 Duke folur në një intervistë për “Telegraf”, zoti Lushaku është shprehur se i është dashur që të bëjë një punë mjaft voluminoze. Ai theksoi se ja ka arritur qëllimit për të shkruar dhe për të hedhur dritë mbi ato drejtues policie që mbajtën në këmbë policinë e shtetit shqiptar.

 -Zoti Lushaku ju promovuat librin tuaj për drejtorët e policisë në 100 vite, sa kohë ju ka marrë bërja e këtij libri?

-Librin e kam filluar që në vitin 2008, ka mbetur për ca kohë pa u bërë pasi kam pasur dhe një libër tjetër duke shkruar “Rrugëtimi i Policisë”. Shtysat kanë qenë që unë të shkruaj për policinë, pasi ma kanë hequr të drejtën për të shkruar për atë që jam diplomuar.

 -Çfarë ju ka shtyrë që ju të ndërmerrni këtë nismë?

-Aty ka qenë pika e nisjes. Po ashtu u nisa për të bërë një rezyme dhe ju ktheva historisë se sa kanë ikur si unë nga puna e të tjera si këto. Në këtë rrugëtim që bëra gjeta gjëra interesante dhe mora të gjithë drejtuesit që e kanë mbajtur policinë e shtetit në këto 100 vjet dhe këtu dolën 39 emrat e personave që kanë drejtuar Policinë e Shtetit në 100 vjet.

 -Si do e vlerësonit punën e policisë në këto 100 vjet?

-Unë në 100 vite e kam shkruar një libër tjetër “Rrugëtimi i Policisë”. Por mund të them që Shqipëria ka potenciale, por ato që janë lider dhe menaxherë të heqin dorë nga ngjyrat, të ndërrojnë mëndje dhe të nderojnë vetëm flamurin e kombit, të kenë një motiv për të punuar për Shqipërinë. Le ti harrojnë kahet politike, siç është bërë policia nuk do të ketë policia, ka uniformë, ka emër, por nuk ka shpirt për t’i  shërbyer komunitetit.

Fatet e drejtorëve që udhëhoqën Policinë e Shtetit në 100 vjet

Halim Gostivari, 4 herë drejtor, gjithsej 1 vit, 10 muaj e 21 ditë

Veli Vasjari, 2 herë drejtor, gjithsej 7 muaj e 11 ditë

Hilë Mosi, 2 herë drejtor, nuk i llogaritet kohëzgjatja e sakë

Kasëm Kaçi1, 2 herë drejtor, mbi 14 vjet

Xhule Çiraku, 1 herë, 11 vjet e 10 muaj

Dilaver Bengasi, 1 herë 4 vjet e 7 muaj

Bajram Ibraj, 1 herë, 4 vjet, 6 muaj e 11 ditë

Periudha 1913-1944, 32 vjet, pati gjithsej 17 drejtorë

Periudha 1944-1991, 46 vjet pati gjithsej 9 drejtorë

Periudha 1991-2013, 22 vjet, pati gjithsej 13 drejtorë

Janë zgjedhur deputetë 7 drejtorë të Përgjithshëm

Fehim Tepelena ka qenë delegat në shpalljen e Pavarësisë

Dhjetë drejtorë kanë qenë prefektë e nënprefektë

Tre drejtorë të Përgjithshëm kanë qenë ministra

Nëntë drejtorë të Përgjithshëm kanë qenë zv/ministra

Dy drejtorë kanë qenë diplomatë

Dy drejtorë të Përgjithshëm janë zgjedhur “Ambasadorë të Paqes”

Dy drejtorë kanë qenë diplomatë

Pesë nga drejtorët e Përgjithshëm janë vrarë

Tre nga drejtorët e Përgjithshëm janë pushkatuar me vendim gjyqi

Tetë nga drejtorët e Përgjithshëm janë hetuar e gjykuar nga gjykatat

Gjashtëmbëdhjetë nga drejtorët e Përgjithshëm janë liruar e degraduar

Halim Gjakova e Bajram Ibraj punuan me ministra të kaheve të ndryshme politike

Promovohet libri për Drejtorët e Policisë në 100 vite të ekzistencës së saj

 Ditën e djeshme në ambientet e Shtëpisë së Ushtrisë u promovua libri i zotit Hilë Lushaku me titull “Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë”. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Presidenti Alfred Moisiu, Neritan Ceka dhe ish -drejtues të Policisë së Shtetit dhe të afërm të tyre. Promovimi i këtij libri është bërë pak ditë para festimit të 100 -vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit. 100 -vjetori i saj mbushet në datën 13 janar 2013. Pjesëmarrësit dhe veçanërisht Presidenti Alfred Moisiu dhe Neritan Ceka, e cilësuan librin e autorit mjaft të mirë dhe e përshëndetën për botimin e këtij libri. Në këto 100 vjet Policia e Shtetit ka përballuar mjaft sfida. Në krye të kësaj policie kanë qenë një numër i madh personalitetesh, të cilët kanë qenë të fushave të ndryshme, por që e kanë dhënë një kontribut të madh dhe mjaft të vyer. Të pranishmit në takim vlerësuan punën e policisë shqiptare në këto 100 vite.