Gëzuar ditëlindjen e 67 vjetëve, Republika jonë!

    424
    Sigal

    Sot, më 11 janar, është festa e republikës. Natyrisht një ngjarje e madhe për shumicën e shqiptarëve,  të cilët menjëherë pasi triumfuan në luftën nacionalçlirimtare, kundër nazifashizmit dhe veglave të tyre bashkëpunëtore, projektuan dhe realizuan edhe sistemin që do të ndërtonin, dhe si dihet më 11 janar 1946 shpallën Shqipërinë e çliruar dhe në ëndërr ndërtuese, Republikë. Dhe Republika e shqiptarëve, si çdo republikë shtetesh të tjera, ka sot ditën e përvjetorit të saj. Natyrisht një ngjarje e madhe, katërçipërisht e pashkulshme nga memoria historike, por dhe ajo publike. Atë e bëjnë të pashkulshme jo thjesht ish komunistët e djeshëm, ata që nëpër dallgë luftërash dhe rrjedhë gjaku të pastër partizan na e skalitën si një monument mbi gjithë monumentet e tyre të vetëmohimit për liri dhe prosperitet, por edhe pse në gjithë shkatërrimet, shpesh kriminale të atyre që quhen e s’jane demokratë, kanë arritur disi të prishin lapidarë, buste dëshmorësh e heronjsh partizanë a të punës, festën e Republikës nuk kanë mundur dot ta prekin. Ata, kjo vlerë e komunistëve idealistë e revolucionarë të kohës, i ka mundur, mposhtur, memecëzuar dhe injoruar. Është data më historike që kurrsesi nuk mund të preket. Këtu edhe ata që nuk duan asgjë nga e kaluara e vlefshme (natyrisht disa gabime me a pa qëllim ka pasur), për shpalljen e Republikës nuk kanë si të mos vlerësojnë krijuesit e saj. Fundja jo vetëm e majta komuniste që po riorganizohet, sipas shtypit të tyre, por dhe socialistët këtu janë të tej betonizuar. Bile, duhet thënë, edhe pse nuk ua njohin komunisteve hapur shpalljen e Shqipërisë Republikë, edhe shumica e të djathtëve, përjashto minorancën legaliste, këtë shpallje e kanë mbajtur heshtur mbi shpinë këto 20 vjet, pa e atakuar dot. Natyrisht edhe me heshtje kanë bërë shumë mirë, sikurse mbështetësit e monarkisë që kërkuan dhe humbën referendumin e tyre vite më parë e që konform demokracisë e prosperitetit të vendit, mund të rikërkojnë sërish….

    Ajo që i bën nder Republikës së Shqipërisë është qenia e saj si shtet i lirë dhe i pavarur, edhe pse funksionimi i demokracisë dhe mirëqenia e shtetasve la shumë për të dëshiruar. Në këto 67 vjet Republikë, vendi ka pasur ecurinë e tij, kontradiksionet që kanë rrjedhur nga ndikimet rajonale e botërore, oscilacionet prej totalitarizmit stalinist, rroposjet ekonomike prej braktisjeve e përzënieve të “projektuara”, të Kinës sot gjigant botror dhe Gjermanisë “lokomotiva europiane”. Këto oscilacione kanë ardhur në Republikën tonë si rezultat i papërgjegjshmërisë së drejtuesve të Republikës, por në shumicë edhe si efekt për të penguar lirinë e shumëkërkuar dhe vendimet e konferencës së Bujanit (dhjetor, 1943-janar, 1944) për Vetëvendosje të shqiptarëve në Kosovë. Këta faktorë regresivë ndërmarrë mistershëm e kriminalisht nga fqinjët veriorë, (me marioneta të tyre politike në Republikën shqiptare), kanë determinuar jo pak në ecjen e lartësimin e Republikës dhe gjithnjë e më shumë po kuptohet prapambetja e djeshme dhe prapambetja e sotme, si vend që ende nuk është as kandidat për në BE. Është e vërtetë që Stalini ishte ai që i ka kërkuar Titos të bashkohet Shqipëria nën Jugosllavi. Po aq e vërtetë është mosdashja e Titos “sepse me Kosovën ata bëhen mazhorancë dhe nuk ka më Jugosllavi!” dhe më tej: “Si do bëjmë?”
    “E kemi menduar…Shqipëria shumë hapa mbrapa Kosovës…”Shqiptarët e Kosovës kur tu kujtonin Shqipërinë ,të përqafonin Titon. Dhe përfundimi i bisedës: “Kemi njerëzit tanë gjer në pushtet Shqipëri që të lënë mbas shqiptarët…”Kjo bisedë tanimë është e përshkruar kudo, në dokumente të hapura dhe komente shtypi, dhe kjo strategji fqinjësh ka dhënë definicion në monizëm me luftën e ashpër të klasave, internimet, burgjet, prerjen e kokave drejtuese, por dhe në të ashtuquajturën demokraci pluraliste (projekt katavician) ku Republika pësoi zhgënjimin e vërtetë të demokracisë pluraliste, atë demokraci reale perëndimore, që shumë e ëndërruan por të paktë e deformuan dhe që ende mbahet peng prej totalitarizmit të maskuar dhe së vjetrës së pavarrosur. Republika provoi vitin ’97 mbi supet e popullit të saj dhe u përgjak  prej shtetarëve. Provoi Gërdecin, Republika, me 26 qytetarë të vrarë e qindra të plagosur; provoi Republika vrasjet e pandëshkuara më 21 janar, krimet e papërgjegjshme të grabitjes së ekonomisë, mospergjegjësite e ndarjes reale të pronës,pasurimin galopant të oborreve qeveritare dhe mbetjen në varfëri e pasiguri të shumicës së qytetarëve të saj. Por fyerjen më të rëndë Republika e ka marrë në rivlerësimet e monarkisë, ku “kryeqeveritari” i Republikës, ose Saliu i Republikës, bëhet monarkist dhe duke ngritur bustin e monarkut, pa shtet monarkik, pa konsensus qytetar, (monarkun Zog te vetëshpallur mbret, nuk e rrezuan komunistët, por iku vet, bile pa mbathur opingat si kish premtuar) dhe krijon “atakun” verbal të mospranimit prej Republikës, gjë që me siguri Saliu do të ndëshkohet rreptë nga qytetarët që duan dhe mbrojnë Republikën. I tillë paraqitet edhe presidenti i Republikës, që ka rivalin e tij monark pa trashëgimi, në zyrat e presidencës. Duhet kujtuar këtu se Monarku i ri italian, princi Emanuele Filiberto, në Itali respektohet shumë pasi ai jo vetëm deklaroi se respekton Republikën, si zgjedhje të popullit italian, por si është parë punon edhe si prezantues i thjeshtë në TV, duke ngritur lart dinjitetin nga vjen, por dhe thjeshtësinë për çfarë përkushtohet…
    Kjo nuk ndodh me “princin” tonë monark, të cilin mbretëria më e shquar e Europës, Anglia, nuk e ftoi si mbretërit dhe princat e tjerë, në përvjetorin vitit të kaluar të Mbretëreshës Elisabetë. Përseja lidhet me të kaluarën e falsifikuar dhe jo dinjitoze të Monarkut tonë Zog, përgjegjësi që pasardhësit në presidencën republikane vërtetë nuk i takojnë, por ai fatkeqësisht në një paraqitje të tillë në institucione republikane, pse jo e poshtërojnë!..
    Natyrisht Republika është statuja më e madhe e Shqipërisë e lirisë së djeshme dhe të sotme. Është e paasgjësueshmja e artë, e pakorruptueshmja e vetme, edhe nga ata që ditën në kryeministri i kryejnë punët republikane, e përfaqësojnë në botën moderne, mburren me të, ndërsa natën i ngulin thikën pas shpine, i glorifikojnë monarkun, kundërshtarin e saj të përjetshëm. Bëjnë në të vërtetë harakiri, sepse e dinë se mbi të gjithë është Ajo që do t’i largojë ata, do t’i baltosë, do tu kërkojë llogari për poshtërimin e saj dhe të qytetarëve të republikanë. Ajo do të jetë po ajo, e shpallur më 11 janar 1946: REPUBLIKA!
    Në emër të saj Shqipëria do t’i flasë të nesërmes më të mirë! Ardhmërisë!
    Gëzuar ditëlindjen e 67 vjetëve, Republika jonë!