Suplementi Pena Shqiptare/ Vili Minarolli: Kur bënet fjalë për paratë të gjithë kanë të njëjtën fe

445
Sigal

 Astritit iu deshën disa kohë  deri sa të mësonte se si punonin disa nga ingranazhet e kësaj makinerie, ku përzihej biznesi me politikën. Pa mbaruar viti shkollor u tha se do bwhej rikonstruksioni i tre shkollave dhe Astriti u përgatit ta merrte për vete këtë punë dhe ishte informuar nga brenda- ai ia kishte dalë të ngrinte një rrjet informimi- se pagesa do të ishte aq sa do të kushtonte ndërtimi i tyre  nga e para. Nënpunësi i bashkisë, që prej një viti merrte një rrogë të plotë nga kompania e Astritit si këshilltar, i përgatiti të gjitha dokumentat  që duheshin dhe i dorëzoi në komisionin e prokurimit, ashtu siç kishte bërë edhe herë të tjera. Nga ana tjetër ai i tha Astritit se siç kishte marrë vesh, zor se do e merrte ai këtë tender. Në fakt ai e dinte kush do e merrte, po kur Astriti e pyeti:” Kujt do ia japin?”, ai u përgjigj:” Këtë  asnjë nuk e di…Ti e kupton.” Të nesërmen një nga punonjësit e Astritit  çoi në shtëpinë e shefit një pikturë, që  e bleu goxha shtrenjtë. Dy javë më pas “këshilltari” i kompanisë hyri në zyrën e bosit dhe ky sa e pa, e kuptoi si ishte puna. -Kush e mori? -Nuk besoj t’i njohësh…firma quhet “Biza sh.p.k.”… -Nuk e kam dëgjuar, ç’farë biznesi kanë? -Bos , nuk kanë asnjë biznes, kanë vetëm firmën e rregjistruar dhe janë tre apo katër vëllezër  që e kanë qendrën diku nga Kinostudio… -Mos janë ata të asaj bandës që iu vra njëri vitin e kaluar? -Po bos, ata janë… -Po ç ‘punë kanë ata me ndërtimet…Jo, kjo nuk durohet…t’ja japi  tenderin  një bande… -Bos, ç’të them unë… Atë punë e di shefi… -Ku është,  në  zyrë? Do të shkoj  dhe do i them dy fjalë…Pse me ata do të më barazoj mua! Dhe ashtu i nevrikosur  mori makinën dhe drejt e në bashki. Ata tek dera e njihnin se ai kishte punë vetëm me shefin dhe kur i thanë se është në zyrë, ngjiti shkallët pothuaj dy e nga dy  për në katin e dytë. -Kam punë me shefin- i tha sekretares dhe mori për nga dera  e zyrës. -Ta lajmëroj zoti Astrit, se kështu më ka udhëruar. -Mirë, i thuaj se kam ardhur unë dhe është urgjent. Astritit nuk i kishte zbritur inati kur u ndodh ballë për ballë me të parin e bashkisë. Tjetri  e vuri re, por ruajti qetësinë. -Po si o shef ma punove kështu, ma hoqe nga dora tenderin e shkollave?- Astriti i lëshoi këto fjalë me një frymë dhe priti një çast që tjetri të përgjigjesh. Kur kuptoi se ai vazhdonte ta vështronte njëlloj, vazhdoi- Unë i mora të gjitha masat që të filloja nga puna sa të mbaronte shkolla dhe madje mora me qera edhe skelat për të tre shkollat që të punohej njëkohësisht  dhe puna të mbaronte në afat. – mori frymë- dhe ajo që më tërboi është kur mora vesh kujt ja dhe. Pse ore, me ata më barazove? E kush janë ata para meje? Kush e di ç’do të thonë të tjerët kur ta marrin vesh. Jo, këtë nuk e kisha menduar. U duk se  Astriti i kishte mbaruar ato që kishte dashur të thoshte. -Mbarove?- i foli tjetri duke ruajtur të njëjtën qetësi  që nga fillimi. -Mbarova…Po mirë xhanëm  ata nuk kanë asnjë mjet, nuk kanë asnjë puntor, nuk kanë… -Asgjë, do të thuash?- toni i zërit tregonte se tjetri  kishte hequr dorë nga  ajo qetësi që dukej- Këtë do të thuash? Po, ja ku po ta them unë se nuk kanë asgjë, asgjë fare- në këtë fjalë  e ngriti dhe zërin- Po kush je ti që vjen e më kërkon llogari mua?- u ngrit në këmbë dhe Astriti dalloi të skuqej në fytyrë- Se çfarë bëj unë në këtë bashki është vetëm puna ime dhe nuk i jap njeriut llogari. Aq më shumë ty  dhe ndonjërit si ty. E more vesh? Jo, po nuk e pate  marrë vesh, vëre tani vëth në vesh dhe kjo skenë të mos përsëritet më. Ndryshe nuk do e shohësh më këtë zyrë. E kuptove? Astriti kishte shtangur nga ky sulm, që nuk e priste dhe i ndjente në fytyrë spërkalat e pështymës që kishin dalë gjatë të bërtiturit nga goja e tjetrit. Ishte vërtet i suprizuar nga kjo e papritur. Nuk dinte ç’të thoshte. Por e kuptoi se tjetri nuk kishte mbaruar: -Si the, pse ua dhashë punën atyre? Po pse ata nuk duan  të hanë dhe nuk kanë familje? Po e di ti se sa borxhli u jam unë atyre për votat që më sigurojnë, për të ruajtur karriken time? Pse thua ti u vra  një i tyre vitin që shkoi  gjatë votimeve? Për votat e mija, që unë  të jem përsëri këtu dhe ti të fitosh nga  pozicioni im dhe miqësia  ime. E more vesh, o zotëri. -Më fal shef, po nuk e dija- zëri i Astritit mezi u dëgjua. – Jo, po the se nuk kanë asnjë mjet dhe asnjë puntor? Dhe unë të thashë që nuk kanë, se e di para teje që nuk kanë. Po ti  o zotëri  si e bërë  atë punën me ujësjellësin para gjashtë muajsh…? Nuk e bërë me nënkontraktor? Edhe këta ashtu do i bëjnë këto shkolla. Tani po qe i zoti, shko bisedo me ta  dhe merre punën, meqënëse the se ishe bërë gati. Po ja po ta them, mos u trego i pangopur dhe të marrësh pjesën e luanit për vete. Astriti doli nga zyra dhe sekretarja pa në vend të kokoroshit që kishte hyrë para disa minutash, të dilte një njeri  që dukej sikur  e kishte zënë një rrebesh i fortë shiu. I mbante mend edhe herë të tjera skena të tilla dhe padashur vuri buzën në gaz. Kur doli jashtë godinës, Astriti sikur e kishte harruar atë që kishte ndodhur para disa minutash dhe mendoi të kunatin.  -Alo, Bekim a i njeh ti ata të Kinostudios? -Jo , nuk të pyes për ata,  se i njoh edhe vetë, por  është një …janë nja tre vllezër… -…-Pikërisht ata, i njeh ose ke njeri që i  njeh? -… -Jo, nuk kam ndonjë ngatërresë me ta,…po si të them, janë miq të të këtij ku jam unë, e kupton për kë e kam fjalën  dhe…E di ç’ke ti, takohemi në zyrë dhe bisedojmë me hollësi si është puna, se po më bën më shumë pyetje ti se unë. Ai ishte në zyrë kur hyri i kunati. -Astrit, po ç’punë ke ti me ata. Mos je ngatërruar gjë  se… -Ulu ore, ulu dhe qetësohu! Dhe i shpjegoi me qetësi si qëndronte puna. -Nuk do më shkonte kurrë mendja- i tha i kunati, kur Astriti mbaroi së foluri. – Mirë, ja e more vesh tani. I njeh? -Po ç’punë mund të më ketë lidhur me ta , o burazer! -Po ja që nevoja na çon dhe në derë të tyre.Kupton? Nuk duhet të humbim kohë,  nëqoftëse  do e marrim punën që e kanë ata tani. Prandaj bëj si bëj, unë e di që ti ia thua për këto punë dhe shko takoi  dhe bëj pazarin.- Astriti e kuptoi se tjetri nuk e kishte me dëshirë këtë punë- Dëgjo, miku im, nuk do bëjmë krushqi me ta, do u thuash që më dërgoi bosi, ai siç ta shpjegova i ka  miq dhe do futesh në  pazar. Nisu, të mos na e marr ndonjë tjetër, se si duket ne do jemi të fundit, meqënëse sot e mora vesh këtë lidhje. Dhe më merr menjëherë në telefon, kuptove? Ai e mori në telefon pas më shumë se dy orë dhe i tha  se punën e kishin marrë të tjerët, që kishin vajtur  para tyre. Astriti e pyeti  me sa e kishin ndarë, por ai nuk dinte gjë. -Mirë- i tha- më prit tek kafeneja në krye të rrugës se do të vij vetë të bisedoj me ta dhe ndërkohë shko lajmëroi se dua t’i takoj- dhe ia mbylli telefonin. Astriti nuk e kishte mbaruar së piri kafenë, kur i kunati hyri brenda dhe pas tij edhe dy të tjerë. E mori menjëherë me mend se cilët ishin dhe me vete tha: “çudi si është ngatërruar gjithë ai burrë me këta tipa!” -Astrit, ky është Braçja, vëllai i madh dhe ky tjetri i mesmi, Zeni. Astriti u dha dorën dhe i ftoi të uleshin. -Bosi më drejtoj tek ju  dhe më tha të bisedoja…Dhe t’ju them të drejtën kur më tha t’ju takoja më porositi të mos tregohesha dorë shtërnguar, e kuptoni -E kuptojmë mik, e kuptojmë, por puna është se  e mori tjetri, para teje -E mora vesh, ma tha njeriu im- dhe bëri me kokë nga i kunati- me sa e ndatë? – Gjysëm për gjysëm, kështu e kemi ndarë edhe herë të tjera. Astriti dukej sikur po mendohej. -E di si është puna, Braçe? Unë nuk ia bëj fjalën dysh bosit dhe e di që dal me humbje, po edhe për t’ju ndihmuar juve, si thoni  me gjashtëdhjetë ju dhe dyzet unë- dhe e vështroi  Braçen  drejt në sy. Ky ishte habitur nga shifra që dëgjoi dhe po mendohej.  -Vllai im- ndërhyri ai që e kishte emrin Zeni- Ata  me siguri nuk e kanë filluar punën se shkolla nuk ka mbaruar…I takojmë dhe u themi se …na kanë dhënë kaq, po të duan  ata ta ndryshojnë atë që bëmë  para dy ditësh, mirë, po të mos duan e prishim. -Mirë thua ti, Zeni, po mos harro se me ata kemi punuar edhe herë të tjera dhe duket se po i tradhëtojmë…- dhe u drejtua nga Astriti -Unë them ta bisedojmë njëherë dhe ju na kuptoni, se Braçja është i ndershëm me ata që punon. Aq më tepër kur në mes kemi bosin tonë. E kupton ti? -Ke të drejtë Braçe, bisedoje me ata…dhe unë po të le numrin e telefonit dhe më thuaj. Kështu e lemë? Ata u larguan duke i lënë dy vëllezërit të shijonin deri në fund gotat dopio me raki. Po atë ditë në mbrëmje  Braçja i tha se  edhe ata të tjerët e kishin rritur pjesën me gjashtëdhjetë përqind, por të mos mërzitej se punën e parë që do të merrnin nga shefi, do e ndanin me ata. “Po ta kemi të mbyllur pazarin, me gjatëdhjetë siç ramë dakord.”- i tha në fund të telefonatës. “Mos më thënçin Astrit po u ngatërrova më me ju” – tha pa zë  tjetri duke futur telefonin në xhep.