VARGJE QË PIKOJNË MALL
–Duke sjellë nëpër duar librin me poezi“Ujëvarat e mallit” të Fuat Memellit-
Ka kaluar thuajse tre dekada, kur do të takoja në Tiranë Fuat Memellin me sy të përlotur. Ishim tek sheshi “Skënderbej”.I lodhur së brendshmi, me thinjat që po e zbardhnin përditë, ai po qante. Duke ju afruar, e kapa për krahu dhe ecëm disa hapa pa fjalë. Pastaj e pyeta: “Pse kaq i lënduar?” Ai fshiu lotët, më tregoi me dorë hyrjen e teatrit dhe baletit dhe belbëzoi: “Iku autobusi në Rinas. E përcolla djalin në një turne për në Kanada…. Unë qesha. E dija se një nga djemtë e tij ishte balerin i dalluar dhe Memelli lexoi habinë time. “Më tha se nuk do kthehet se do qëndrojë në Kanada. Unë e kundërshtova, po nuk dëgjojnë të rinjtë…Nuk do kthehet…” Dhe lotët nuk i kontrollonte. Unë reagova prerë: “I lumtë për guximin! Kot qan.” Ai ngriti kokën, fshiu lotët dhe më tha: “I ke të vegjël ti, nuk të ve faj, kur të rriten do më kujtosh.”
Në vitet që do pasonin, Fuat Memelli, i përloturi në mes të Tiranës që e deshte familjen “afër dhe bashkë”, tashmë është “arratisur” në Perëndim me të katër fëmijët e vet. Ai jeton në Boston, me gruan dhe dy vajzat “komshinj”, ndërsa dy djemtë në Toronto. Fuat Memelli e ka shtëpinë plot cicërima në Kontinentin Amerikan, por përsëri mbeti me “kokën prapa”. Prej Bostoni ai “ mbytet” në vargje malli, ose në “Ujëvarat e Mallit”, që si shtegtimi i dallëndysheve nisen përvit në Atdhe. Shtegtimi familjar i Memellit, nuk është i vetëm, por e veçantë mbetet ndjesia e tij për Atdheun dhe veçmas për Sinicën ku ka lindur. Libri me poezi që kam në duar, që prej kohësh herë pas here e kam shfletuar si një“karamele fjalësh”, është një kurorë e bukur plot emocione, për vendlindjen dhe “ëndrrat që nuk shqiten”. Poezitë e këtij vëllimi janë një “grusht malli”, që autori e shtrëngon fort në shëtitjet e mëngjesit në Boston, duke i lënë lotët e mallit të përthahen si hartë kujtimesh mbi fytyrën e vet. Është një përkushtim për familjen, ku, siç shënohet në fletët e para “…jeta fillon e dashuria s’mbaron”, por që më tej, autori prek gati çdo kthinë të jetës me një varg të latuar me kujdes.

Një libër poetik, me 110 poezi të shkruara në vite, në 165 faqe të ndara në 9 grupime tematike,(Familja, Sinicës,Poezi në kohë virusi, Dedikime ,Stinët e vitit,Një tufëz lirika, Ca plagë që dhembin, Malli dhe Mozaik) janë një vallëzim shpirtëror, një “tango” e autorit me vargun e vet, që sikur e mbajnë të ri botën e tij të lënduar prej ikjes. Nga poezia e parë “Ëndërr me Nënën” dhe deri tek ajo e fundit “Çdo ditë që vjen” vargjet e Memellit janë një “turbinë emocionesh”, që kur futesh mes tyre, sheh dritë e përmes saj, në vargje radhiten si në rreshtoret e dikurshme: dashuria, shqetësimi, malli, shpresa, kënga, zjarri, malet, gurët, lumenjtë, pemët, gjerdhet, bahçet e fshatit, njerëzit të gjitha këto në një mozaik të bukur poetik. Fuat Memellin në të gjithë e kemi njohur më shumë si gazetar që ka bredhur cep më cep të Shqipërisë, por mesa duket, ëndërrimi i hershëm për t’u bërë poet e ka ndjekur nga pas duke bërë që në “moshën e bardhë” të vjen me vëllimin e tretë poetik “Ujëvarat e mallit” që duken si krahë që“përqafojnë” vendlindjen nga larg:“Heshtur rri shtëpi e vjetër/Më shikon me një sy tjetër…/Ne e lamë fillikat/Vrapin morëm nëpër botë/Lamë vatër edhe prag.”

Poezitë e tij janë një “ditar poetik” përtej Atlantikut, që nga qyteti ku jetoi dhe u varros Noli, vijnë si një vetëtimë shpirti që do të ndriçojë ledhatueshëm Atdheun që la pas. Mendja dhe fantazia krijuese e autorit mbeten si fluturim në hapësirën shqiptare, ku ai vështron me kujdes çdo gjë. Nga vargjet për tërmetin:“Një tërmet prej shtatë ballë/Po tund themele në vendin tim…”apo malli për këngën përmetare :“Më rrëmbyen këngët e Përmetit/Dhe lashë çdo gjë /Më ngjanin me valët e detit/Si pulëbardha më vinin pranë.” Si dy ekstreme të dhimbjes dhe mallit, rrëfejnë botën e ndjeshme të tij. Këto vargje e shumë të tjera si këto, dëshmojnë se autori edhe pse larg, është afër dhe ndien çdo regëtimë të jetës në Shqipëri. Veçmas poezitë që janë shkruar në kohë virusi, janë “neurone” që ndiejnë dhimbjen dhe “ikjet e befta” që e lënë pa gjumë varg shkruesin. Në poezinë “U rralluan shokët e mi” të pikon shpirti lot dhe duke lexuar në heshtje, nderon jetën dhe kujtimin që le secili,me dhimbjen e pamundësisë për të bërë nderimin e fundit, siç ishin ikjet gjatë Covid 19. I mbuluar nga lotët e dhimbjes dhe mallit, poeti përsëri “nuk mbytet”, por vështron jetën si vijimësi dhe përkushtim kur shkruan poezinë Sytë e Luleve: “Po çelen në Boston sytë e luleve/Mbyllur ishin në dimrin e gjatë/Mezi presin dritën e mëngjesit/ Ndaj zgjohen herët që me natë/…dimër në zemrat e njerëzve të mos ketë…”
Vargu i Fuat Memellit është, sipas mendimit tim, një “shpirt i skalitur” me fjalë malli e dashuri. Ai të kujton poezinë agolliane me kujdesin që bën për rimën, strofën dhe mesazhin. Si bashkë devollinj, që ja kanë marrë bashkë këngës popullore, të duket sikur Memelli ka kërkuar “miell hua” nga bota e pafundme e poezisë së Dritëro Agollit. Veçmas të vjen në mendje kjo kur lexon gjithë ato poezi plot mall për fshatin, mullirin, ison e lumit apo brengën që nuk mundi të shënonte në letër rrëfimet e të parëve etj. Libri në fjalë ka një tematikë të gjerë dhe një larmi figurative që të bën ta shfletosh me dëshirë e ndjesi të veçantë. Natyrisht në këtë botim ka meritën e vet të kësaj arritje edhe redaktori Kosta Nake, që ka mundur mjeshtërisht të nxjerrë në dritë mendimin e profilin poetik të autorit.
Këto rradhë sikur buruan kur ja dola në fund poezive, që sipas meje është “djalë i vetëm” i familjes nga erdhi, por nuk u përkëdhelos kurrë. Përkundrazi Fuat Memelli është shembull i një njeriu që ndërtoi jetën e vet përmes punës plot munde, këmbëngulje e vështirësi në Shqipëri, por që “i ndrit fati” në moshën e bardhë duke jetuar prej dekadash në Amerikë. Ai e mbyll librin me vargje “të mprehta” që të dhembin, por edhe të japin shpresë: Vërtet më mplak/Vërtet më thinj/ Çdo ditë që vdes/Çdo ditë që lind/E prapë ndiej/Një shpresë të re/ Që vjen për mua/ Që vjen për ne…




















