Suplementi Pena Shqiptare/ Zija Çela: Me dorën e djallit në fyt…

46
Sigal

(Nuk të mbytë, por t’verbon sytë.)

E pra herët e kam thënë, Djalli e merr përsipër atë që bën, sepse e ka të shpallur qëllimin njëherë e përgjithmonë. Kur hyn në marrëdhënie me njeriun, hyn me bonus të gatshëm: “Ti bëje këtë, se unë të jap atë!” Dhe gjen pikën më të dobët. Në një çast të caktuar, njeriu ndien t’i zuzullojnë veshët, pastaj sikur dëgjon një zë të mistershëm, që ia bën sedrën fërtele: “Ama, po habitem me ty! Nuk të kisha ditur kaq sedërli, kaq mendjengushtë, kaq moralist, kaq frikacak e qullac pa cak! E kujt i hyn në punë sot ndershmëria?! Vetëm atyre që janë qorra e kaqola. Pa më thuaj tani, si duron që…”

Është Djalli, ky kodosh i përbotshëm, që t’i zbraz në tru ngashërimet e tij. Dhe për të qenë objektiv, ai di ta joshë edhe arsyen e shëndoshë. Sepse, në pamje të parë, të rren mendja se zgjedhje të tilla kleringu, më jep – të jap, janë dukshëm me përfitim.

Por në të njejtin çast ekziston një zgjedhje tjetër, duke pyetur veten: “Çfarë është ajo që Djalli ma jepka me kusht dhe Zoti nuk ma jepka falas?”

Djalli vërtet është kozmik, por Njeriu është racional, krijesë me mundësinë për të qenë superior ndaj Satanait. Prandaj njeriu nuk ka përse të ankohet aq shpesh me vonesë: “Boboo, çfarë bëra!”, dhe të mos frenohet në kohën e duhur, duke shkundur veten me logjikën: “Përse, përse ta bëj?!”

Për t’i paradalë këtij “bonusi”, që ta bën shpirtin pleh, Zoti nuk lë boshllëk. Boshllëkun që gjen Djalli, e krijon vetë njeriu me zgjedhjet e tij të gabuara.