Suplementi Pena Shqiptare/ Ylli Pepo: Porta plot dritë e Martin Cukallës

40
Sigal

Mbaj mend, kur isha një nxënës shkolle, vëllai i nënës time, Ilo Pando, ndër regjisorët e parë të filmit, sapo kish mbaruar, së bashku me kineastin bullgar Georgi Arnaudov, një dokumentar me titullin “Kënga e Rozafës”. Në premierën e filmit më mori edhe mua. Ishte filmi i parë që trajtonte legjendat shqiptare. Që nga Rozafa në Veri, zbriste drejt Jugut, ndalte në Durrah, kalonte në Apoloni e ndalej gjatë në Buthros, ku kamera gjente një pasuri të rrallë legjendash, që trazonin jo thjesht një vend, por tërë botën antike që nga Kolkida e Medea e deri tek Troja, Hënori e Juda Iskarioti.

Pas shumë e shumë vitesh, i takoj përsëri ata në këtë libër të mikut tim Martin Cukalla, që vjershërimin nuk e ka profesion, por shumë më tepër: pasion e dashuri të madhe, që nuk i rresht prej 60 e kusur vjetësh. Nga sa kuptohet, ai do të sjellë poetikisht e filozofikisht një kohë, kur janë shkruar poemat e mëdha “ Iliada”, “Odisea” apo “Eneida”. Mund të them me bindje se ky vëllim jo voluminoz (që i shkon kohës sonë të shpejtësive të mëdha) sjell plot lirizëm një periudhë nga më të përgjakurat e historisë së njerëzimit. Raportet e njeriut me “tjetrin”, me natyrën apo mbijetesa, mes intrigash e udhëtimesh legjendare vinë bukur, plot ngjyra që të sjellin përfytyrime të gjalla, thua se po shikon një film të nivelit sipëror nga pasuria e madhe e mjeteve shprehës, por edhe nga përshkrimet më të imta të ndjenjave e pasioneve apo pasigurive të një kohe që ka mbetur në thellësitë më të errta të pusit të mijëvjeçarëve. E autori ka guximin, por edhe zotësinë që ta nxjerrë në dritë, plot shkëlqim e lëng jete.

Poeti hyn gjithkund në enigmat, merret me këngët, baladat, legjendat mitike, bisedat erotike, ritet, rrëfenjat, këngët, betejat, çastet intime në shtrat, mortet e thashethemet, jo të mëhallës, por mes popujve të tërë. siç është rasti i Juda Iskariotit, që nuk dëshiron as ta zbulojë e as ta poetizojë. Hyn në humnerat e mendimeve e shpjegon parandjenjat e instiktit, imazhet nën tingujt e vështrimit poetik të jetës. Mbi të gjitha në jetën e popujve barbarë, siç i quanin helenët tërë ata që nuk ishin “të tyret”.

Ndër ta, edhe popujt mbi Elladë, ilirët e lashtë e fiset e tyre të shumtë. Ai pasqyron me art një periudhë pa kohë, në ag të njerëzimit. Ka larë me dritë, kthjellshëm si uji i burimit ngjarje, personazhe, pejsazhe, udhëtime, luftra dhe dashuri të ndaluara, të lindura mes perëndeshave dhe qënieve humane. Ka veshur me një lirizëm të paskaj epizmin heroik e magjik të një kohe të largët, plot luftra të ashpra dhe të egra. Libri ka një pasuri të rrallë, shpesh edhe të tepëruar, të mjeteve shprehëse, të figurave letrare ku spikasin metaforat e gjetura, krahasimet, hiperbolat e qëlluara, antitezat, pasuritë e rralla frazeologjike e gjuhësore të shqipes letrare por edhe asaj krahinore. Sa për ilustrim, ja një strofë, e zgjedhur jo me kast, nga “Varri i Medeas”, f. 21:

 

…çdo gjë tretet nëpër Dhe

e humbet siç humbet mjegulla;

gurë për gurë nëpër lumë

llum e shkumë bëhet guri.

Ujë ndë ujë dhe shkrin bora

nënë valë e nën të kaltër,

në burim është shushurima

tretet dhe ajo në ajër.

Ndryshe fjala, rrënjë ze

dhe baret shekull më shekull.

 

Me këtë pasuri e shkëlqim poetik e filozofik është mbushur i gjithë libri.

Gjetje origjinale e Cukallës është edhe stili i përdorur, krejt i veçantë për një libër të kohës sonë, ku spikat mënyra e vjershërimit të poetit tonë të madh, De Rada.

Autori jo pa qëllim ka sjellë vargje e teknika “alla de Rada”, duke e veshur kështu më kollaj epikën e madhe me lirizmin e madh.

Shpesh nuk mungojnë shpjegimet në prozë, në fund të faqeve poetike, për të ndriçuar e sqaruar më mirë, paqartësi e dilema historike, që lidhen me vargjet e poemave në libër.

Ato vinë si dëshmi nga burime të shumta, që autori i ka kërkuar e qëmtuar, i ka studiuar në thellësi, edhe me dyshimet e dilemat që ia kërkon profesioni i tij parak, inxhineria e nëntokës, ku bazë janë shkencat ekzakte. Veçanërisht është ndalur tek Luixhi Ugolini, që punoi në Butrint për vite të tëra.  Apo edhe tek studiuesi enciklopedik e shkrimtari filozof Moikom Zeqo që, shumë kohë më pas, shkroi hollësisht për legjendat e Butrintit.

Libri “Hyj në portë e dal në dritë” është një risi e padiskutueshme në mbarë letërsinë tonë. Atë mund ta quash pa frikë “Butrintiada”, një shembull kokëfortë se çfarë force ka pasioni, dija dhe talenti i vërtetë.

Hënori

Hënori*6 ishte i pari!

 

Në mesditë shikoi diellin

që ngjitej nëpër qiell, shkëlqimtar

e me një hir të fshehtë.

I pa rrënjë ai dhe po e ftonte

të ulej nën hijen madhështore të një Lisi

për një sy gjumë.

“Lisin, -mendoi Hënori,

e ka hedhur jeta të ketë rrënjë

dhe t’u shkundë krahët erërave

i pa frikë.

I pa frikë i pret rrufetë…”

 

“Bëhu dhe ti me rrënjë!, -foli Lisi,

ç’të pengon të lësh mënjanë

shtegëtimet dhe lodhjen që sjell udha?

ja ku e ke lëndinën! Dielli mbi det

bije çdo mbrëmje e lajmin për mëngjezin

ta jep Afërdita.

Jeta ia hap dyert njësoj

gurit që rri e gurit që rrokulliset…”

 

“Bukur!, mendoi Hënori dhe shtiu

mbi një Dem të fuqishëm që po ripërtypej.

 

U godit rëndë, por nuk ra Demi;

eci ashtu, plagosur brinjë më brinjë,

pa zë, duke kërkuar shtegun

nëpër kodra e nëpër dallgët e detit:

duke mallkuar njerzit e pa shpirt,

por edhe perënditë e babëzituara…

Eci Demi, eci zorasi dhe gjeti

vendin mrekulli ku të prehet vështrimi.

Mbrëmja po binte faqendezur mbi Liqen.

Hënori qëlloi rishmë. Demi ra…

 

Ylli i Mbrëmjes dëgjoi rënkimin e një shpirti

që u nde mbi detin poshtë

si të ishte mjergullirë jete,

dhe e bekoi. Bekoi Ylli i Mbrëmjes

darkën e Zotave, bekoi Hënorin

bekoi dhe atë, vendin që mori në gji

frymën e fundit të Demit…

*

Ai kep i ulët është i çuditshëm:

deti e rreh çdo çast nga perëndimi,

në lindje uji i ëmbël i dëborërave

ka çarë rrënjet e maleve

dhe prehet mandej në liqenin

për të flladitur drurë gjetherënës

e drurë që nuk e lëshojnë

asnjë stinë të gjelbërën-

të gjithë të lashtë, thuajse sa gurët e bardhë

që ndërtuan kështjellën.

 

Diku shkëmbi ka një sy

si për të parë parreshtur cohën e kaltër

a po i turbullohet balli dhe kanali i Vivarit?!.

Aty kërkonte shpesh qetësinë E Thëna*7,

grekët ia ndërruan emrin në Athena

romakët gjithashtu i thirrnin Minerva

dhe për ta nderuar ndërtuan tempuj…

 

Mos ia kërkoni mëmën! Hijeshia

dhe drita e saj janë barbare:

Zoti i Zotave në çaste dhimbjesh

çau kokën e vet. Drita e jashtëzakonshme

përshkoi gjërat, dukuritë, ngjarjet

dhe u bë fjalë në gojën e Njeriut.

Ajo është E Thëna, qëndron në ballin e sejcilit

dhe dashuron poetët!…

 

Fatmjerë e kryeprerë Zotat e këtij vendi!,-

mendoj

dhe zbres Shtegut të Përjetësisë

për të pyetur Çezarin, Ciceronin, Oktavianin

përse u ndërtua tempulli i E Thënës në Butrint

dhe përse iu ndrrua emri kuptimplotë e i bukur?!

 

Nuk i gjej kurrkund…Heshtje dhe terr.

As ndonjë letër e tyre nuk ka mbetur

në trungjet e Lisave. Lisat flasin,

nuk i kupton njeri.

*

Nata bie e plotë, prushërojnë yjet,

dremit liqeni. Shpirtrat e nënëdheshëm

marrin shtigjet për të kërkuar jetët që jetuan dikur,

të gjallët kanë ngritur një amfiteatër

ku mund të luhet me zëra të kthjellët.

Asgjë e parapërgatitur, shpirtrat janë ngazëllyer

dhe E Thëna mbart fjalët e bardha të shqiptohen

me rrënjë e histori, siç i foli dikur Hënori.

Zëri ikën i brishtë nëpër baptistër,

rrethon tetë Kolonat e Pafundësisë, rend nëpër Bazila

dhe humbet qiellit nëpër çatinë e hapur…

*

Kërkoj të takoj ëndrrën diku këtu

hapsirave ku Shëruesi i Madh

rrëshqiste fshehtas nga shkëmbi në shkëmb

me britma Arbërorësh të plagosur rrethuar

dhe mblidhte bimë të magjishme.

Shëruesi i Madh ishte i çuditshëm:

Me vështrim të shpërqëndruar

dhe thuajse i pa fjalë, dëgjonte lëngatat

e dhimbjeve njerëzore;

çdo mëngjes e përditë

kur era kthente kahjen e ikte nga deti

aty në shesh, grumbuj grumbuj

të lënduarit nga jeta kërkonin

të çliroheshin prej makthit

të trupit e të shpirtit.

Shëruesi i Madh i vinte në gjumë

dhe, sipas vullnetit të tij, i zgjuante

për të dëgjuar ëndërrën që kishin parë:

Ua hiqte qelbin apo mishin e huaj nga trupi,

ua largonte ethet e tmerrimin e mendjes!

Ishte përherë i përpiktë në artin e shërimit

aq sa kërrente nga gjumi i përjetshëm

dhe njerëz që i kërkonte

një dashuri e jashtëzakonshme…

 

Më pas Hipokrati*8 i lashtë

i ndërtoi një tempull perëndie

dhe e quajti Asklepieion*9.

*

I vetmuar dhe në orë lumturie

bekova Hënën që më ndriste

shtegun e verbër ku çapitesha.

Mandej iu luta në gjunjë për çaste të gjata

të më çfaqte vetëm një grimë

të jetës së Hënorit,

atij bariut të Kaonisë

që në zbazëtinë e magjishme të kësaj treve

ndërtoi jetën e paskajshme të njerëzve të vet

dhe i trazoi Ata me Zotat

siç ujrat e ëmbla të Liqenit

përzihen në ujrat e kripura të Detit.

 

Hëna fshihu-e-dil prapa mali

e sipas zakonit të  saj: bëhu bri e rrethonjë e artë

nëpër një qiell ngjyrëtrazuar  me të reve udhëtarë

më nxorri në bregun përballë dy njerëz.

Të pështjellë prej flake ishin ata

sikur digjeshin

dhe çuditërisht të qeshur

dhe pse në një llahtarë jetëgjatë.

-Unë jam E Thëna!,- tha njeri.

-Unë jam Hënori!,- tha tjetri.

Erdhëm këtu, sipas dëshirës tënde,

të nxjerrim nga këto gërmadha të egra

bukuritë që rrënoi e tmerrta kohë:

Legjendat e Butrintit!

——————————–

*6… Luigi Maria Ugolini, siç ishte modë në kohën e vet, përmend Helenin e ardhur nga Troja,(?!), për themelues të qytetit të Butrintit. Shpjegim i panatyrshëm për  zhvillimet sociale të Kaonisë baritore.

“Hënori” i shkon për shtat çdo bariu sepse, për gjithë verën bagëtitë nxirren në kullotë natën…

 

*7…E Thëna, fjala ishte e para, në lashtësi nderohej si I Pari i Zotave! Zbërthimi etimologjik i fjalës “Perëndi” sipas Prof.Haxhi Sauku do të thotë: Zoti i Parë.