Suplementi Pena Shqiptare/ Xhevahir Spahiu: Buka jon e përditshme

876
Sigal

Ti erdhe pranë dhe më the:
-Ta hëngra zemrën!
Unë mbylla sytë
Dhe shpleksa ëndrrën.
Shoh si përgjaket zemra ime,
Në buzët e tua prej mishi dhe drite.
-Të bëftë mirë e dashur!
Po tani, tani, a s’më thua
Pa zemër si mund të dua?
Ti the dy fjalë,
Hodhe një gur:
-Ta hëngra zemrën!
Dhe unë i përgjakur numëroj
Rrathët e ëndrrës.
E di: Zemra ime
Zemrën tënde e ka bërë copë e çikë,
Kullon gjaku prej saj
Si kokrrat e shegës, pikë-pikë.
Ti the: -Ta hëngra zemrën
Kur unë fatziu e kisha sosur tënden
Ish koha e zisë
Dhe zemrat na u bënë buka jonë e përditshme.

17 Gusht 1986