Ti nga farëzat e një trëndafili,
çele bohçen tënde me petale ylli,
ndërsa unë me lëndën e një lisi,
çela në bjeshkë, një blerim filizi.
Ti u bëre trëndafil plot me gonxhe;
ku mori aromë, krejt hapësira jote.
Unë u bëra lis gjethnaje të blertë,
ku erërat më kanë shkundur rreptë.
Ty të thithi aromën, një derr kalimtar,
që t’i shpupuriti petalet si i marrë;
mua m’i hëngrën lëndët dhi të egra
pasi përtokë m’i kishte rrëzuar era.
Tani në fund të jetës, ti po më thua,
me zjarr trëndafili, më ke dashur mua;
dhe në zemrën e bohçes, ku del aroma,
ruajte dashurinë, e penguar nga koha.
Ah, moj shpirt, trëndafilishte e bukur,
tani jemi vonë, gjokset për t’i strukur!
Unë s’të polenizoj dot, me gjethet tharë,
as ti në petale, nuk ke aromën e parë…
Sepse tashmë, koha jonë ka kaluar,
kur ne të dy, mund të ishim pllenuar,
për të çelur bisqe të reja me lulëzime,
në kërcellin tënd dhe në kurorën time.
Por unë do kujtoj aromën tënde të mirë,
ndërsa ti do kujtosh të ëndërruarën dëshirë
dhe bashkë, me të paharruarën nostalgji,
do ngushëllohemi shpesh herë, ne të dy!…





















