Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Arrestimi lakuriq

587
Sigal

Tregim

Duke pushuar buzë detit, te kodra e qytetin tim të lindjes, m’u kujtua ajo ngjarje e ndodhur në atë vend, e cila bëri bujë në tërë Sarandën e kohës, kur isha adoleshent.
Fuli, ishte një klarinetist rom, me një portret, të cilin do ta lakmonte çdo piktor që gjurmon karaktere të rralla. Kishte mbi krye një shkurre flokësh kaçurrela, një hundë të lartë me gungë kockore, faqe të gjata, me bulçi të varura, të cilat, kur i frynte fort, për t’i rënë klarinetës, ngjanin me dy tullumbace të zeza. Kur ai bënte tingujt e trashë me klarinetë, dukej sikur binte boria e ndonjë vapori të huaj përballë Korfuzit. Ndërsa kur ligjëronte zërat e hollë, ngjasonte, sikur ciceronin tufat e zogjve mbi degët e palmave të shëtitores buzë detit.
Fuli njihej në të gjithë Jugun, si klarinetisti që e bënte instrumentin të qeshte me lloj-lloj zërash gazmor e të qante, me pikat e lotëve të rrjedhur, nga avujt e frymës së ngrohtë, te gryka e klarinetës.
Ndërkohë Nimetja, kamerierja e lokalit veror, te lulishtja e tavernës, kishte një bukuri përmetare, tek e cila mbeteshin jo vetëm sytë e burrave që e lakmonin, por edhe të grave që e kishin zili… Ajo ishte një gruaja e re, e martuar mblesërisht. Kishte një gjoks ballkon dhe vithe të vogla, por me një rrafshinë të butë te prapanica, ku kishin dëshirë t’i jepnin një pëllëmbë ledhatuese, disa nga pijanecët e tejkaluar, të cilëve ajo u binte duarve me tërë fuqinë e krahut.
Nimetja mbetej pa frymë e mekej aq shumë nga kabatë drithëruese të Fulit, sa dhe koka i mbetej prapa, deri sa banakieri e thërriste duke i rënë banakut me shishe boshe.
-Hej, hej, Nimo, Nimo, edho to mjalosu! (Këtu mentë e tua)
-Po aman, o xha Ligor, si s’të gërvëliset pak zemra nga gërneta e Fulit, ty ore?
-Eh, mori bukuroshka, mua më gërvëliset xhepi për pak para, t’u shpie fëmijëve të mbushin plëndësin…
Kur xha Ligori i jepte tabakanë me pije e meze për orkestrën, Nimetja fluturonte gjithë ngazëllim dhe gjendej në çast te tryeza përpara Fulit, ku vonohej, duke u përkulur për të lënë dërgesën, aq sa i zbuloheshin gjysmat e gjinjve mbi tryezë. Atë çast Fuli e mbyllte kabanë me një “per finire” që thonë muzikantët dhe, sikur nxirrte nga shpirti i tij një zog mëllenje, i pëshpëriste te veshi:
-Vdeksha, po mos hëngça një herë meze nga këta pjeprat e tu!….
-Nuk i ha dot aq kollaj… – qeshte nën hundë ajo.
-E pakta, t’u marr erë!…
-Kësmet, po t’u bëftë motra, ule zërin, mos dëgjojnë firaunët që ke rrotull, e i thonë tim shoqi!…
Fuli rrëmbente klarinetën në çast dhe me frymëzim të shumëfishuar, i binte kabasë përmetare, për të cilën ajo ishte gati t’i jepte, jo vetëm pjeprat e gjoksit të saj, që i pëlqenin aq shumë atij, por edhe shpirtin.
Pas ca ditësh, në një natë të ngrohtë gushti me hënë, Nimetja pranoi të shkonte te kodra e errët e Limjonit, mes bahçeve me bostane, ku ata të dy nuk mund të binin në sy. Atje me bujarinë e dashurisë së pa ndjerë nga mblesëria bashkëshortore, ajo zbrazi në prehrin e Fulit, veç gjoksit të saj të bëshëm, edhe të gjitha mezet e rralla, të paprovuara ndonjëherë prej tij me një grua të bardhë.
Mirëpo ndodhi jo vetëm e papritura për ata të dy, por edhe e padëgjuara për tërë qytetin bregdetar. Rojtari i bahçeve me bostane e fiq të Limjonit, pasi i diktoi ashtu të ngjitur siç ishin, shkoi tinëz u rrëmbeu rrobat, i hodhi te kolibja e vet dhe u drejtoi çiften:
-Çohuni të poshtër, e shkoni përpara, sa ua bëra by… shoshë me saçma!…
Ata u shqiten, të tmerruar nga gryka dyshe e çiftes, drejtuar mbi kokat e tyre dhe duke u rrotulluar rreth vetes, kërkuan në çast teshat e trupit që u mungonin.
-Pse na bie në qafë o bahçevan, ne s’kemi punë me pjeprat e tu, unë desha pjeprat e kësaj dhe kjo gërnetën time. Po aman, të jap gjitha paratë që kam fituar nga gërneta, veç na jep rrobat e na lësho të ikim, pa na parë njeri tjetër!
– Çohu, o pusht i zi me gjithë këtë rrospi, se ma keni bërë bostanishten bordello!… Këtu, te pjeprat e mi e gjetët kuplaranë ju, o turpi dynjasë?!…
Fuli ishte gati t’i bënte edhe ca premtime te tjera… po kur ndjeu dy grykat e zeza të çiftes ngjitur me ballin, heshti duke u dridhur deri te thembrat e këmbëve.
– Përpara dhe ecni shpejt, se për ajodhimën e dyzet shenjtorëve, u bëra sallatë të dyve!…
Kështu rojtari i nisi, duke i kërcënuar me ton të fortë dhe i çoi në mesnatë lakuriq, në degën e policisë, që ishte aty afër portit. Turp më të madh s’kishin ndjerë kurrë ata të dy, të detyruar të ecnin rrugës nëpër natë, duke mbajtur duart përpara vetes. Madje Nimetja i kish bërë të dy pëllëmbët e duarve, gjethe fiku, si Eva me Adamin, të tmerruar nga ai gjarpër i pjeprave me çifte në dorë. Por dhe kënaqësi më të madhe, s’kishin provuar kurrë më parë, tre policët e shërbimin të asaj nate, që panë kamerieren e mirënjohur, siç e kishte bërë nëna.
Pasi rojtari i pjeprave ktheu teshat në Polici dhe u mbajt procesverbali i skandalit seksual, ata u liruan, por qyteti zjeu të nesërmen, deri në lagjet më të largëta. Pa përmendur pasojat familjare që vetëkuptohen.
Sot mbi truallin e ish-bahçeve të Limjonit, ku Fuli-Adami bëri dashurinë fatkeqe me Nimete-Evën, nga e cila mori dhe cilësorin Fuli i Nimetes, janë ngritur një mori, motele qejfi, hotele luksozë, apartamente verimi dhe lokale moderne. Por më kryesorja është, se mentaliteti i njerëzve të këtij vendi, ka ndryshuar, aq sa, nuk pyet më njeri për Fulët, e sidomos për Nimetet, që bëjnë plazh edhe me arapë nga përtej detit…