Suplementi Pena Shqiptare/ Vojsava Nelo: Mbërrita në qafën e muzinës. Zgjohu nënë!

101
Sigal

Mbërrita, nënë!

Jam në Qafën e Muzinës

dhe pak, në Delvinë.

Valët e ajrit mbushen me gëzimin tim.

E ndien, besoj,

e ndien ardhjen time.

Shpirtin që fillon e kërcen, e këndon,

nën ritmet e mahnitshëm të vendlindjes sime.

Me siguri e ndien.

Ti e di sa e dëshiroj këtë mbërritje.

Sa më lumturon kjo ardhje.

Dil e prit

sipas zakonit tënd të bukur.

Jashtë e brenda.

Jashtë e brenda, nëna ime, si një zanë, si një flutur!

Ja, dhe pak. Arrita!

Pritmë, nënë!

Zgjohu, si nëpër legjenda!

Mbushmë shpirtin e zbrazur me gëzimin tënd!

Zgjohu nga gjumi yt i përjetshëm!

Zgjohu, nënë,

qoftë dhe për pak!

Sa të më presësh, si dikur.

Të të shoh e të më shohësh, qoftë një çast!

Zgjohu, si nëpër elegji,

si nëpër rrëfenjat e lashta.

Ca prej të cilave m’i ke treguar ti,

ndërsa unë të shihja drejt e në sy,

dhe të besoja, siç nuk kam besuar më njeri.

Çohu tani! Dil e më prit!

Mbërrita!

Jam këtu, në kryeqendrën tonë të botës,

në Delvinë,

pa asnjë orientim,

pa asnjë mirëseardhje,

pa asnjë puthje,

pa asnjë përqafim.

Çuhu nënë, mbushma pak këtë shpirt të zbrazur,

këtë shpirtin tim!