(Në Delvinë)
Mbolla një fushë me lule trëndelinë.
Të gjitha lëndinat i mbolla,
lule trëndelinë,
nga ato që rriten viseve të mia,
nga ato që rriten në Delvinë.
Mbi lulet e verdha erdhën flutura
e u ulën për pak.
Pastaj përplasën krahët e ikën,
ndoshta diku afër, ndoshta diku larg.
Ndoshta në ëndrrat vajzërore,
fluturuan gjithë delir…
Fluturat e bardha vallëzojnë në ajër,
në një hapsirë të pamatë
det me lule trëndelinë.
Delvinë, pranverë më pranverë.
Fëmijëria
Fëmijëria ime,
jeta ime e jetuar,
jeta ime e gëzuar.
E bukura fëmijëria ime, që shndërrit e vezullon para syve të mi,
gjithë kohën e kohës.
Po kur ndalem, kur ndalem e rri dhe të sodis…
Ndalem dhe e përmalluar rri e të shoh…
E mrekullohem…
Dhe e kuptoj, e kuptoj se falë saj,
botën e mbush me dashuri,
dhe si me fije ari,
e qëndis me poezi.
Nusërore
Shikimet e saj fluturonin me retë
ëndërruese.
Mes për mes qiellit;
pa u ndalur,
pa u lodhur
në shtegëtime të largëta
tok me retë.
Shikimet
dhe një ëndërr gurgulluese
që përvëlonte,
ndërsa priste çastin e shenjtë.